Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, përmblodhi përparimet e samitit treditor në vlerësimin se është shënuar sukses në të gjitha temat e rëndësishme, të përcaktuara për diskutim.
"Synimi ynë ishte të shënojmë përparim në pesë fusha vendimtare: luftimin e ndryshimeve klimatike, forcimin e përkushtimit tonë në marrëveshjen e Dohas, luftimin e sëmundjeve në Afrikë, të sigurohemi se vendet e G 8-ës janë të përgjegjshme për angazhimet që marrin dhe adresimin e sfidave nga çmimet e larta të ushqimit dhe të energjisë. Jam i kënaqur të raportoj se kemi shënuar sukses në të gjitha këto çështje", tha Bush.
Samiti, megjithatë, mund të mbahet mend më së tepërmi për një fakt - atë se liderët e vendeve më të fuqishme më në fund dolën me qëndrim unik rreth reduktimit të gazrave që ndotin mjedisin.
Përcaktimi "50 për qind më pak deri më 2050" shënon herën e parë që Uashingtoni mbështet një qëllim afatgjatë për reduktimin e emetimit të tyre. Si i tillë, paraqet ndryshim dramatik për presidentin Bush, i cili për një kohë të gjatë e kishte nënvlerësuar rrezikun nga ngrohja globale.
Dallimet ndërmjet vendeve anëtare të G 8-ës, sidoqoftë, ende janë prezente. Çështje e pazgjidhur është mënyra e matjes së 50 përqindëshit të caktuar. Në anën tjetër, liderët evropianë vazhdojnë të favorizojnë afate më të shkurtra, sesa partnerët tjerë në G 8.
Me gjithë këto dallime, vendimi është shumë i rëndësishëm edhe për faktin se synon që vendet më të zhvilluara të jenë pjesë e marrëveshjes globale për klimën. Kina dhe India do të duhet të pranojnë reduktimet, në rast se edhe Shtetet e Bashkuara e bëjnë këtë.
Të tria këto vende më herët kanë refuzuar këtë angazhim. Tani ato, si dhe Brazili, Meksika dhe Afrika e Jugut, janë zotuar se do të punojnë në drejtim të synimit global.
Shumë vëzhgues tani shpresojnë se ky është momentum i ri në negociata, pas viteve të problemeve me Protokolin e Kiotos.
Presidenti rus iu bashkua kësaj shprese.
"Vendet e kuptojnë rrezikun nga procesi i tanishëm klimatik dhe ato po fillojnë të kalojnë nga diskutimet e përgjithshme në adresimin konkret të kësaj çështjeje. Kjo lëmi tani nuk e lë indiferent askënd", tha Medvedev.
Në samitin e G 8-ës u diskutua edhe për rritjen e çmimeve të energjisë dhe të ushqimit. Liderët thanë se janë të përcaktuar që të vazhdojnë me hapat e përshtatshëm, për të siguruar stabilitet dhe rritje ekonomike në nivel global. Por, në deklaratë nuk u specifikuan këta hapa.
Kriza në Zimbabve ishte një çështje tjetër për të cilën G 8-a tha se "nuk pranon legjitimitetin e asnjë qeverie që nuk reflekton vullnetin e popullit të Zimbabvesë".
Liderët e G 8-ës gjithashtu premtuan të ndërmarrin "hapa të mëtejshëm", përfshirë masat financiare, "kundër përgjegjësve për dhunën në Zimbabve".