Ndërlidhjet

Fuqitë perëndimore rrisin presionin ndaj Iranit


Irani po përballet me presion në rritje nga fuqitë botërore, pas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara, i cili vë në pah se Republika Islamike ka nisur instalimin e centrifugave të avancuara në uzinën e saj kryesore të pasurimit të uraniumit.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se veprimi i Iranit është “hap provokues”, ndërsa Britania e ka quajtur “shqetësim serioz”.

Rivali rajonal i tij, Izraeli, ka thënë se Irani tani është “më afër se kurrë” materialit të pasuruar për një armë bërthamore.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) ka bërë të ditur se Irani ka nisur instalimin e centrifugave të avancuara në Natanz, të cilat i mundësojnë atij të përshpejtojë pasurimin e uraniumit.

Irani hedh poshtë përpjekjet për krijimin e armës bërthamore.

Përfaqësuesit e tij do të takojnë javën e ardhshme në Kazakistan përfaqësuesit e gjashtë fuqive botërore - Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara - për të diskutuar çështjen bërthamore.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara ka thënë se kjo është hera e parë që instalohen centrifuga më të avancuara se lloji IR-1 në Natanz. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se instalimi i tyre paraqet “përshkallëzim të mëtejshëm” nga Irani.

Është fakt se instalimi i centrifugave të reja të avancuara është përshkallëzim i mëtejshëm dhe shkelje e vazhdueshme e obligimeve të Iranit nën rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Andaj, ky është një hap tjetër provokues”, ka thënë Nuland.

Në Shtëpinë e Bardhë, Jay Carney, zëdhënës i presidentit Barack Obama, ka thënë se Teherani do të përballet me më shumë izolim nëse vazhdon të injorojë kërkesat ndërkombëtare për të ndaluar pasurimin e uraniumit.

“Irani ka një zgjedhje. Nëse dështon të adresojë shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar, ai do të përballet me presion dhe me më shumë izolim. Ajo që kemi thënë, qëndron edhe sot: dritarja do të mbetet e hapur për zgjidhje diplomatike, por ajo dritare nuk do jetë e hapur për kohë të pacaktuar”, ka thënë Carney.

Ai ka shfaqur shpresën se Teherani do të jetë i gatshëm për bisedime “thelbësore” më 26 shkurt në Almati të Kazakistanit.

Raporti i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore thekson se Irani duhet të ketë 167 kg rezerva të uraniumit të pasuruar në 20 për qind – një nivel i afërt me atë që është i nevojshëm për krijimin e armës bërthamore.

Ekspertët thonë se për krijimin e armës së tillë do të ishin të nevojshëm rreth 250 kg uranium të pasuruar në 20 për qind.

Katër raunde të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë dështuar të bindin Iranin për të ndaluar pasurimin. Që nga hyrja në fuqi e sanksioneve, Irani, në fakt, ka zgjeruar aktivitetin e tillë, duke thënë se ka të drejtë në bazë të Traktatit për Mospërhapje Bërthamore.(v.tela)
XS
SM
MD
LG