Ndërlidhjet

Independent: Dita Botërore e Kancerit - Dëmet e mishit


Ilustrim
Ilustrim
Sot, në Ditën Botërore të Kancerit, kur ju i shqyrtoni përpjekjet për luftimin e kancerit, fotografia që më së shpeshti ju paraqitet në mendje është etiketa me vërejtje grafike e ngjitur në pakot e cigareve, që shiten në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendet e tjera, që ka ndihmuar në uljen e duhanpirjes dhe shoqërohet me rreziqet për jetë, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, Independent, dhe shton se vërejtje të ngjashme duhet të ngjiten edhe në mish dhe prodhime qumështi, për arsye të njëjta.

Për dallim nga ushqimi i bimëve, që e forcon shëndetin tonë, mishi dhe prodhimet e qumështit i kanë rreziqet e njëjta si duhanpirja, përfshirë rrezikun e shtuar të sulmit, sëmundjet e zemrës dhe kancerit.

Sipas statistikave të Kërkimit të Kancerit, afro 425 mijë raste të kancerit ishin diagnostikuar në gjithë Britaninë e Madhe në vitin 2010, që paraqet vitin e fundit me statistikë komplete, dhe më tepër se 150 mijë britanikë vdiqën nga sëmundja po këtë vit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë është e përkushtuar se faktorët ushqimorë llogariten si shkaktarë për së paku 30% të të gjitha sëmundjeve të kancerit në vendet perëndimore, dhe afro 20% në vendet në zhvillim.

Mishi i përpunuar, siç janë proshuta, salsiçe, sallami dhe të ngjashme, janë fuqishëm të ndërlidhur me kancerin e zorrëve, që është shkaku i dytë më i madh i vdekjeve të kancerit në Britani, që askush nuk duhet asnjëherë të ushqehet me to, sipas një raporti aktual të Fondit Botëror të Kërkimit të Kancerit dhe Institutit Amerikan për Kërkim të Kancerit, të bazuara në rishqyrtimin sistematik të më tepër se 1000 dokumenteve të kancerit të zorrëve të kryera në Kolegjin Suprem Londinez, shkruan Independent.

Vendet me përdorim të lartë të yndyrës, veçanërisht nga kafshët, siç janë mishi dhe prodhimet e qumështit, kanë paraqitje të lartë të kancerit të gjirit. Analizat e të dhënave nga pothuajse 15 mijë mjekë, kanë gjetur se njerëzit që konsumojnë mish të kuq, së paku pesë herë në javë, ballafaqohen me rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të prostatës sesa njerëzit që me mish të kuq ushqehen më pak se një herë në javë.

Studimet e tjera kanë konkluduar se konsumi i mishit mund ta shtojë rrezikun e kancerit të veshkës dhe atij pankreatik.

E përditshmja londineze Independent shkruan se një numër i shpjegimeve ishin avancuar për ndërlidhjen e mishit dhe rrezikut nga kanceri. Në disa raste, mishi ka substanca kancerogjene të formuara gjatë përpunimit ose përgatitjes në kuzhinë.

Përbërja e lartë e yndyrës në mish dhe në prodhimet e qumështit e nxitë prodhimin e hormoneve, që e shton rrezikun e kancerit nga sëmundjet e ndërlidhura me hormone, siç është kanceri i gjirit dhe prostatës.

Nëse ky informacion ju çon juve të mendoni se piruni juaj është “armë e fuqishme”, jeni në binarë të drejtë: ai mund t’iu mbrojë nga kanceri. Çdo gjë varet se si ju zgjidhni ta ngarkoni atë, shkruan Independent.

Ushqimi i bimëve është i pasur me fibra (fije), që e shpejtojnë kalimin e ushqimit nëpër zorrën e trashë, duke i larguar në mënyrë efektive karcinomet dhe duke e ndryshuar tipin e baktereve të pranishme në zorrë, për ta reduktuar prodhimin e acideve karcinome, shkruan Independent.

Vitamina C, një antioksidant që gjendet në frutat agrume dhe në shumë perime, mund ta ulë rrezikun për kancer të ezofagut dhe të barkut, duke i neutralizuar kimikalet që shkaktojnë kancer, të formuara në trup, dhe e bllokojnë shndërrimin e nitrateve në nitrosamine karcinome në bark, shkruan Independent.

Karotenoidet, pigmentet që u japin frutave dhe perimeve ngjyrat e tyre, është treguar se, po ashtu, ndihmon në mbrojtjen kundër kancerit të mushkërive dhe mund ta parandalojnë kancerin e fshikëzes, laringut, ezofagut dhe gjirit.

Perimet, siç janë lakra, brokoli, rrepa, lulelakra, përmbajnë materje që mendohet se kanë aktivitete anti-kancer.

Ushqimi i sojës, të cilin e përdorin shumë persona vegjetarianë, përmban anti-karcinome.

Rezultatet nga dega britanike e studimit të njohur Perspektiva Evropiane e Hetimeve për Kancer dhe Ushqim (EPIC), tregojnë se janë gjetur dallime të mëdha në mes të atyre që ushqehen me mish dhe vegjetarianëve.

Vegjetarianët kanë më pak se gjysma e mesatares së konsumit të acidit të yndyrës së lëngët se sa njerëzit që hanë mish dhe konsum më të lartë të fibrave, vitaminës C dhe E.

Studimet në Angli dhe Gjermani kanë treguar se vegjetarianët janë për afro 40% me më pak gjasë për zhvillimin e kancerit në krahasim me mishngrënësit.

Lënia e duhanpirjes mbetet një mënyrë e rëndësishme për reduktimin e rrezikut nga kanceri, por edhe mos ngrënia e mishit, vezëve, dhe prodhimeve të qumështit, është po ashtu vitale, shkruan në fund të artikullit e përditshmja londineze, Independent.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG