Ndërlidhjet

Doganierët ende transportohen me helikopterë


Pavarësisht se në Bruksel është arritur marrëveshje ndërmjet Pishinës dhe Beogradit në lidhje me çështjen e funksionimit normal të vendkalimeve kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, doganierët kosovarë dhe ata të EULEX-it, vazhdojnë të përballen me vështirësi për qarkullim, nga jugu në veri të vendit.

Për më shumë se një orë në mëngjes, një numër tregtarësh dhe qytetarësh serbë të asaj ane kanë mbajtur të bllokuar rrugën magjistrale Mitrovicë -Zubin Potok, duke kërkuar që të largohen doganierët e Kosovës nga vendkalimi kufitar në Bërnjak. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Blerim Krasniqi, zëdhënës në EULEX.

Sot në mëngjes, rreth orës 7:30, një konvoj i EULEX-it që po udhëtonte për në portën 31, u ndal në hyrje të Zubin Potokut nga një grup i protestuesve, të cilët bllokuan rrugën me kamion. Por, konvoji përdori një rrugë tjetër për të shkuar te porta”, ka thënë Krasniqi, për të shtuar se “stafi i EULEX-it udhëton për në vendkalimet kufitare pa problem, por herë pas here has në barrikada".

Për shkak të këtyre pengesave, doganierët kosovarë vazhdojë të shfrytëzojnë helikopterët e EULEX-it, apo të KFOR-it, për të arritur në vendet e tyre të punës në veri të vendi, përkatesisht në vendkalimet kufitare Jarinë dhe Bernjak.

Përfaqësuesit e Doganës së Kosovës konsiderojnë se me stabilizimin e situatës në veri të Kosovës, do të fillojë edhe transporti në mënyrë tokësore për doganierët kosovarë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht nuk ka kushte dhe siguri që punëtorët e doganave të përdorin transportin rrugor, deri në pikat kufitare në atë pjesë.

Ka disa pengesa dhe besojmë që edhe ato të tejkalohen shumë shpejt. Se kur do të fillojmë me transportin tokësor, kjo varet prej akterëve të tjerë të sigurisë të cilët merren me siguri në atë pjesë”, tha Stavileci.

Pavarësisht protestave të herë pas hershme të serbëve lokalë në veri të vendit, autoritetet kosovare dhe ato serbe e vlerësojnë pozitiv zbatimin e deritashëm të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) në mes të Kosovës e Serbisë.

Stavileci nga Dogana e Kosovës, konsideron se lëvizja e lirë e doganiereve është edhe çështje e politikës.

Besoj se është çështje me shumë politike, se ka frustrime të ndryshme të cilat dogana nuk mundet t’i komentojë. Po, dogana është duke i bërë përpjekjet që në një të ardhme të afërt të fillojë edhe transportin tokësor”, u shpreh Stavileci.

Ndryshe, më 9 dhjetor të viti të kaluar në vendkalimin kufitar në Merdare dhe Jarinë pati nisur zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, që ndryshe njihet edhe si IBM.

Kurse, nga fillimi i këtij viti filloi zbatimi i marrëveshjes edhe me vendkalimet tjerat që lidhin Kosovën me Serbinë.

Zbatimi i marrëveshjes së IBM-së është një obligim i të dyja vendeve dhe garantues i saj është Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG