Ndërlidhjet

Kriza e pengjeve në Algjeri


Helikopter Mi-8 që i përket forcës ajrore algjeriane.
Helikopter Mi-8 që i përket forcës ajrore algjeriane.
Ministri i mbrojtjes i Britanisë, Philip Hammond, tha se duket se situata me pengjet në Algjeri ka përfunduar dhe për pasojë ka pasur humbje të tjera të jetëve të njerëzve.

Ministri Hammond vlerësoi se humbja e jetëve është tmerruese dhe e papranueshme. Ai theksoi se “terroristët janë ata që e bartin gjithë përgjegjësinë për këtë”.

Këto komente ai i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me sekretarin amerikan të mbrojtjes, Leon Panetta, në Londër.

Zoti Panetta tha se shumë gjëra mbeten “të paqarta”, por “ne e dimë se janë humbur jetët” e njerëzve.

Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë kërkuar nga Algjeria, që t’i ruajë personat e rrëmbyer, derisa vazhdon gjendja e tensionuar ndërmjet armatës algjeriane dhe militantëve të mbetur në një impiant të gazit natyror në kufirin afër Libisë.

Për këtë çështje është shprehur edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

“Kur unë fola me kryeministrin përsëri këtë mëngjes, kërkova kujdesin më të madh për mbrojtjen e personave të rrëmbyer, algjerianëve dhe personave të jashtëm. Ai e bëri të qartë se operacioni i tyre po vazhdon dhe se situata mbetet e paqartë. Pengjet mbesin në rrezik, por për shkak të sigurisë së tyre nuk do të jap ndonjë detaj tjetër në këtë kohë. Kjo është një situatë jashtëzakonsiht e vështirë dhe e rrezikshme”, tha Hillary Clinton, në Uashington, pasi kishte biseduar përmes telefonit me kryeministrin e Algjerisë, Abdelmalek Sellal.

Ministri i Jashtëm i Japonisë, Fumio Kishida, i cili u paraqit së bashku me zonjën Clinton, pasi është në vizitë në Uashington, tha se Japonia kërkon që “Algjeria ta ketë prioritet kryesor sigurimin e jetës së personave të rrëmbyer”.

Armata e Algjerisë tha se e ka marrë pjesën më të madhe të një impianti të gazit natyror në thellësi të shkretëtirës Sahara, afër kufirit me Libinë, por disa militantë kishin vazhduar t’i mbanin të rrëmbyerit në disa hapësira të kompleksit të gazit.

Mediat shtetërore të Algjerisë thonë se armata i ka vrarë 18 prej 30 rrëmbyesve, sa vlerësohet se janë në kompleks.

Agjencia shtetërore APS ka raportuar se janë vrarë 12 persona të rrëmbyer algjerianë dhe të jashtëm, prejse ka filluar operacioni i shpëtimit, ditën e enjte.

Militantët kanë thënë se numri i personave të rrëmbyer, që janë vrarë, është 35.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se një peng amerikan është vrarë, por nuk janë dhënë detaje të tjera.

Qeveria e Francës, po ashtu, ka njoftuar për vrasjen e një francezi gjatë operacionit të shpëtimit.

Një britanik dhe një algjerian janë vrarë të mërkurën, kur militantët islamikë, të ndërlidhur me al-Kaidën, i kishin zënë dhjetëra persona të jashtëm dhe algjerianë në uzinën e gazit.

Departamenti amerikan i shtetit ka konfirmuar se ndër të rrëmbyerit ende ka amerikanë.

Megjithatë, zëdhënësja Victoria Nuland, nuk ka treguar se sa amerikanë ende mbahen peng dhe nëse ndonjëri është liruar.

Ajo i ka hedhur poshtë sugjerimet nga militantët se ata do t’i lirojnë pengjet në këmbim për mjekun pakistanez, Aafia Sddiqui, dhe Omar Abdel-Rahman, të dënuar në Shtetet e Bashkuara për akuza për terrorizëm.

Militantët kishin kërkuar që francezët të tërhiqeshin nga përfshirja në ofensivën kundër islamistëve në Malin fqinj.

Kryeministri britanik, David Cameron, tha se ai ishte i “pakënaqur”, që Algjeria paraprakisht nuk i kishte informuar qeveritë e tjera për operacionin e shpëtimit.

“Ne nuk ishim të informuar paraprakisht për këtë. Kryeministri i Algjerisë më tregoi derisa ai po zhvillohej. Ai tha se terroristët ishin përpjekur të largoheshin, kështu që autoritetet kishin vlerësuar se jeta e të rrëmbyerve ishte në rrezik të menjëhershëm dhe se kishin ndjerë obligim të përgjigjen”, tha David Cameron.

Ka pasur raporte se edhe Qeveria e Francës nuk ishte paraprakisht e informuar për operacion. (f. b.)
XS
SM
MD
LG