Ndërlidhjet

KUHNER: "CARLA DEL PONTE KA KEQPËRDORUR POZICIONIN"


Jeffrey Kuhner, ekspert pranë "Ripon Forum"

Evropa e Lirë
Zoti Kuhner, sipas jush cili do jetë qëndrimi i administratës së dytë Bush ndaj Gjykatës së Hagës për ish Jugosllavinë?

Kuhner
Mendoj se ka për të pasur ndryshime në politikën amerikane ndaj Gjykatës së Hagës. Zyrtarë të lartë të administratës Bush tashmë prej disa vitesh thonë se kjo gjykatë ka shkuar tepër larg, ka harxhuar fonde të shumta të taksapaguesve amerikanë dhe ata duan që shumë nga nga rastet të përmbyllen. Ndërkohë një numër i konsiderueshëm rastesh të kësaj gjykate, sipas administratës Bush, duhet t'i kalojnë gjykatave vendore në Zagreb, Sarajevë apo Beograd.

Evropa e Lirë
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin se sipas tyre gjykata e Hagës është kërcënim për demokracitë e rajonit. A mund ta shpjegoni këtë qëndrim?

Kuhner
Këto vërejtje kanë ardhur kryesisht nga nënsekretari amerikan i shtetit për kontrollin e armëve, John Bollton, që është një nga arkitektët kryesorë të politikës së jashtme të Bushit. Madje Bollton është në listën e ngushtë të personave që janë kandidatë të mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit. Bolton dhe zyrtarë të tjerë janë të shqetësuar se lumi i aktpadive të ngritura nga Carla del Ponte, ka acaruar gjendjen në ish- Jugosllavi dhe në vend të pajtimit kanë thelluar ndarjet etnike. Në vecanti disa aktpadi të ngritura nga Haga që kanë qenë tepër të përgjithshme, të paspecifikuara sic duhet, kanë ndikuar në destabilizmin e disa qeverive reformiste, në Serbi sic ishte rasti i Xhinxhiqit apo në Kroaci me qeverinë e Ivica Racanit. Si Xhinxhiq, përpara se të vritej, dhe Racan janë ankuar në vazhdimësi se Del Ponte në vend që t'i ndihmonte po dëmtonte punën e tyre për shkak të ngritjes së aktpadive të dobëta, pa baza të forta e tepër të përgjithshme.
Kështu në Uashington është krijuar bindja se Gjykata e Hagës, megjithë qëllimet pozitive kur është krijuar në vitin '93, ka shkuar tepër larg dhe në vecanti nuk ka arritur objektivat për të cilat është themeluar. Nuk ka ndihmuar në realizimin e pajtimit në rajon dhe nuk ka krijuar atë ndjesi të vënies në vend të drejtësisë për viktimat e luftërave të viteve '90. Kështu që është koha që kjo punë t'i afrohet fundit dhe të krijohen institucione ligjore të pavarura në Bosnjë, Serbi dhe Kroaci

Evropa e Lirë
Keni shkruar se Gjykata e Hagës është shndërruar në një institucion jodemokratik. A mund të jeni më konkret në këtë drejtim?

