Rajoni

Serbia në Ditën e Evropës

Flamujt e shteteve të BE-së

09.05.2008

Serbia ka shënuar Ditën e Evropës pak para zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Qeveria e Serbisë ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por jo unanimisht. Hulumtimet tregojnë një ngritje të vullnetit të serbëve për integrim.


Dita e Evropës është shënuar në Serbi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Organizatat joqeveritare kanë organizuar manifestime dhe marshe kundër fashizmit, pasi që, sipas tyre, organizata të ndryshme neonaciste kanë shtrirë veprimtarinë e tyre nëpër Serbi.

Megjithatë, jo të gjitha partitë politike kanë qenë të kënaqura me nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian dhe kjo ka qenë një nga pikat më të ashpra dhe akuzat për tradhti gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e së dielës.

Qeveria e Serbisë ka ratifikuar marrëveshjen, por pa pjesëmarrjen e kryeministrit aktual, Vojisllav Koshtunica, dhe ministrave që i takojnë këtij grupi.

Presidenti Boris Tadiq dhe zëvendëskryeministri Bozhidar Gjelliq kanë marrë kërcënime për tradhti të kombit kohë më parë.

Gjithsesi, afrimi praktik i Bashkimit Evropian ka ndikuar te qytetarët e Serbisë.

Bojana Popoviq, nga Lëvizja Evropiane e Serbisë, thotë se që nga janari, ka ndryshuar disa herë opinioni publik. Por, hulumtimet e fundit pas nënshkrimit tregojnë një vullnet të serbëve për integrim.

“Si do të ndikojë Marrëveshja e Stabilizim Asociimit në ekonominë e Serbisë, pozitivisht apo negativisht, në të ardhmen e Serbisë, në të anketuarit dhe në familjen e tyre, kanë qenë pyetjet kryesore të hulumtimeve të fundit”.

“Mbi 50 për qind janë përgjigjur pozitivisht, kurse mbi 80 për qind kanë qenë të informuar se marrëveshja është nënshkruar, ndërsa 83 për qind të qytetarëve janë pro hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian”, thotë Popoviq për Radion Evropa e Lirë.

Partitë politike që kanë kundërshtuar marrëveshjen kanë thënë se me këtë rast është nënshkruar pavarësia e Kosovës.

Jelena Milliq, drejtuese e qendrës për studime euroatlantike, thotë se Serbia do të duhej ta presë me dy kuptime Ditën e Evropës, pasi që dikur ka qenë në anën e duhur, në luftërat botërore, kurse tani ka humbur kompasin e sistemit të vlerave.

“Natyrisht që edhe në vendin e Bashkimit Evropian ekzistojnë grupet neonaciste, por ato janë në margjinat e shoqërisë dhe ekziston një trend gjykimi mbi ta. Dallimi në Serbi është se këtu, këto organizata janë formacione para-partiake dhe partitë që janë në Kuvend, kanë qëndrime të ngjashme për shumë gjëra”.

“Këto janë të gjitha metoda të rrezikshme të sjelljes dhe tërë këto organizata janë një fuqi baruti. Kjo ndikon shumë, pasi ka shumë refugjatë dhe njerëz që nuk e kuptojnë politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe kanë qenë të shfaqur ndaj një indokrine se bëhet fjalë për një komplot botëror anti-serb dhe se ata për asgjë s’janë fajtorë”, mendon Milliq.

Suzana Gjorgjeviq, nga Nisma Qytetare e Serbisë, pas një mitingu në kryeqytetin serb, ka thënë se nuk duhet harruar ato që ka shkaktuar fashizmi dhe nuk duhet pajtuar me veprime të tilla.

“Mendoj se në Serbi nuk flitet mjaftueshëm për këto gjëra, nuk flitet mjaftueshëm për fashizmin. Ky aksion ka për qëllim të promovojmë vlerat evropiane dhe të tregojmë drejtimin në të cilin duhet të lëvizim”, ka thënë Gjorgjeviq.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, 17 vende të Bashkimit Evropian kanë hequr pagesat për viza për Serbinë.

Ndërkohë që gjatë vizitës së fundit të nënkryetarit të Komisionit Evropian, Zhak Barro, është premtuar liberalizimi i vizave.

Por, Kuvendi i ri i Serbisë do të ketë për detyrë të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
 
 
A dëshironi të bëni koment rreth këtij materiali?
Emri *
Lokacioni
E-mail
Koment *
Para dërgimit të komentit ju lutemi t'i lexoni udhëzimet

Komentet 1 (nga 1)
Nga : HAMZA HATIKA Prej : ALBANIA
10.05.2008 22:15

Nje mur i ri ne Evrope?
Kjo pritet te zgjidhet neser nga 6.5 milione votusit serb ne zgjedhjet parlamentare. Dhe dilema e perendimit me te nacionalizmit tashme te lodhur dhe vetem nostalgjik, duket sae do te mbaje frymen tek kutite te votimit. Nderkohe qe NATO, kerkon te instaloje ombrellen Evropiane per mbrojten kunder raketave balisetike, Rusia per here te pare ne paraden e saj me rastin e 9 Majit kerciti dhembet. Nderkohe qe Qiproja po freskohet me nje akullore, Kosova dhe Serbia duket se po ftohen megjithe ardhjen e beharit. Dilema e nje qytetari serb eshte Evrope, levozje e lire, apo shtrim te metejshem te tentakulave Ruse mbi industrine naftes dhe te gazit tashme e dorezuar perfundimisht tek Vellai i madh? Kjo me saduket eshte edhe fatura me e madhe qe te ashtuquajturit nacionaliste paguan me miopine dhe euforine e nje nate dimri kur firmosen varesine dhe pushtimin ekonomik tek Rusia.Por, a do te mund te ndikoje MSA-ja dhe ofrimi i 17 vendeve te BE-se per liberalizim te vizash? Le te presim te dielen ku dielli do te ndricoje heret ne mengjes per kedo, e per me teper edhe kokat e ftohta ne dreke, e ne fund te ftohtat priten te freskohen per te vendosur moa kthimin pas te nje kombi qe refren te dites prej 20 vjetesh ka luften e iniciuar nga Miloshevici! Nderkohe qe kancelarite jane ne pritje te kartes qe do te hedhin ne tregun e politikes me prapavije te forte ekonomike, ku nje ktgim pas do te vononmte lehtesite e perendimit per te shkarkuar investimet ne vendin dikur krenari e Ballkanit, tashme gjahu i te dyja kampeve te cilat duket se i kane mire llogaritur ne cdo situate prapavijat per regresin, apo progresin qe do te vendoset ne 11 Maj.

Komentet 1 (nga 1)
Shpërndaje:
Del.icio.us Google Bookmarks