Ndërlidhjet

Miratohet pakoja ligjore kundër korrupsionit, shoqëria civile kundërshton


Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën Ligjin për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë të përfituar me vepër penale.

Shqyrtimi për herë të dytë i këtij Ligji ka qenë edhe pika e parë e seancë së sotme në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniq, ka konstatuar miratimin e këtij ligji nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Me 51 vota për, 33 kundër, 7 abstenime, kuvendi miratoi Ligjin për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë të përfituar me vepër penale”, ka thënë Krasniqi.

Para miratimit të këtij ligji, deputeti Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka theksuar se me gjithë konstatimet se projektligji ka shumë mangësi, atij i është dhënë drita e gjelbër për miratim.

Ky projektligj ka marrë një kohë të gjatë në Komision dhe aty ka pasur debate shumë të mëdha dhe me gjithë konstatimet e shpeshta që ky projektligj nuk plotëson kriteret minimale për të kaluar, në Komision ka kaluar dhe Komisioni i ka dhënë përkrahje amendamenteve 1 dhe 2”.

Por, miratimin e këtij ligji e ka kundërshtuar deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka thënë se Ligji është miratuar në mënyrë të përshpejtuar për shkak se kjo është nevojë e Qeverisë së Kosovës.

Është shumë e rëndësishme që ky Kuvend të miratojë Pakon ligjore kundër korrupsionit, mirëpo hartimi i këtij projektligji në këtë mënyrë, me këtë formë dh me këtë përmbajtje, është amnistim i të gjithë atyre, të cilët janë përgjegjës dhe fajtor për shkallën dhe nivelin e korrupsionit në Kosovë. Pra, e kam fjalën për këtë Qeveri dhe njerëzit që janë të ndërlidhur me të”.

Kryeparlamentari Krasniqi, ka reaguar ndaj deputetes Haxhiu, duke thënë se Ligji nuk është miratuar me procedurë të përshpejtuar.

Sipas Rregullores së punës së Kuvendit, debatet janë kryer edhe në diskutimin në parim edhe në komisione dhe po ju njoftoj se ky ligj nuk miratohet me procedurë të përshpejtuar, për faktin se tash e tre muaj ka ardhur në Kuvend. Do të thotë, procedura e miratimit të ligjit është pa procedura të përshpejtuara”.

Po ashtu në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me 54 vota për, 44 vota kundër dhe dy abstenime, e ka miratuar edhe Strategjinë dhe Planin e veprimit kundër korrupsionit, për periudhën 2013 -2017.

Në anën tjetër, shoqëria civile, ka kundërshtuar sot miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për amnistimin e pasurive të paligjshme si dhe Strategjinë dhe planin anti-korrupsion, në formën se si ato do të nxirren para deputetëve të Kosovës për miratim.

Forumi këshillues për pakon ligjore anti-korrupsion, i cili përbëhet nga një numër organizatash joqeveritare, ka mbajtur një konferencë për medie para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar që ky Ligj dhe kjo Strategji të mos votohen nga Kuvendi i Kosovës.

Admir Salihu nga ky forum, ka theksuar se Ministria e drejtësisë, si sponsoruese e Projektligjit për amnistimin e pasurive të paligjshme nuk i ka përfshirë rekomandimet e shoqërisë civile dhe sipas tij, ky veprim është i qëllimshëm.

Shoqëria civile edhe atëherë edhe sot thotë se ky ligj nuk i plotëson nevojat e shoqërisë kosovare. Mosgatishmëria, qoftë e sponsoruesit – Ministrisë së drejtësisë atëherë, si dhe Kuvendit të Kosovë, tash për t’i përfshi ndryshimet edhe një herë tregon gatishmërinë se institucionet e Kosovës nuk dëshirojnë që ta kemi një ligj, i cili do ta luftonte pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, por, thjeshtë, dëshiron që përmes këtij ligji, ta amnistoj pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme që nga 12 qershori i vitit 1999 e deri më sot”.

Përfaqësuesit e Forumit këshillues për pakon ligjore antikorrupsion, gjithashtu kanë kundërshtuar Pakon ligjore antikorruspision duke theksuar se Strategjia anti-korrupsion është hartuar nga një grup i ngushtë dhe jo nga një grup i të gjithë akterëve që kanë për tu marrë me zbatimin e kësaj strategjie.

Artion Demëhasaj nga Forumi këshillues për pakon ligjore antikorrupsion, theksoi se Strategjisë antikorrupsion i mungon edhe kostoja financiare për realizueshmërinë e saj dhe se në strategji ekzistojnë mospërputhshmëri në mes të objektivave që janë të përcaktuara dhe treguesve të suksesit.

Po e marr vetëm një shembull. Në këtë Strategji, thuhet se Kosova duhet të filloj menjëherë me procedurat e konfiskimit të pasurive të paligjshme. Ndërsa, tek masat, thuhet se duhet të nxirret Ligji për konfiskim të pasurive të paligjshme dhe te treguesit e suksesit thuhet se ky ligj është miratuar dhe kjo objektivë konsiderohet e realizime".

"Ndërsa, ne sot jemi këtu prezent për të diskutuar që edhe Ligji për konfiskim të pasurive nuk është miratuar. Pra, të dy këto dokumente do të votohen bashkërisht. Pra, kjo tregon se objektivat e strategjisë kundër korrupsionit dhe treguesit e suksesit nuk janë në ndër-lidhshmëri ndërmjet veti”.

Ndryshe, përfaqësuesit e Forumi këshillues për pakon ligjore anti-korrupsion, kanë theksuar se konferenca e sotme ka qenë hapi i fundit që ky forum ka mundur të bëj për parandalimin e miratimit të Strategjisë anti-korrupsion si dhe Ligjit për konfiskimin e pasurive.
XS
SM
MD
LG