Ndërlidhjet

Kultura RAE - nga margjinat, në sipërfaqe


"Gipsy Groove"
"Gipsy Groove"
Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, të njohur si komunitetet RAE, kanë një trashëgimi kulturore mjaft të bujshme që nga shekulli XIII, por shpërfaqja e kësaj trashëgimie si dhe kultivimi i kulturës së këtyre komuniteteve, është i paktë, vlerësojnë pjesëtarët.

Një ditë më parë, është paralajmëruar promovimi i një kompakt disku nga grupi muzikor “Gipsy Groove”, me disa këngë në gjuhën e këtyre komuniteteve dhe ky llogaritet të jetë projekti i parë i këtij lloji i realizuar në vitet e pasluftës në Kosovë, me ndihmën e fondacioneve ndërkombëtare dhe mbështetjen e institucioneve vendore.

Bajram Kinolli, i njohur me emrin Kafu, këngëtar i grupit “Gipsy Groove”, vlerëson se mundësi për promovimin e kulturës dhe artit të komuniteteve RAE ka pasur edhe më parë.

Por, sipas tij, problemet ekonomike dhe sociale në Kosovë janë mjaft të mëdha, ndërkohë që ende nuk është arritur një nivel i lartë i tolerancës ndërmjet komuniteteve, në mënyrë që të shkëmbehen përvojat kulturore.

Mendoj se pranimi i një kulture tjetër dhe toleranca për ta pranuar është ende e vogël edhe nga komuniteti shqiptar, por edhe nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Na duhet ta kuptojmë se me fjalën ‘integrim’ nuk do të thotë që t’i duhet të integrohesh, por ti duhet të më pranosh. Brenda saj është toleranca. Unë të pranoj ty ashtu si je".

"Do të thotë, unë nuk dua të vij te ti e të më duhet të bëhem si ti dhe të bëhemi njëjtë. Ajo, është asimilim pastaj. Ti nëse nuk e integron një kulturë tjetër në shoqërinë tënde, normalisht që pastaj do të ketë probleme të këtilla, kultivim të paktë të kulturës, numër të paktë të CD dhe të gjithave. Tërë kohën shtyhemi vetëm në një kënd”, shprehet Kinolli.

Artistët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, megjithatë nuk i fajësojnë institucionet e Kosovës lidhur me, siç thuhet, margjinalizimin e kulturës së këtij komuniteti.

Albumi i "Gipsy Groove"
Albumi i "Gipsy Groove"
Artisti i këtij komuniteti, Bashkim Paçaku, muzikolog dhe shkrimtar, vlerëson se organet relevante qeveritare, siç janë Zyra për komunitete dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, kanë bërë mjaft për promovimin e kulturës së këtij komuniteti.

“Kanë bërë atë të mundshmen për dhënien e grandeve rreth zhvillimeve të aktiviteteve të pjesëtarëve të komunitetit rom. Por, shtrohet pyetja se a janë të mjaftueshme këto grande?"

"Gjithë se si që jo, sepse duke u bazuar në trashëgiminë kulturore, shpirtërore dhe materiale, pothuajse asgjë deri më sot nuk është bërë konkretisht. U janë dhënë donacione OJQ-ve, të cilat kanë punuar për romët. Por, rezultatet e punës së tyre nuk janë evidente, që shihen”, thotë Paçaku.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian tashmë është duke e mbështetur dhe ndihmuar zbatimin e strategjisë RAE, projekt ky i financuar nga BE-ja dhe i përkrahur nga Zyra e Kryeministrit mbi qeverisje të mirë.

Christof Stock, shef i Sektorit të Operacioneve në Zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, thotë se edhe botimi i CD me muzikë rome nga grupi “Gipsy Groove”, është në kuadër të këtij projekti.

Ky projekt, do të thotë, zbatimi i strategjisë RAE, është projekt 1 milionësh i aktivizuar në shumë aspekte, në kulturë, arsim, media e të tjera. Në kuadër të tij ka qenë edhe festivali i kulturës rome në Teatrin Kombëtar, si dhe aktivitete të tjera në nivele komunale”, thekson Stock.

Ndryshe, Kinolli thotë se margjinalizimi i kulturës rome, ashkali dhe egjiptiane nuk ndodh vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Megjithatë, sipas tij, situata në Kosovë, sidomos në aspektin ligjor, është tejet më e favorshme.

Është shumë e margjinalizuar, mendoj në të gjithë Evropën, sepse nuk është vetëm në Kosovë. Ne i kemi ligjet më të mira në Kosovë për komunitetet. Për 14 vjet është bërë një ndryshim goxha i madh. Para 5 vitesh ti nuk ke guxuar madje as në koncerte të këndosh në gjuhën rome".

"Këtë fakt të gjithë e dimë. E tash, del, bën promovim dhe të gjitha. Unë e shoh këtë si një gjë pozitive, sado e vogël që është. Këtu është nisur diçka. Një hap ta bësh, do të thotë se po përpiqesh të shkosh përpara”, bën të ditur Kinolli.

Edhe Paçaku vlerëson se shpërfaqja e vlerave kulturore të komuniteteve RAE, nuk duhet të ndalet vetëm në hapin që e ka ndërmarrë grupi “Gipsy Groove”.

Ky është një hap i mirë, por nuk duhet të ndalemi këtu. Ekziston edhe trashëgimia kulturore, materiale dhe ajo shpirtërore. Konkretisht, mund të themi se në Kosovë mungon një muze, gjegjësisht, një qendër kulturore rome, ku do ti hasnim të gjitha të arriturat letrare, kulturore dhe të mirave materiale dhe shpirtërore. Ajo do të ishte një stacion i kulturës së romëve për tërë Ballkanin, sepse shtetet fqinje të Kosovës këtë e kanë bërë edhe më herët”.

Krijimi i mundësive për kultivimin kulturës dhe vlerave kulturore e artistike të komunitetit rom, shkali dhe egjiptian mbetet si fokus i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, vlerëson shefi i Sektorit të Operacioneve në Zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Stock.

Por, a ka mundur të bëhet më shumë se kaq, deri më tash?

“Unë mendoj se këtë pyetje mund ta bëni në secilin vend dhe do ta kemi të njëjtën përgjigje gjithkund, se ‘po, mundemi të bëjmë më shumë’. Nga ky projekt mund të shoh se kemi pasur bashkëpunim të mirë me qeverinë e Kosovës. Ne do të vazhdojmë ta përkrahin qeverinë, jo vetëm në promovimin e kulturës së këtij komuniteti, por të gjitha komuniteteve”, thekson Stock.

Sidoqoftë, artistët e komuniteteve RAE, kanë theksuar se dokumenti qeveritar për përkrahjen e kulturës së tyre ekziston, por nevojitet një vullnet politik më i fuqishëm për eliminimin e të gjitha paragjykimeve ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, të cilat mbretërojnë dhe kanë mbretëruar deri më tash.


XS
SM
MD
LG