Ndërlidhjet

BERISHA:"ÇMONTIMI I SISTEMIT TË KORRUPSIONIT PRIORITET MADHOR I QEVERISË SË RE"


Sali BERISHA, kryetar i Partisë Demokratike


RADIO EVROPA E LIRË
Z.Berisha, zgjedhjet tashmë kanë përfunduar dhe Partia Demokratike do ketë një shumicë solide për qeverisje. Si kryeministër i ardhshëm, cilat do jenë përparësitë e qeverisë suaj?

SALI BERISHA
Përparësitë më madhore të qeverisë sonë do të jenë çmontimi i sistemit të korrupsionit dhe vendosja e shtetit ligjor si kusht vendimtar në zhvillimin e vendit.
Përparësi tjetër madhore është integrimi i Shqipërisë në NATO e BE dhe shndërrimi i Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja me theks të veçantë turizmin. Ky do jetë dhe leva kryesore për t'u shkëputur nga mjerimi në të cilin sot ndodhet Shqipëria. Përmes krijimit të një ambjenti miqësor për investitorët shqiptarë dhe të huaj ne synojmë krijimin e vendeve të punës dhe rivendosjen e Shqipërisë në orbitën e zhvillimit të shpejtë ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Një individ i pakorruptuar, qoftë dhe kryeministri nuk është garanci për luftën kundër korrupsionit, pasi janë strukturat ato që sigurojnë efikasitetin e kësaj lufte. Cilat janë hapat konkretë që parashihni të merrni, le të themi në 100 ditët e para të qeverisjes, kundër korrupsionit?

SALI BERISHA
Jam plotësisht dakord me konceptin tuaj se nuk mund të bazohet vetëm në kredencialet e një individi lufta për çmontimin e një sistemi, i cili sot në Shqipëri është thellësisht i konsoliduar. Unë do të jap vetëm disa të dhëna të raportit të fundit të Bankës Botërore, i cili fakton se rryshfeti për frymë në Shqipëri është 466 dollarë nga 100 dollarë që është në Rusi, derisa korrupsioni nga 1996 është rritur me 400%. Në këtë kontekst vendimtare në luftën kundër korrupsionit është zbatimi i ligjit, rivendosja e shtetit ligjor, rivendosja e një transparence të plotë për të gjitha proçedurat që kanë të bëjnë me paratë publike dhe masa të tjera si heqja kolektive e imunitetit, që ai të mos përdoret si mburojë, siç ka ndodhur deri tani. Në mesin e masave janë edhe rikthimi i disa standardeve etike, amendimi i ligjeve, ku dua të theksoj se edhe ligjet aktuale nuk janë të dobëta, pasi lejojnë luftë efiçente kundër korrupsionit. Pra do jetë një sistem i tërë ligjesh, masash, vendimesh, por mbi të gjitha sistem i zbatimit të tyre. Do krijojmë ombduspersonin për prokurimet publike, hapje drejt mediave dhe shoqërisë civile në kontrollin e këtyre prokurimeve, përfshirja e grupeve të interesit në të gjitha vlerësimet; këto do jenë disa nga masat më kryesore që do të çmontojnë sistemin e korrupsionit dhe do luftojnë këtë fenomen, që për hir të së vërtetës gjendet kudo, por jo në sistem siç është aktualisht në Shqipëri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha Shqipëria është një vend i varfër. Çfarë burimesh financiare dhe njerëzore do përdorni për të luftuar varfërinë?

SALI BERISHA
Shqipëri është një vend i zhytur progresivisht në varfëri këto vite dhe polariteti është theksuar shumë. Mendoj se për të lehtësuar varfërinë sërish ne do t'i drejtohemi makinerisë së iniciativës së lirë. Ekonomia e tregut është faktuar si porta e prosperitetit dhe begatimit, ndaj do përgjysmojmë taksat për gjithë biznesin e vogël, do të ulim një të tretën e barrës fiskale për të gjitha bizneset e tjera, do heqim taksat për tre vjet për gjithë emigrantët dhe shqiptarët në diasporë që duan të investojnë në Shqipëri dhe të pasurohen ata vetë dhe familjet e tyre. Do përqëndrohemi me përparësi të madhe tek zhvillimi i turizmit, pasi ky është sektori që mund të japë më shpejt të ardhura dhe vende pune pasi Shqipëria ka një potencial të pashfrytëzuar turistik. Edhe agrobiznesi dhe zhvillimi rural do jenë drejtimet e tjera tonat për t'u shkëputur nga varfëria.