Kuhner
Ky është mendimi im, që e ndajnë edhe një numër zyrtarësh në administratën Bush. Kjo është në përputhje edhe me kritikat që administrata Bush i ka bërë gjykatave ndërkombëtare në përgjithësi, jo vetëm asaj për ish Jugosllavinë. Problemi me Gjykatën për ish Jugosllavinë, ashtu si dhe me gjykatat ndërkombëtare në përgjithësi, është se ka pak mekanizma që verifikojnë e kërkojnë llogari për punën e bërë nga prokurorët. Dhe rasti tipik është me Carla del Ponte, që e ka keqpërdorur pozicionin e saj duke lëshuar aktakuza të formulura pa mbështetjen e duhur. Madje viktimat e Carla del Pontes nuk kanë ku kërkojnë ndihmë dhe ky është problemi. Pra njerëzit nuk kanë si të mbrohen nga abuzimet e një prokurorereje të papërgjegjshme.
Ne e kemi parë një gjë të tillë këtu në Shtetet e Bashkuara nëse shkojmë pas në kohë për dy dhjetvjecarë, me zyrën e prokurorit të pavarur. Deria rasti më i fundit i kësaj zyre është gjykimi nga Keneth Star i presidentit Clinton për rastin Leuinski.
Problemi nuk është nëse je apo jo dakord me krimet e kryera nga persona të caktuar, por problemi qëndron tek parimi. Nëse ke një gjykatë të pavarur, me pushtet të pakufizuar, me buxhet të pakufi, kjo krijon mundësi për boshllëqe proceduriale e ligjore. Këtë e shohim në rastin e Del Pontes.
Uashingtoni është përpjekur shumë herë t'i vërë asaj fre, ashtu sic kanë bërë dhe shumë nga partnerët tanë evropianë. Madje Del Ponte është kritikuar dhe nga vetë bashkëpunëtorët e saj për sjelljen e saj në një numër aktakuzash dhe pafuqinë e atyre akuzave.
Për të gjitha këto them se Haga është kthyer në një institucion jodemokratik. Prandaj mendoj se zgjidhja më e mirë për këtë gjendje është ajo që ofron administrata Bush, pra të cohen rastet në gjykatat lokale, të cilat funksionojnë si pjesë e një sistemi dhe i japin dikujt llogari, pushtetit vendor, atij të përgjithshëm e me rradhë. Kështu puna e gjykatave kontrollohet nëse është në përputhje me ligjin apo jo. Ndërsa me Del Ponten ka ndodhur e kundërta: Ajo ka bërë ligjin ndërkombëtar sic ka dashur vetë kudo ku ka shkuar.

Evropa e Lirë
Sic e përmendet dhe ju ka plane për dërgimin e rasteve të Hagës në gjykatat vendore. A janë këto gjykata të afta për të trajtuar raste të tilla, kur raportet ndërkombëtare flasin për drejtësi të korruptuar dhe ende nën ndikimin e nejrëzve të regjimit të vjetër?

Kuhner
Është një pyetje shumë e mirë, dhe prek një nga shqetësimet e ngritura. Ju keni njerëzit e Millosheviqit për shembull në shumë nga gjykatat e Serbisë. Dhe në këtë rast me të drejtë njerëzit do thoshin është e lehtë të kritikosh Carla del Ponten, por cfarë sjell si alternativë. Dhe mendoj se këtu hyn plani që po zhvillon adminsitrata Bush e që lidhet me sistemin e mbikqyrjes.
Ju do të keni gjyqtarë apo ekspertë perëndimorë e amerikanë që nuk do jenë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në gjykimin e rasteve, por do t'i mbikqyrin ato. Dhe nëse ka raste korrupsioni ato duhet t'i raportohen Uashingtonit e Brukselit dhe në raste të tilla do ndërmerren veprimet konkrete. Por thelbi është se njerëzve të atij rajoni duhet t'u jepet përgjegjësi, pasi janë ata që duhet të vendosin sundimin e ligjit në vendet e tyre. Nuk është e shëndetshme për njerëzit në ish Jugosllavi që të drejtohen me diktat, pavarësisht nga vjen ai nga Haga, Brukseli apo fuqitë ndërkombëtare. Përmbledhtaz, sistemi që po zhvillon Uashingtoni ka të bëjë me krijimin e mekanizmave që të kthehen rastet në gjykatat vendore, t'i mbikqyrin t'i këshillojnë dhe në fund të fundit t'i lejojnë gjykatat e këtyre vendeve të funksionojnë sa më mirë që është e mundur. Mendoj se është koha që të tregojmë më shumë besim tek popujt e ish-Jugosllavisë.

