Ndërlidhjet

Agjenda politike dominon agjendën ekonomike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Kosovë agjenda politike vazhdon të dominojë karshi asaj ekonomike, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve.

Takimet ndërmjet bizneseve dhe institucioneve që diskutojnë çështjet ekonomike, sipas bizneseve nuk po arrijnë të mbahen pikërisht për shkak të fokusit të krerëve të institucioneve në politikë.

Këshilli Kombëtarë për Zhvillim Ekonomik në të cilin diskutohen çështjet ekonomike nuk ka mbajtur asnjë takim gjatë muajit janar, pavarësisht marrëveshjes se Këshill duhet të takohet se paku një herë në muaj.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht premtimeve të zyrtarëve qeveritarë se zhvillimi ekonomik do të jetë prioritet në Kosovë, kjo nuk është duke ndodhur.

Për shkak të fokusit në ngjarjet politike në muajin janar nuk ka pasur asnjë mbledhje të këshillit ekonomik, pavarësisht faktit që ka aq shuam gjëra për të diskutuar, ka aq shumë probleme që duhet të adresohen. Natyrisht që një pauzë e tillë e ka penguar zhvillimin e metejëm të dialogut ndërmjet sektorit publik dhe atij privat”, thotë Zeka.

Mirëpo, përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë hedhin poshtë pohimet e përfaqësuesve të biznesit. Mos mbajtjen e takimit të rregullt të Këshillit Kombëtarë për Zhvillim Ekonomik, Berndard Nikaj, këshilltar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e arsyeton me atë se nuk ka pasur diçka përmbajtjesore në agjendën ekonomike.

Arsyeja e mos mbajtjes së takimit të këshillit kombëtarë për zhvillim ekonomik në janar nuk ka të bëjë me agjendën politike, por ka të bëjë me agjendën e këshillit kombëtarë për zhvillim ekonomike. Në dhjetor ne kemi mbajtur dy takime për shkak të agjendës së diskutimit në këshill. Agjenda e diskutimit në këshill ka qenë e ndikuar nga aspektet përmbajtjesore që janë diskutuar në atë këshill”, thekson Nikaj.

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ka për qëllim përmirësimin e ambientit biznesor në Republikën e Kosovës, si dhe zbatimin e masave më efektive në rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit, në harmoni me praktikat më të mira rajonale dhe ndërkombëtare.

Por, që të gjitha këto qëllime të ekonomisë së vendit edhe sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini kanë mbetur nën hije.

AKB konsideron se viti 2013 do të jetë një vit që Kosovës do t’ia merr një pjesë të madhe të bisedimeve me Serbinë, ndryshimet politike që mund të ndodhin, koalicionet, zgjedhjet lokale. Të gjitha këto do të lenë ekonomisë e Kosovës nën hije. Ne kemi paralajmëruar që kjo të mos ndodh, pasi që vetëm ekonomia e nxjerr shtetin nga pakënaqësitë sociale dhe e ngrit standardin e cilësisë së jetës së qytetarit”, shprehet Shahini.

Një çështje tjetër që sipas përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë të bën të mendosh se agjenda politike po e dominon agjendën ekonomike është edhe mos angazhimi i institucionet për zgjedhjen e ministrit të Financave pas dorëheqjes se Bedri Hamza nga ky post.

Sipas Zekës, që nga dorëheqja e tij e deri më tani nuk është bërë asgjë konkrete në proces.

Vazhdimisht dëgjohet nga zyrtarët qeveritarë të institucioneve të vendit ku thuhet se ky do të jetë vitit i cili prioritet do të ketë çështjet ekonomike, por që nuk është kjo. Ne kemi një pozitë vakante të njërës prej ministrive të vendit siç është ministria e Financave që deri më tani në njëfarë mënyre nuk kemi parë asnjë projekt për zëvendësimin e kësaj pozite që për momentin është i lirë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje më 14 janar të këtij viti. Arsyet e dorëheqjes së Hamzës ishin për motive familjare dhe të karrierës personale.
XS
SM
MD
LG