Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligjet miratohen pa opozitën


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë
Që nga fillimi i bojkotit nga ana e opozitës, shumica parlamentare ka miratuar 14 ligje me procedurë të përshpejtuar, përfshirë edhe ligje me rëndësi të veçantë, siç janë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për arsimin e lartë dhe ndryshimi i Ligjit për qeverinë, me të cilin, parashihet që pas mbarimit të mandatit, kryeministri të ketë të drejtën e gjashtë truprojave dhe masa tjera të sigurisë.

Ndërkohë, në procedurë parlamentare ndodhen edhe propozime tjera, në mesin e tyre edhe propozimi për ndryshimin e rregullores për punën e Kuvendit, me çka parashihet kufizimi i fjalimeve dhe i procedurave në komisionet parlamentare.

Propozimet e këtilla, shumica parlamentare i ka arsyetuar me nevojën e rritjes së efikasitetit të Kuvendit, por partitë opozitare thonë se veprimet e këtilla janë antiligjore.

“Rregullorja e Kuvendit është mjet, i cili deputetëve u siguron rregulla fer gjatë debatit politik. Thelbi i rregullores është që të sigurojë debat demokratik në kuadër të Kuvendit dhe me këtë të ruhet demokracia në vend nga keqpërdorimet eventuale të pushtetit ekzekutiv”.

“Pikërisht për këtë, në shoqëritë demokratike ky dokument miratohet me konsenus mes të gjitha partive politike. Kjo është praktikuar edhe në Maqedoni derisa në pushtet nuk është instaluar regjimi i Nikolla Gruevskit”
, tha nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgiev.

Veprimet e shumicës parlamentare janë kritikuar edhe nga ekspertët juridikë.

Demokracia në një vend do të kishte kuptim, vetëm nëse në organin legjislativ do të merrnin pjesë të gjitha partitë politike”, kështu e ka cilësuar miratimin e shumë ligjeve nga shumica parlamentare në mungesë të opozitës, Ruhi Bakiu.

Ai tha se juridikisht ligjet mund të miratohen, por ato nuk mund të kenë vulën e demokracisë, siç shprehet ai.

“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mund të miratojë ligje edhe në këtë mënyrë, pra vetëm me votat e përfaqësuesve të pozitës, mirëpo ligjet e tilla nuk e kanë vulën e demokracisë”.

“Ata do të notojnë në rendin juridik, në rendin shtetëror të Maqedonisë, por pa këtë vulë edhe ligjet e tilla nga qytetarët lirisht mund të konsiderohen si ligje komitësh, ligje partiake, por jo edhe ligje që duhet të rregullojnë marrëdhëniet në shoqëri. Si mund të konsiderohet ligj, ligji për të cilin përfaqësuesi im, për të cilin unë kam votuar, nuk ka qenë prezent që së paku të japë qoftë edhe votën e tij kundër”
, tha Bakiu.

Edhe Zdravko Savevski, profesor universitar, pohoi se intensiteti, me të cilin po miratohen ligjet apo ndryshohen ligjet ekzistues, pa praninë e opozitës, është veprim jodemokratik.

“Në veçanti konsideroj se është problematik paralajmërimi për ndryshimin e rregullores mbi punën e Kuvendit, pasi bëhet fjalë për materie, e cila për nga definicioni nuk guxon të miratohet pa konsensus. Përbërja aktuale parlamentare punon me shpejtësi të madhe në ndryshimin e ligjeve, punon aq shpejt sa që mendoj se shkel aspektet juridike. Askush nuk mund të dijë me saktësi nëse ndonjë nen i ndonjë ligj ende vlen apo jo”, theksoi Savevski.

Sipas ekspertëve, miratimi në këtë formë i ligjeve, pa praninë e opozitës, do të ndërlikojë edhe më shumë punën e Kuvendit, pasi nuk përjashtohet mundësia që pas ndryshimit të përbërjes parlamentare, ndryshimet e miratuara sërish të kthehen në debat për diskutim.
XS
SM
MD
LG