Evropa e Lirë
Bazuar në këto që thatë a do të thotë se rastet e Mlladicit, Karaxhiqit apo Millosheviqit do mund të gjykohen në gjykatat vendore?

Kuhner
Kjo është shumë e rëndësishme. Mendimi im lidhur me qëndrimin e adminsitratës Bush është se kjo administratë pa dyshim dëshiron ta shohë rastin e Millosheviqit të përmbyllur në Gjykatën e Hagës. Mendoj se kjo është bërë e qartë dhe nga ambasadori për krime lufte Prosper, që ka thënë se pas dërgimit në Hagë të Karaxhiqit dhe Mlladicit rastet e tjera të dërgohen në gjykatat vendore. Por kjo varet edhe nga koha e kapjes së Mlladicit dhe Karaxhiqit. Nëse le të themi ata nuk janë kapur deri në vitin 2007, mendoj se atëherë sipas të gjitha gjasave ata do të dalin para gjykatave vendore, natyrisht nëse do kapen ndonjëherë. Por në të ardhmen e afërt rastet e rëndësishme si këto që mund edhe të destabilizojnë një vend të tërë do trajtohen nga Haga. Por këto janë shumë pak derisa shumica e rasteve do t'i kalojnë gjykatave vendore.

Evropa e Lirë
Zoti Kuhner, krejt në fund do doja ta zgjeroja fokusin e bisedës. Cila është qasja e administratës së dytë Bush ndaj cështjes së Kosovës?

Kuhner
Cështja e Kosovës është një cështje shumë e ngatërruar. Administrata Bush ashtu si dhe ajo Klinton nuk e dinë se cfarë të bëjnë me të. Nga njëra anë ka shumë simpati në Uashington dhe në administratën Bush për t'i dhënë Kosovës pavarësi të plotë. Dhe kjo mbështetet në gjendjen në terren, mbi 90 për qind e popullsisë janë shqiptarë dhe është një bindje e fortë se shqiptarët e Kosovës janë persekutuar shumë nga Millosheviqi në vitet '90. Por nga ana tjetër ata janë të ndërgjegjshëm për shqetësimet gjeopolitike që mund të sjellë pavarësia. Kjo lidhet veanërisht me shqiptarët e Maqedonisë, dhe mundësinë e destabilizimit të këtij vendi. Nga ana tjetër krijon dhe precedentin për Bosnjën, pasi me argumentin se enklavat etnike mund të kërkojnë pavarësi atëherë Republika Serbe e Bosnjës mund t'i bashkangjitet Serbisë, derisa myslimanët do të mbeten mes serbëve e kroatëve, kurse këta të fundit mund të kërkojnë ndarjen për t'iu bashkangjitur Kroacisë. Për këto implikimet gjeopolitike të pavarësisë së Kosovës shkaktojnë nervozitet në Uashington. Ajo që do shohim në vitet që vijnë nga ana e Uashingtonit do jenë nxitja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa bojkotin e pakicës serbe, pasi Uashingtoni do të shohë një lloj përfshirje të pakicës serbe. Do ketë më shumë kërkesa për mbrojtjen e pakicave dhe do shihni fillimin e bisedimeve lidhur me statusin përfundimtar. Mendoj se zgjidhja që dëshiron të shohë Uashingtoni është një lloj sistemi federal, ku Kosova do kishte autonomi të plotë në cështjet politike, ligjore kulturore e ekonomike, por pa i dhënë asaj pavarësinë e plotë. Ndoshta Kosova mund të ketë dhe kartën e vet të të drejtave të njeriut. Mendoj se kjo është zgjidhja e pëlqyeshme nga Uashingtoni. E di që kjo është shumë pak për shqiptarët dhe mund të jetë shumë për serbët në Beograd. Por besoj se ky është mesi që Uashingtoni dëshiron të shohë në vitet e ardhshme.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG