Ndërlidhjet

Shkelen të drejtat e konsumatorëve në Maqedoni


Avokati i Popullit i Maqedonisë, Ixhet Memeti
Avokati i Popullit i Maqedonisë, Ixhet Memeti
Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se të dhënat e këtij institucioni tregojnë se qytetarët gjithnjë e më shumë ankohen si pasojë e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve.

Të dhënat e Avokatit të Popullit tregojnë se shërbimet publike, me theks të veçantë ngrohja qendrore, shërbimet e telekomunikacionit dhe energjia elektrike, janë segmentet, me të cilat shprehen të pakënaqur konsumatorët.

Ata thonë se paguajnë kosto shumë më të lartë kundrejt shërbimeve që u ofrohen.

“Është fakt se jashtëzakonisht është rritur numri i ankesave të qytetarëve pas ndryshimeve që u bënë në rregulloren për furnizim me ngrohje qendrore nga ana e Komisionit Rregullator. Ata ankohen, sepse mendojnë se padrejtësisht janë të detyruar të paguajnë për diçka që nuk e shfrytëzojnë. Jo më pak ankesa ka dhe ndaj korporatës së energjisë elektrike EVN - ankesa këto që kryesisht kanë të bëjnë me faturat e larta. Qytetarët ankohen edhe ndaj taksës për radio difuzion” , thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ixhet Memeti.

Qytetarët shprehen se tani paguajnë fatura dyfish më të larta për ngrohje dhe energji elektrike krahasuar me vitin e kaluar.

“Prej se ndërruan njehsorin e rrymës, paguaj nga 7 mijë denarë (115 euro), kurse përpara paguaja 3 mijë denarë ( 50 euro) në muaj. Nuk e di, është bërë problem - paguaj dyfish më shumë për të njëjtën rrymë të harxhuar”, thotë një qytetar.

Nuk janë të paktë edhe ata të cilët mendojnë se korporatat e mëdha manipulojnë sa i përket shërbimeve të ofruara dhe pagesës.

“Besoj se bëhen hile, te fatura e rrymës, ngrohjes…etj., nuk ka mundësi të harxhojmë aq shumë”, shprehet një tjetër qytetar.

Jeni ankuar?

“Kujt mund t`i ankohemi? S’kemi kujt t`i ankohemi”, vazhdon ai.

Faturat e larta bënë që një pjesë e madhe e amvisërive në Maqedoni të shkyçen nga rrjeti i ngrohjes, por qytetarët ankohen se edhe pas kësaj ata janë të detyruar të paguajnë 10 den për metër katrorë.

“Janë shumë të larta faturat për ngrohje. Madje vinin edhe nga 8 mijë denarë për një muaj, kjo na detyroi të shkyçemi, por është e kotë, sepse edhe më tej paguajmë një pjesë të shumës”, tregon qytetari i tretë.

Pavarësisht rekomandimit të organizatave të ndryshme për mbrojtjen e konsumatorëve nuk janë të pakët edhe ata qytetarë, të cilët nuk e shohin me kujdes kontratën për shërbime të ndryshme, sidomos të telekomunikacionit dhe pastaj nuk kanë mundësi për ankesa.

“Jo s’e shoh, vërtet se shoh kur e marr kontratën, e as nuk e analizoj faturën”, thotë Enisi, edhe pse ankohet që jo rrallëherë nuk ka rrjet interneti në telefonin e tij celular, edhe pse ka paguar për këtë shërbim.

Nga ana tjetër, ekspertët e të drejtave të njeriut, me theks ata për mbrojtjen e konsumatorëve, konstatojnë se në Maqedoni akoma nuk është arritur liberalizim i plotë i tregut të prodhimeve dhe shërbimeve publike, si parakusht themelor për konkurrencë dhe kualitet.

Mirjana Najcevska, eksperte për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, thotë se në këtë drejtim, kur është fjala për të drejtat e konsumatorëve, problem parësor paraqesin moscilësia e zgjidhjeve ligjore, të cilat nuk sigurojnë mbrojtje reale të konsumatorëve, kurse organet rregullatore shpesh është dëshmuar se janë vegël e partive që e përbëjnë qeverinë.

“Çdo qytetar në Maqedoni tashmë është i vetëdijshëm se absolutisht asnjë ligj nuk vlen njëjtë për të gjithë”, thekson Najcevska.

Ajo shton se “ka nevojë për mbindërtimin e kornizës ligjore me qëllim të realizimit pa pengesë dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve si konsumatorë, si dhe përforcimit të kapaciteteve të organeve rregullatore, ku duhet që të gjitha organet dhe institucionet kompetente të ndërmarrin masa dhe aktivitete për sigurimin e prodhimeve dhe shërbimeve cilësore për qytetarët e Maqedonisë”.

Ndryshe, Avokati i Popullit rekomandon që të bëhen përpjekje për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të tregut, me qëllim të mundësimit të konkurrencës në sigurimin e cilësisë së prodhimeve, si dhe shërbimeve publike, duke nënvizuar se është parametër shumë i rëndësishëm rritja e ankesave të qytetarëve të pakënaqur si konsumatorë, veçanërisht ndaj shërbimeve publike. Kjo, sipas tij, flet për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për të drejtat e tyre.
XS
SM
MD
LG