Ndërlidhjet

DISKRIMINIMI I GRUAS NË PUNËSIM


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Arjeta Rexhaj, udhëheqëse e Qendrës për Hulumtime dhe Studime Gjinore pohon se gruaja në Kosovë ështëe diskriminuar në aspektin politik social dhe ekonomik. Ajo thotë se diskriminimi i gruas në Kosovë fillon me shpalljen e konkurseve, duke kërkuar një moshë të caktuar për kandidatët potencialë.

"Konkurset me dashje apo pa dashje po krijojnë rrymë diskriminimi, i cili bëhet mbi targetin moshë dhe mbi targetin gjini. Edhe nëse konkurset kërkojnë femra, kërkojnë një moshë të caktuar dhe kërkojnë që të ketë një biografi dhe një historik, që ajo të ketë mundësi lëvizjeje, qarkullimi, një orar pune dhe gjëra të tjera", thotë zonja Rexhaj.

NJë gjë të tillë e ka përjetuar dhe Mërgime Kumnova, 45 vjeçe nga Mitrovica. Ajo më herët ka punuar si juriste për përfaqësimin në Gjykatën komunale, që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës. Ndërkaq që prej përfundimit të luftës zonja Kumnova thotë se ka konkuruar në të gjitha konkurset e shpallura për profesionin e vet në Prishtinë.

"Këta kërkojnë të rejat, nuk kërkojnë moshën time, edhe pse në këtë profesion unë kam përvojën e punës. Kam konkuruar në të gjitha departamentet, por duket se ka persona të tjerë që kanë patur një biografi më të pasur sesa unë,që kam aplikuar për t'u punësuar në profesionin tim, por nuk kam patur rast", tha zonja Kumnova.

Nadije Bajrami ka punuar si mësimdhënëse në shkollën fillore {Pjetër Bogdani{ në Prishtinë. Gjatë 20 viteve të punës ajo thotë se ka parë shumë elemente të diskriminimit të femrave në vendet e tyre të punës.

"Ka diskriminim të femrave, por aq më tepër po bëhet punësimi i femrave në ato vende ku kanë të afërmit e tyre. Në qoftëse nuk ke dikë të afërt në atë vend, atëhere nuk ke shanc me u punësu", thotë zonja Bajrami.

Diskriminimi i gruas në vendet e tyre të punës, punësimi në baza familjare, dhe që burrat gjithmonë të udhëheqin pozitat e larta, ka ndikuar që gratë gradualisht ta humbin guximin për të konkuruar për punësim, thotë Arjeta Rexhaj, nga Qendra për Hulumtime dhe Studime Gjinore. Sipas saj kjo ka bërë që gruaja tani të diskriminojë vetveten.

"Vetë gratë duhet të marin iniciativa, të krijojnë lista, të fillojnë iniciativa të ndryshme lobuese që çështjet e tyre të vijnë dhe të ngrihen deri tek zyrët e punëve. Përndryshe është shumë vështirë dhe ne mbetemi për një kohë të gjatë duke thënë që Kosova nuk ka vende pune, ka diskriminim, krijohet mendimi tek gruaja që atë nuk e pranon askush", thotë zonja Rexhaj.

Pikërisht për këtë arsye Rrjeti i Gruas Sindikaliste të Kosovës ka filluar një fushatë njëvjeçare për ndalimin e diskriminimit ndaj grave në vendet e tyre të punës.

Shukrie Rexhepi, kryetare e këtij rrjeti thotë se kjo fushatë pason hulumtimin që është bërë në institucionet private dhe publike, ku është vërejtur se diskriminimi i grave në vendet e tyre të punës është shumë i pranishëm.

"Boshti i anketave na kujton se ka diskriminim të grave në vendet e punës, mirëpo disa guxojnë të flasin, disa nuk guxojnë të flasin," thotë zonja Rexhepi.

Sidoqoftë, sipas hulumtimit të Rrjetit të Gruas Sindikaliste të Kosovës, diskriminimi i gruas shfaqet kryesisht për shkak të pushimit të lehonisë, faktor ky që ndikon që gratë të mos pranohen në punë veçanërisht në sektorin privat.
Por fakti më shqetësues në këtë hulumtim sipas zonjës Rexhepi, është diskriminimi që bëhet në raport me shfrytëzimin e gruas për qëllime seksuale.

XS
SM
MD
LG