Lajmet

Një i vrarë dhe disa të plagosur në Maqedoni

Shkupi

01.06.2008
Isuf Kadriu

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni janë përcjellë me disa incidente, të cilat lanë të vrarë një person dhe disa të tjerë të plagosur. BDI thotë se i vrari është mbështetës i kësaj partie. Incidentet kanë ndodhur në Shkup, Tetovë e Gostivar.


Një i vrarë, shumë persona të plagosur, mbushje të kutive dhe ndërprerje të procesit votues është bilanci i procesit të sotëm zgjedhor në Maqedoni.

Në Haraçinë të Shkupit, nga plagët e marra nga armët e zjarrit, ka vdekur një shqiptar, Naser Ajvazi ,40 vjeç, kurse disa të tjerë janë plagosur në përleshjet me policinë.

Incidente të rënda kanë ndodhur edhe në Çair, ku gjithashtu ka pasur të plagosur. Të gjitha këto incidente janë konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Dy incidentet më të mëdha kanë ndodhur në rajonin e Shkupit, njëri prej të cilëve në Haraçinë, ku policia ka shkuar pas ftesës së organeve policore në këtë fshat, për të ndaluar gjashtë persona, të cilët kishin shkuar në një fshat për të protestuar, për shkak se një personi të grupit nuk iu lejua të votojë për tërë familjen”.

“Ky grup më pas i ka zënë pritën policisë dhe në përleshjet me policinë, njëri prej tyre edhe ka vdekur nga plagët e marra, ndërsa policia ka arrestuar 9 persona. Sa i përket rastit të Çairit, bëhet fjalë për sulm të një grupi të armatosur ndaj policisë, ku gjithashtu pati të plagosur edhe kalimtarë të rastit apo persona që prisnin për të votuar”, tha zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski.

Incidenti në Haraçinë bëri që Komisioni Shtetëror Zgjedhor të marrë vendim për anulimin e votimit në këtë zonë, ndërkohë që për shkak të incidenteve, votimet janë ndërprerë edhe në disa vendvotime tjera në Shkup, Tetovë e Gostivar. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 13, në votime kanë dalë rreth 28 për qind e trupit votues, që numëron rreth 1 milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Bashkimi Demokratik për Integrim për të gjitha incidentet ka akuzuar policinë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se në shënjestër të policisë ka qenë edhe selia e kësaj partie në Shkup.

“Gjendja në Shkup është shumë alarmante, sikurse edhe në qytetin e Tetovës, në Komunën e Bogovinës. Të shoqëruar edhe nga njësiti policor, Alfat - grupe kriminale -, po terrorizojnë popullatën. Në Shkup është sulmuar selia e Bashkimit Demokratik për Integrim, me ç’rast ka edhe të plagosur. Në Komunën e Haraçinës gjithashtu ka të plagosur dhe gjendja vërtetë është alarmante”.

“Po përpiqemi të menaxhojmë situatën, mirëpo po përballemi me struktura paralele që ushtrojnë dhunë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Situata është aq e ngarkuar, saqë është e vështirë të përshkruhen të gjitha veprimet vandale që po ndodhin në disa vendvotime”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke bërë për gjithçka fajtor PDSH-në dhe policinë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PDSH-së, Ernad Fejzullahu, hodhi poshtë pretendimet e BDI-së.

“BDI-ja e realizoi atë që e paralajmëroi për incidente brenda shqiptarëve. Ne kemi regjistruar disa incidente në Shkup, ku bandat e Ali Ahmetit sulmuan policinë dhe aktivistët e PDSH-së me armë të rënda. Kjo është një nervozë shumë e madhe që i shkakton dëm jo vetëm demokracisë, por edhe imazhit të shqiptarëve. Ne po bëjmë përpjekje maksimale për qetësimin e situatës, por e gjithë kjo mendoj se bëhet për shkak të epërsisë së madhe të PDSH-së dhe kjo shkakton nervozizëm tek zoti Ahmeti”, tha Ernad Fejzullahu.

Ndërkohë, për incidentet që kanë ndodhur në Komunën e Çairit flasin edhe disa banorë shqiptarë, të cilët ishin dëshmitarë të incidenteve.

