Ndërlidhjet

Maqedoni: Ndërhyrje nga jashtë për zgjidhje të krizës?!


Mbështetës të opozitës në Shkup...
Mbështetës të opozitës në Shkup...
Opozita maqedonase ka vazhduar protestat kundër, siç thuhet, brutalitetit dhe suspendimit të demokracisë nga pushteti aktual.

Kësaj radhe, protestat janë mbajtur para Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila nga opozita akuzohet për lejimin e dhunës në Kuvend më 24 dhjetor, kur sigurimi i institucionit ligjvënës dhe forca të tjera policore “kanë larguar me dhunë deputetët opozitarë”, për shkak se kundërshtonin miratimin e buxhetit të diskutueshëm për vitin 2013.

“Ky pushtet po refuzon të marrë përgjegjësitë për ngjarjet e 24 dhjetorit në Parlament, ku me dhunë u suspendua demokracia në vend. Pushteti po refuzon dhe nuk po tregon vullnet për kthimin e demokracisë në binarët normalë. Andaj, ne kemi vendosur të intensifikojmë protestat tona, të njohura si marshi kundër shtetit partiako-policor”, ka deklaruar Andrej Petrov, nga Lidhja Social-Demokrate.

Opozita mbetet në qëndrimin se në Kuvend do të kthehet vetëm nëse ai do të ishte në funksion të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat ajo i sheh si zgjidhje të vetme për situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi.

Opozita nuk përjashton edhe mundësinë e kthimit të mandateve nëse pushteti vazhdon të refuzojë kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme.

“Të jeni të bindur se nëse nuk ka dalje nga kriza, edhe kjo do të ndodhë”, është shprehur Petrov, sipas të cilit, të 42 deputetët e opozitës janë të gatshëm të heqin dorë nga mandatet, e që në rast se ndodh, do të detyronin shumicën parlamentare të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Liderët e dy grupimeve politike, kryeministri Nikolla Gruevski dhe udhëheqësi i opozitës, Branko Cërvenkovski, javën e kaluar realizuan takimin e parë, por pa ndonjë rezultat konkret.

Kryeministri Gruevski tha se nuk mund të pranojë ultimatumet e opozitës, e cila, sipas tij, ka vetëm një qëllim - shpëtimin e Cërvenkovskit nga situata në të cilën gjendet.

Por, ky i fundit përsëriti qëndrimin se me Gruevskin mund të bisedojë vetëm për datën e zgjedhjeve, pasi pushteti aktual, sipas kreut të LSDM-së, nuk ka legjitimitet për të vazhduar qeverisjen me vendin.

Në rrethana të këtilla, njohësit e zhvillimeve politike thonë se zgjidhja duhet të kërkohet te ndërhyrja nga jashtë.

“Unë vlerësoj se dy liderët, Gruevski dhe Cërvenkovski, vetë nuk kanë kapacitet dhe dëshirë për ta zgjidhur krizën, prandaj dhe jam pesimist se pa ndonjë format më të gjerë të pjesëmarrësve në takim dhe pa përfshirje të faktorit ndërkombëtar si lehtësues, nuk do të mund të kapërcehet kjo situatë në të cilën ndodhemi”, thotë analisti Naser Zyberi.

Ndërkohë, vazhdon të mbetet enigmë edhe vizita e paparalajmëruar që zhvilloi të mërkurën në Shkup komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fuele.

Askush nuk ka dhënë detaje se për çfarë është biseduar, por, bazuar në një prononcim për Radion Evropa e Lirë të ambasadores së Holandës, Meriet Shurman, duket se përfaqësuesit ndërkombëtarë kërkojnë uljen e tensioneve politike dhe zbardhjen e incidentit në Kuvend, pasi kjo do të reflektohet edhe në procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

“Parimi themelor për fillimin e procesit negociues është që të ketë institucione stabile, të cilat do të garantojnë sundimin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Ajo që ka ndodhur, e rrënon këtë, andaj kjo duhet të përmirësohet. Kjo nuk mund të injorohet nga BE-ja dhe NATO-ja. Mendoj se hapin e parë që duhet ta bëjë lidershipi i vendit, është që të marrë përgjegjësinë dhe të zgjidhë problemin. Pra, dyert e integrimit nuk janë të mbyllura, por gjithçka varet nga autoritetet se si do të ballafaqohen me krizën”, thotë ambasadorja Shurman.
XS
SM
MD
LG