Ndërlidhjet

Interesimi i investitorëve, pa rezultate


Termocentrali "Kosova A"
Termocentrali "Kosova A"
Sektori i energjisë kohëve të fundit ka qenë në fokus të interesimit të investitorëve potencialë ndërkombëtarë.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, anëtare e së cilës Kosova është bërë në fund të vitit që lamë pas, ka deklaruar tashmë se investimet në sektorin e energjisë janë prioritet kyç dhe se po punojnë që së bashku me institucione të tjera, ta rrisin kapacitetin e Kosovës në gjenerimin e energjisë.

Sipas ekspertëve të energjetikës, ky interesim nuk ka munguar edhe në të kaluarën, por Qeverisë së Kosovës i ka munguar një koncept për investime në fushën e energjisë.

Ata e quajnë paradoksale faktin se si ende nuk është arritur që Kosova të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, që nga paslufta.

Ish-ministri i Energjetikës dhe Minierave, Ethem Çeku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se Kosova ka potenciale të mjaftueshme energjetike për të investuar.

Sipas tij, Kosova njihet si njëri nga vendet më të pasura në botë në fushën e minierave, në veçanti në fushën e linjitit.

“Është një paradoks në shoqërinë tonë që ndodh. Një vend i pasur me resurse natyrore që nuk ka arritur të menaxhojë, t’i drejtojë, të investojë në sektorin e energjisë dhe ne sot jemi shndërruar në blerësit më të mëdhenj të energjisë në Kosovë. Dëgjova deklaratën e BERZH-it që dëshiron të investojë sektorin energjetik në Kosovë. Qeveria duhet të ndërtojë një koncept për investime”, thotë Çeku.

Vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri në Kosovë, me të cilin do të përmirësohej gjendja energjetike në Kosovë, ishte marrë në vitin 2005, periudhë kjo kur edhe kanë filluar përgatitjet.

Mirëpo, puna për realizimin e këtij projekti, që konsiderohet kapital, thuhet të jetë neglizhuar vit pas viti.

Eksperti i energjetikës, Çeku, thotë se duhet të gjendet një partneritet me BERZH-in dhe institucionet tjera financiare për të zhvilluar sektorin energjetik. Ai tregon se është një sfidë e madhe para institucioneve të Kosovës për projektet energjetike.

“Në aspektin energjetik ne jemi kthyer shumë prapa dhe kemi një situatë që nuk ka ndonjë optimizëm, pasi që për të ndërtuar një termocentral, nevojiten më së paku 6 deri në 7 vjet”, thekson Çeku.

Termocentrali afër Obiliqit
Termocentrali afër Obiliqit
Në anën tjetër, Nazim Haliti nga Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Energji, thotë se interesimi i investitorëve ndërkombëtarë për sektorin e energjisë nuk ka munguar, por, sipas tij, deri më tani nuk ka asnjë projekt konkret, i cili është realizuar dhe ka ndikuar në zhvillimin e energjisë.

“Ka disa vjet që një kompani gjermane, e cila ka bërë matje të vazhdueshme në kodrat e qytetit të Shtimes, ka ardhur me një projekt përafërsisht 150 megavat prej burimeve të erës, por deri më sot nuk është dhënë përgjigje se pse është zhargitur ai projekt. Në anën tjetër, kemi projektet e Bankës Botërore, të cilat janë përqendruar në potencialet e thëngjillit, që ne e kundërshtojmë si KOSID. Por, deri më tani askush nuk ka filluar me potenciale në praktikë”, shprehet Haliti.

Sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Energji vazhdimisht ka kundërshtuar ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”.

Nazim Haliti thotë se duhet të gjenden burime tjera alternative.

“Ne e kundërshtojnë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’. Ne jemi për burime tjera alternative. Ne mbesim në qëndrimin se para se të diskutohet për termocentralin 'Kosova e re', duhet të shikohen të gjitha potencialet tjera”, përfundon Haliti.
XS
SM
MD
LG