E enjte, korrik 31, 2014 Kosova 05:19

Aktuale

PËRFUNDUAN VOTIMET NË SHQIPËRI

Alma Çupi, Tiranë

Në orën 20 të mbrëmjes së sotme u mbyllën të gjitha qendrat e votimit në Shqipëri. Për shkak të numrit të madh të votuesve në disa qendra votimi, Komisioni QZ vendosi që ato të mos mbyllen, derisa të gjithë shqiptarët të votojnë. Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve votuan ditën e sotme 1 milion e 600 shqiptarë, nga 2.8 milionë të regjistruar. Kjo shifër konsiderohet shumë pozitive krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Madje dhe vetë vëzhguesit ndërkombëtarë kanë deklaruar se pjesëmarrja në votime është mjaft e pëlqyeshme.
Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, në një takim që pati me presidentin Alfred Moisiu, tha se kishte konstatuar që votuesit kujdeseshin për votën e tyre, që do të thotë se çdokush në vend, ka të drejtën për të votuar votën.
Por ndërsa ndërkombëtarët shprehen për heshtje zgjedhore dhe respektim të votës, liderët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, dy partive më të mëdha në Shqipëri, kanë deklaruar fitoren gjatë gjithë orëve të pasdites, kur ende votimi vazhdonte dhe votat nuk ishin numëruar.
Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi, i quajti të jashtëligjshme dhe jo morale deklarimet e liderave të partive kryesore PS dhe PD për fitore.
Sipas Celibashit rezultati sot nuk është në dorë të politikanëve, por të qytetarëve.
"Është e palejueshme ajo, çfarë kanë bërë dy drejtuesit e lartë politikë. Rezultati i zgjedhjeve del ditën e nesërme dhe çdo koment që bëhet për rezultatin e zgjedhjeve është abuziv, është i dënueshëm. Në qoftë se dikush ka vendosur që të luajë me fatin e procesit zgjedhor dhe më tej me fatin e vendit, besoj që e ka mjaft gabim."
Presidenti Moisiu tërhoqi vemendjen për manifestimet që po bëjnë forcat politike të cilat festojnë fitoren. Sipas presidentit këto festime të parakohëshme pa numërimin e votave cënojnë procesin zgjedhor.
"Ftoj publikisht partitë politike, kandidatët dhe përkrahësit e tyre që të mos ndërmarrin aktivitete që festojnë rezultatet para përfundimit të procesit të numërimit dhe daljes zyrtare të rezultateve. U bëj thirrje atyre të dëshmojnë një shkallë të lartë përgjegjësie që do t'i kontribonte realisht një procesi të ndershëm e të lirë, pa e cënuar atë."
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, priti po sot edhe Drejtorin e Zyrës së ODIHR-it, Strohal dhe kreun e Misionit Vëzhgues të ODIHR-it për zgjedhjet e 3 korrikut, Grunet.
Bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin mendim se exit–poll nuk është i nevojshëm dhe kanë nënvizuar se çdo festim apo shpallje rezultati të parakohshëm dëmton integritetin e numërimit të votave.
Nesër pritet të shpallet rezultati zgjedhor, nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe vëzhguesit ndërkombëtarë do të japin një deklaratë po nesër mbasdite.