E martë, shtator 23, 2014 Kosova 12:20

Kronika

MUNGESA E STATUSIT PENGESË PËR ZBATIMIN E REFORMAVE TË BOLONJËS NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS

Albana Isufi, Prishtinë

Universiteti i Prishtinës po hyn në vitin e katërt që kur thotë se ka filluar të punojë me reformat, që janë në përputhje me Deklaratën e Bolonjës. Por një gjë e tillë, sipas shumë studentëve, nuk është vërejtur shumë edhe në praktikë.
"Reforma ka patur por kryesisht këto dy vitet e fundit, mirëpo nuk janë reforma aq të mëdha, siç i kemi pritur ne, por përsëri mundem të them që ka përparime", thotë Faruk Ferataj, student.
Arbër Çollaku, student i Fakultetit Filozofik, mendon se Universiteti është në rrugë të mbarë në zbatimin e reformave.
“Çdo gjë është në rregull për mua si person dhe nuk kam vërejtje për reformat që po zbatohen".
Por, Ajshe Mehmeti, që studion letërsi shqipe, nuk është shumë e kënaqur me modelin mësimor që zbatohet në Universitetin e Prishtinës.
“Profesorët që janë më të rinj në moshë, normalisht që i kanë përfillur dhe janë munduar, ndërsa ata që janë më të vjetër thjesht nuk dëgjojnë, nuk duan ta dëgjojnë fjalën reformë. Janë më shumë të interesuar të kryejnë provimet".
Prorektori i Universitetit të Prishtinës Haxhi Ferati, pranon se jo të gjitha fakultetet kanë mundur të zbatojnë në mënyrë të plotë reformat, që kërkohen nga Deklarata e Bolonjës.
“Mendoj se të gjitha fakultetet nuk kanë mundur me siguri të zbatojnë në mënyrë të plotë planet e studimit, të cila kërkojnë edhe më tutje një përsosje, një përshtatje konform standardeve të Marrëveshjes së Bolonjës, sidomos kredive etj. Na mbetet që në të ardhmen të punojmë edhe njëherë në drejtim të rishqyrtimit të planit të studimeve".
Ndërkohë drejtori i departamentit për arsimin e lartë në Ministrinë e Arsimit, Xhavit Rexha, pohon se për nënshkrimin e marrëveshjes, tashmë nuk është problem vetëm plotësimi i kritereve, por dhe vetë statusi i pazgjidhur politik i Kosovës.
"Mund të ndodhë që problem për nënshkrimin nga ana jonë të këtij procesi të Bolonjës, pra të Deklaratës së Bolonjës, është pengesa si rrjedhojë e statusit të pazgjidhur politik të Kosovës. Për rrjedhojë nuk jam i sigurt që do ta nënshkruajmë në maj të këtij viti këtë deklaratë."
Në anën tjetër, megjithë problemet që ka arsimi i lartë në Kosovë, Ministria e Arsimit dhe Rektorati edhe më tej vazhdojnë të kenë raporte të ngrira.
Ministria e Arsimit vazhdon të mos i njohë drejtuesit e Rektoratit, të dalë nga zgjedhjet e fundit. Sërish Xhavit Rexha:
"Ministria e Arsimit nuk pranon një udhëheqje të instaluar në mënyrë të paligjshme në rektoratin e Universitetit të Prishtinës".
Në anën tjetër, prorektori Haxhi Ferati, shpreson në normalizimin e shpejtë të raporteve.
“Shpresojmë që vërtet të shkohet drejt një normalizimi të përgjithshëm të raporteve në mes Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit".
Ministria e mëhershme e Arsimit, e udhëhequr nga Rexhep Osmani, i pati quajtur ilegale zgjedhjet në Rektorat. Mirëpo, përmes një vendimi Gjykata Supreme i ka pranuar këto zgjedhje, nga të cilat Arsim Bajrami u zgjodh rektor.