“Krisën pistoletat dhe pushkët automatike. Ne ishim brenda dhe kur dolëm pamë policët. Na thoshin ‘mbyllni derën’. Ja duket edhe plumbi në mur, kjo është mizërie”, thotë një banor shqiptar, ndërsa një tjetër thekson: ”E mora shoqen për të dalë për të votuar, por rrugës më thanë mos dilni se policia po vret njerëz edhe gruan e ktheva. Unë dua të votoj, por me polici nuk votohet, jam shumë i brengosur”, tha banori shqiptar i Çairit.

Rreth incidenteve është prononcuar edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë, Branko Cërvenkovski.

“Për fat të keq, që nga mëngjesi kemi informacione për incidente serioze, në të cilat ka pasur dhunë dhe përdorim te armëve, shumë vendvotime të mbyllura. Me vjen keq për gjithë këtë dhe mbetem me shpresë që e tërë kjo do të përfundojë dhe ta mbyllim ditën ashti siç duhet”, tha presidenti Cërvenkovski, duke shtuar se me rëndësi të madhe është që zgjedhjet të zhvillohen në atmosferë demokratike.

Zgjedhjet po vëzhgohen nga rreth 6 mijë vëzhgues të vendit dhe të huaj. Përfaqësuesit ndërkombëtarë në vazhdimësi kanë apeluar për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke thënë se mbarëvajtja e tyre është kushti kryesor për integrimin e vendit në NATO dhe BE.


 
 
A dëshironi të bëni koment rreth këtij materiali?
Emri *
Lokacioni
E-mail
Koment *
Para dërgimit të komentit ju lutemi t'i lexoni udhëzimet

Komentet 1-5 (nga 5)
Nga : gani.nuha Prej : düssldorf
01.06.2008 22:38

Esht vertet TURP se per karrier te disa (KARRIERISTA)po vriten bijet epopullit ton,nga dora mizore e barbaris maqedone,ata mezi po presin.mblidheni mendjen oju politikaj,se ende asht i fresket gjaku I(DESHMORVE TAN NGA TE GJITHA TREVAT SHQIPTAREV JU PO BAHI TURPI I POPULLIT TON:Lutja ime ma mir tmos dilet ne vota te votohen kta politikaj qe i qelloin vetem karrikat e popullin dhe te drejtat e tyre ikan lan anash,mjerisht jemi msu qe sundusit te na sundoin poi shkoim per shtati edhe ksaj radhe.(GANI NUHA ISH USHTAR I UCK EDHE BASHKPUNTOR I ALI AHMETIT NGA FERIZAJI:


Nga : Izet baraliu Prej : Njujork
01.06.2008 22:14

Nje deklerate e pak diteve me pare e Menduh Thaqit se lufta e UCK-se,nuk ka pasur per qellim realizimin e te drejtave te shqiptareve ne Maqedoni por rrembimin e pushtetit /te Arberit e Menduhit/ dhe, kjo e fundit se "bandat e Ali Ahmetit jane konfrontuar me policine e shtetit "shum demokratik" sllavo-maqedon,deshmojne me se miri punen e ndyer e tradhetare e, per pasoje, demin qe i sjelle ceshtjes kombetare kjo figure njeriu vetm e vetem qe te jete ne pushtet madje edhe duke ju bere sherbimin me te mire carqeve maqedonosllave.


Nga : Samiu Prej : kanada
01.06.2008 21:54

Eshte per te ardhur keq kur ndegjojm se ende ne shqiptaret vritemi neper zgjedhje, sa mire do te ishte qe BDI dhe PDSH te bahen bashk e te luftoj per te drejtat e te gjith shqiptarve ne Maqedoni,e jo te luftojn vetem per interese partiake,Zoti i Madhruar Bashkoj zemrat e te gjith shqiptarve.


Nga : xhevat Prej : tetova
01.06.2008 18:50

une kisha bej thirje ali ahmet menduh thaqi te distacohet nga dhuna shqiptar nuk kan nevoje te vriten mes vet te jen zgjedhjet te lire fer demokratike


Nga : xhimeri Prej : USA
01.06.2008 18:46

Ende jemi shume larg nga demokracia e vendeve Perendimore.Se jeta e nje personi eshte me e vlefshme se fitorja e PDSH-se apo e BDI-se. Por kjo ndodhe te ne te Shqiptaret dhe te shtetet e Afrikes.

Komentet 1-5 (nga 5)
Shpërndaje:
Blogmarks Digg Facebook Google Bookmarks MySpace Yahoo Bookmarks Yahoo MyWeb