Ndërlidhjet

Onkologjia pa radioterapi terapeutike


Kosova ballafaqohet me një numër mjaft të madh të të prekurve me kancer, por jo me të dhëna të sakta se sa është numri i përgjithshëm i personave që vuajnë nga kanceri.

Edhe pse Instituti onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ofron radioterapinë për pacientë, problem mbetet radioterapia terapeutike.

Shqiptar Demaçi, kirurg torakal, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky tretman është shumë i rëndësishëm për pacientët që vuajnë nga kanceri.

"Problematikë është radioterapia terapeutike. Ne QKUK zbatohet radioterapia paliative, por është shumë e rëndësishme që pas operacioneve, të bëhet radioterapia terapeutike, meqë pacientët janë duke i shfrytëzuar shërbimet në Shkup, Tiranë dhe në ato private, e që kanë kosto shumë të lartë. Plani është që kjo të realizohet, por duhet një fuqi më e madhe dhe të fokusohemi më tepër për këtë problematikë", thotë Demaçi.

Ndërkaq, drejtori i Institutit onkologjik, Behxhet Osmani, deklaron se edhe pse gjatë ditës rreth 100 pacientë marrin shërbime në këtë intitucion shëndetësor, radioterapia terapeutike nuk ofrohet. Por, sipas Osmanit, ky shërbim do të hyjë në funksion shumë shpejt.

"Në Institutin onkologjik i kemi dy aparate për radioterapi, dhe me kapacitetet e tyre, mund t'i kryejnë deri 200 raste në ditë. Deri tash kemi bërë vetëm radioterapi paliative, ndërkaq sot ka ardhur ekipi dhe janë duke e vendosur ku do të mund të shfrytëzohet aparatura për radioterapi shëruese".

"Tash për tash nuk ofrohet dhe jemi duke e montuar aparaturën, sepse ajo nuk ka lejuar, dhe po presim që të vijë një fizikant nga jashtë javën e ardhshme dhe të funksionalizojë aparaturën për të bërë rrezatime kuruese dhe shpresoj që në fillim të marsit të aktivizohet edhe kjo", shprehet Osmani.

Mirëpo, deri në funksionalizimin e aparaturave, pacientëve u duhet të udhëtojnë jashtë Kosovës që t'i nënshtrohen radioterapisë terapeutike, shërbim i cili, sipas Demaçit, është mjaft i kushtueshëm.

QKUK
QKUK
"Ka numër të madh të pacientëve që e kërkojnë këtë terapi, por ata duhet të shkojnë jashtë Kosovës, për ta kërkuar këtë trajtim. Për shembull për kancer të gjirit, një tretman i tillë arrin deri në 2 mijë euro", sqaron Demaçi.

Përpos mungesës së shërbimeve për pacientët, në Institutin onkologjik mungon edhe stafi i mjaftueshëm i onkologëve.

"Kemi mungesë të onkologëve. Është shpallur konkursi për 3 onkologë, por kam premtime që do të pranohen 8 onkologë dhe 2 fizikantë. Konkursi ka përfunduar dhe pritet që të shpallet lista përfundimtare", bën të ditur Osmani.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja me kancer. Supozohet se në vitin 2020, kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në nivel global.
XS
SM
MD
LG