Ndërlidhjet

Mejë - Përvjetori i dhembjes së madhe


Tubimi i së shtunës në Mejë
Tubimi i së shtunës në Mejë
Në fshatin Mejë të Gjakovës, të shtunën është shënuar Dita Kombëtare e të Pagjeturve, ndërkohë që ende nuk është zbardhur fati i 1750 personave, të cilët ishin zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Shënimi i kësaj dite në fshatin Mejë, përkon me datën e masakrës së madhe ndaj civilëve nga ana e forcave serbe, më 27 prill të vitit 1999, kur nga kolonat e qytetarëve që ishin përndjekur nga shtëpitë e tyre, ishin ndarë 376 civilë shqiptarë, prej moshës 15 deri në 75 vjeç.

Deri më tash, fati i vetëm 18 prej tyre ende nuk është zbardhur, ndërkohë që të tjerët janë gjetur dhe mbetjet mortore të tyre u janë kthyer familjarëve.

Shënimin e 14 vjetorit të masakrës së Mejës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka quajtur “përvjetor i dhembjes së madhe”.

Ajo i ka përkujtuar martirët e Mejës dhe të gjithë Kosovës, duke thënë se ata i mori okupatori të gjallë dhe si të vdekur i largoi, për t’i fshehur gjurmët e krimeve makabre. Presidentja Jahjaga ka thënë se Kosova po shkon drejt një të ardhmeje, ku ngjarjet e tilla të dhembshme më nuk do të përsëriten.

“Sot jemi të lirë, që së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, ta ndërtojmë të tashmen dhe një të ardhme të sigurt, më të mirë për ne dhe për brezat që do të vijnë. Asnjëherë më në trojet tona nuk do të shkelë këmba e okupatorit”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka shtuar se Kosova po e ndërton shtetin e rendit dhe sundimit të ligjit dhe se të gjithë kriminelët, do të dalin para drejtësisë dhe do ta marrin dënimin e merituar.

“Si presidente e vendit, ju them se ne si institucione, me ndihmën edhe të misionit ndërkombëtar, asnjëherë nuk do të ndalemi derisa të gjithë këta kriminelë të mos i nxjerrim para drejtësisë. Nuk ka dhe nuk do të ketë amnisti për ta. Nuk ka vend ku mund të fshihen”, ka porositur Jahjaga.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ka thënë se drejtuesit e vendit kanë borxhe të mëdha ndaj të rënëve në luftë.

“Borxhi që kemi ndaj të rënëve, dëshmorëve dhe martirëve, na obligon ta forcojmë shtetin, na detyron që ta ruajmë lirinë, por edhe të kujdesemi për familjet e tyre”, ka theksuar Lekaj.

Ndërkaq, Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, ka theksuar se informacionet për personat e zhdukur gjatë luftës, e që ende nuk janë gjetur, e kanë adresën në Beograd.

“Informacionet e vërteta i kanë ata që i kanë bërë krimet. Andaj, në faktorin ndërkombëtar e drejtojmë gishtin që të na ndihmojë që të bëjmë trysni mbi institucionet serbe, sepse kemi informata se ende ka varreza në hapësirat e Serbisë”, ka thënë Gjetaj.

Afrim Xhemajli, drejtues i shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur “27 Prilli” në Mejë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se përkujtimi i kësaj dite, për familjarët e personave të vrarë në këtë vend, ishte i rëndë, por megjithatë, ajo që i ngushëllon familjarët, sipas tij, është fakti se numri më i madh i atyre që ishin ekzekutuar në masakrën e Mejës, tashmë janë gjetur dhe mbetjet mortore të tyre u janë kthyer familjarëve.

“Sikur çdo përvjetor tjetër, unë si familjar, por po flas edhe në emër të familjarëve tjerë, është ditë e vështirë, ditë e rëndë, që na i rikujton ngjarjet e hidhura që na kanë ndodhur, masakrën, për të cilën mund të them së për kah numri, është e dyta më e madhja në Ballkan, menjëherë pas Srebrenicës”.

“Dua të ndërlidhem edhe me një gjë. Pavarësisht numrit të madh dhe fatit të hidhur që e kemi pasur me krejt këtë tragjedi, është një fat pak më i mirë që ne kemi ofruar numrin deri në 17 ose 18 njerëz të pagjetur. Pavarësisht, neve si familjarë, mërzia e jonë nuk hiqet asnjëherë”,
është shprehur Xhemajli.


Familjarët: Institucionet duhet të bëjnë më shumë për të pagjeturit

Në anën tjetër, përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur edhe më parë i kanë kritikuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare për angazhim jo të mjaftueshëm lidhur me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, por edhe trajtimin ligjor të familjarëve të tyre.

Haki Kasumi, drejtues i Asociacionit të shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës më shumë kanë dhënë premtime se që kanë bërë diçka konkrete lidhur me çështjen e personave të pagjetur:

“Në njëfarë forme, na kanë bindur se ju mungojnë kompetencat, por ne kësaj do t’ia shtonim se iu mungon edhe gatishmëria dhe përkushtimi, përndryshe, mundësi kanë për të vepruar dhe ndihmuar këta familjarë. Nëse nuk mund t’i gjejnë (të zhdukurit), këta mund ta shtojnë një përkujdesje për kategoritë e qytetarëve, të cilët janë në gjendje jashtëzakonisht të vështirë. Janë në ankth tash e 14 vjet dhe marrin vetëm premtime, ndërsa diçka konkrete nga pushtetarët, këta familjarë nuk kanë marrë deri më tash”.

Kasumi ka theksuar se nga institucionet vendore edhe më parë kanë kërkuar që çështja e personave të pagjetur të shtrohet si temë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk ka ndodhur deri më tash.

“Kemi parashtruar dhe jemi shumë këmbëngulës. Kemi marrë edhe premtime, por nuk po shohim rezultate. Neve na mban shpresa, sepse është kërkesë e drejtë dhe si e tillë, ajo do të shtrohet për bisedim në nivelin e Bashkimit Evropian, ku po zhvillohen bisedimet dhe prej të cilave, sigurisht, do të rrjedhin informata, për këtë plagë të hapur të qytetarëve, që tash e 14 vjet, në ankth presin informacion për atë se çka u ndodhi dhe ku janë eshtrat, së paku, të familjarëve të tyre”, ka shtuar Kasumi.

Në Ditën Kombëtare për të Pagjeturit në Kosovë, shefi i EULEX-it, Bernard Borhard, ka bërë një deklaratë, duke thënë se ende mbetet shumë punë për t’u bërë dhe EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë Departamentin e Mjekësisë Ligjore në përpjekjet e tij për përcaktimin e fatit të atyre që ende janë të pagjetur.

Ndryshe, misioni i EULEX-it ka bërë të ditur se ka filluar zyrtarisht hetimet për një numër të dyshuarish për masakrën e Mejës, të kryer nga forcat serbe në pranverën e vitit 1999, ndonëse ende nuk ka ndonjë aktakuzë për këtë rast.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur kanë theksuar se ka qenë koha e fundit që EULEX-i të ndërmarrë masat dhe veprimet e nevojshme lidhur me këtë çështje dhe se njoftimet që vijnë nga ky mision, ua zgjojnë shpresat këtyre familjarëve se drejtësia në një mënyrë do të triumfojë.
XS
SM
MD
LG