RADIO EVROPA E LIRË
Zot Berisha, megjithë përmirësimet e bëra gjendja e emigrantëve shqiptarë në Greqi vazhdon të shoqërohet me shkelje të të drejtave të njeriut, të paktën bazuar në incidentet që raportojnë mediat herë pas here. A do të jetë kjo çështje dhe gjendja e emigrantëve në përgjithësi në vëmendjen e qeverisë suaj?

SALI BERISHA
Absolutisht, do jetë një çështje që do ketë përqëndrimin tonë serioz. Së pari nuk mund të mohohet progresi që është bërë për statusin e emigrantëve në Greqi. Së dyti dua të theksojë se probleme me emigrantët ekzistojnë, pak më shumë apo më pak, në shumë vende të Evropës. Jam i sigurt se nuk ka një politikë kundër tyre nga qeveria greke, por ka raste, qëndrime të pastra raciste nga segmente të caktuara të shoqërisë dhe individë. Në këtë kontekst marrëdhëniet miqësore me Greqinë dhe krijimi i një ambienti miqësor për emigrantët shqiptarë do ishte një ndihmë e madhe. Unë kam pasur gjithmonë një dialog me partinë "Neo Demokracia" dhe presidentin Karamanlis dhe ate do ta rivendos në nivel qeveritar dhe kam bindjen se gjendja e emigrantëve shqiptarë në Greqi do përmirësohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, duke dalë nga plani i brendshëm. Ju po vini në pushtet në një kohë që rajoni po përballet me sfida serioze. E ardhmja e Kosovës është më e rëndësishmja prej tyre. Cili do jetë pozicioni i qeverisë që ju do drejtoni lidhur me Kosovën?

SALI BERISHA
Pozicioni ynë lidhur me Kosovën është i njohur: ne jemi të përcaktuar për mosndryshimin e kufinjëve ndërkombëtarë në jugun e Ballkanit, përfshi këtu kufinjët ndërkombëtarë të Kosovës, zgjidhjen e problemit në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore, Grupin e Kontaktit dhe Këshillin e Sigurimit. Gjithashtu mendojmë se shtyrja e negociatave për statusin e Kosovës nuk është në interes të Kosovës dhe rajonit. Këto negociata dhe ky status duhet të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për vetvendosje, për pavarësi. Duke theksuar këtë qeveria shqiptare, por dhe shqiptarët kudo që ndodhen, kontributin më të madh të tyre mund ta japin duke insistuar në garantimin dhe respektimin e të drejtave të pakicës serbe dhe pakicave të tjera si kusht madhor për pavarësinë, si kusht madhor për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Ndjek me interes këto zhvillime, konstatoj se ka progres real, por absolutisht është një progres që duhet të njohë nivele të tjera e konsolidim tjetër. Është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të konsiderohen ashtu siç janë, qytetarë të Kosovës, të barabartë para ligjit, të jetojnë në paqe e harmoni dhe të zhvillojnë identitetin e tyre kombëtar e kulturor. Po kaq i rëndësishëm është dhe dialogu Prishtinë-Beograd për të gjitha çështjet që shqetësojnë dy vende fqinje, dy vende fqinje që kanë pasur dhe probleme të mëdha në të shkuarën. Nuk mendoj se Beogradi duhet të implikohet në çështjet e statusit, pasi statusi duhet të jetë çështje e qytetarëve të Kosovës, autoriteteve vendore, Grupit të Kontaktit, anëtarëve të Këshillit të Sigurimit me në krye SHBA-të.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria është një nga vendet kontribuese në misionet në Afganistan e Irak. A do të vazhdoni në të njëjtën linjë?

SALI BERISHA
Partia Demokratike dhe koalicioni që ajo sot drejton ka votuar në të gjitha vendimet parlamentare për pjesëmarrjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Qeveria jonë do qëndrojë e palëkundur në këto pozicione pran Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. Unë kam bindjen më të thellë se doktrina e "Marshit të lirisë" është jetike që liria të njohë kufijë të tjera dhe që terrorizmi të marrë atë përgjigje fundamentale që meriton.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni rikthyer sërish në pushtet, në refleksionet vetjake që keni pasur së fundi, cili do jetë ndryshimi më i madh në stilin e drejtimit dhe cili do jetë elementi kryesor i pandryshueshëm?

SALI BERISHA
Unë jam rikthyer në pushtet për të përmbushur misionin tim që u ndërpre nga ngjarjet e '97, që nuk arriti të ecë në drejtimin e duhur dhe përfundoi me instalimin e sistemit të korrupsionit.
Përsa i përket ndryshimit mendoj se është detyrë, ose të paktën në veten time, jo në çdo vit, por në çdo ditë të tejkaloj vetveten. Vetëm ai që arrin të tejkalojë veten arrin të persistojë dhe të realizojë qëllimet që përcakton.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG