Ndërlidhjet

Daçiq: Mund të flasim edhe për një karrige në OKB


Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka porositur sot se Serbia mund të flasë edhe për një karrige për Kosovën në Kombet e Bashkuara, por në atë rast, sipas tij, edhe Prishtina duhet të ofrojë diçka.

“Ne mund të merremi vesh për çkado. Nuk po ikim nga kjo, nuk është kontestuese. Ne kërkojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por që ajo të arrihet, duhet edhe të jepet diçka”, ka thënë kryeministri serb, duke folur para gazetarëve në Beograd.

“Çfarë mendojnë ata, që ne të japim çdo gjë?”, është pyetur ai.

Mjetet serbe të informimit citojnë edhe deklaratën e tij se "rezolutën e Serbisë për Kosovën ia ka dorëzuar përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton", e cila ndërmjetëson bisedimet Kosovë – Serbi, dhe se Hashim Thaçi, “nuk mund të vendosë se për çfarë do të flitet në takimin e ardhshëm”.

Deklaratën e kryeministrit të Kosovës, se rezoluta serbe do të jetë e papranueshme në tavolinën e bisedimeve, Daçiq e ka quajtur “për konsum të brendshëm”.

Sipas tij, edhe vetë baronesha Ashton, ka thënë se “do të nisin bisedimet mbi paralelizmat institucional dhe mbi veçantinë e serbëve dhe se nisur nga kjo, do të bisedohet edhe për rezolutën, edhe për platformën”.

“Kur them veçantinë e serbëve, mendoj se për të gjithë është e qartë se kjo nënkupton gjetjen e një zgjidhjeje, e cila nisur edhe nga deklaratat e mëhershme të zyrtarëve evropiane nënkupton një rajon të posaçëm”, ka thënë Daçiq, duke nënvizuar se të gjitha këto tema, “do të jenë të pashmangshme në takimin e rradhës”.

Takimi do të mbahet më 17 janar në Bruksel, ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton. (a.v.)
XS
SM
MD
LG