Dëgjo

Dëgjo tani

Programi i mbrëmjes

Programi i radhës

 


Intervista

Grigorev: Për zbatimin e planit të Ahtisaarit duhen dy palë

Alex Grigorev

18.06.2008

"Është jashtëzakonisht e vështirë të implementohet pakoja e Ahtisaarit pa e pasur partnerin në anën tjetër. Megjithëkëtë, plani i Ahtisaarit, sa është i rëndësishëm për serbët, po aq është edhe për shqiptarët", thotë Alex Grigorev, drejtor ekzekutiv në Projektin për Marrëdhënie Etnike në Princeton. /SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Tash, Kosova e ka Kushtetutën e vet. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë përshëndetur këtë lëvizje, por Serbia thotë se nuk do ta pranojë atë. Pra, si e përshkruani ju këtë situatë?

ALEX GRIGOREV

Mendoj se kjo nuk është diçka katastrofike. Mendoj se askush nuk ka pritur që Serbia ta pranojë këtë kushtetutë, pasi Serbia nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës. Por, ajo që është interesante, është se disa nga liderët serbë të Kosovës kanë bërë deklarata të ndryshme.

Disa thonë se do ta pranojnë gjysmën e Kushtetutës, disa pjesë të saj, e kështu me radhë. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë, por ky është ligj i ri për Kosovën dhe për shtetin e pavarur që po e ndërton Kosova.

Ajo që është më e rëndësishme, është se po ndërtohet një shtet funksional. Pra, implementimi i Kushtetutës duhet të vazhdojë dhe po ashtu duhet të vazhdojë puna e qetë në ndërtimin e qeverisjes funksionale.

Pra, do t'i inkurajoja institucionet e Kosovës që të vazhdojnë të sillen njëjtë sikur përpara, pra në mënyrë të qetë, të moderuar dhe me durim. Unë jam i impresionuar shumë me të dyja palët, meqë pas datës kryesore të 17 shkurtit, nuk ka pasur incidente të mëdha në Kosovës, megjithëqë shumë analistë pritnin se këtu do të ndodhte diçka e keqe, se do të kishte lëvizje të popullatës...

Asgjë nga kjo nuk ndodhi. Për këtë kanë kontribuar të gjitha palët: serbët, shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare. Do të dëshiroja që edhe në një periudhë më të gjatë asgjë e keqe të mos ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të lartë të Kosovës thonë se Kushtetuta e re i mbron serbët dhe pakicat e tjera, pasi është e bazuar në planin e Martti Ahtisaarit. Por, serbët e Kosovës, të mbështetur nga Beogradi, do të përgjigjen me krijimin e parlamentit paralel, më 28 qershor. Cili është komenti juaj?

ALEX GRIGOREV
Prapë po them se nuk është diçka katastrofike. Jam i sigurt se institucionet e Kosovës do të deklarojnë se ato nuk e njohin krijimin e këtij parlamenti, ashtu siç nuk i kanë njohur as rezultatet e zgjedhjeve të majit. Institucionet kanë plotësisht të drejtë ta bëjnë këtë.

Unë e kuptoj se përse Beogradi dhe përse disa serbë në Kosovë po e krijojnë këtë lloj të strukturave paralele. Unë brengosem se krijimi i tyre do t'i ndajë shqiptarët dhe serbët. Ky do të ishte rreziku më i madh.

Por, jam i sigurt se ky parlament do të takohet dhe do të marrë vendime, por çfarë rëndësie do të kenë ato për jetën e përditshme të serbëve të Kosovës, për shqiptarët në Kosovë dhe për qytetarët e tjerë të Kosovës? Mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndikim.

Ajo që është e rëndësishme, është se serbët duhet ta kuptojnë se sa më pak që të marrin pjesë në ndërtimin e Kosovës së re, atëherë Kosova do të bëhet më tepër shqiptare. Nuk mendoj se ky do të ishte qëllimi i ndonjë politike serbe.

Nga kjo nuk do të përfitojë asnjë serb që jeton në jug të lumit Ibër. Ajo që Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë, është që të përpiqet ta përmirësojë infrastrukturën e hapësirave ku jetojnë serbët, të fokusohet në privatizim, në bizneset e vogla.

Nuk duhet fokusuar në çështjet që nuk mund t'i ndryshoni. Çështje tjetër është edhe Konferenca e Donatorëve, e cila nuk do të duhej të kalonte pa ndonjë ndihmë ekonomike për serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshiroj të diskutojmë për çështjen e planit të Ahtisaarit. Nëse serbët e Kosovës nuk e pranojnë Kushtetutën e Kosovës, që bazohet në këtë plan, atëherë çfarë është e ardhmja e parimeve të Ahtisaarit, të përfshira në Kushtetutë?

ALEX GRIGOREV

Kjo është çështja madhore dhe shumë e rëndësishme, si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët. Plani i Ahtisaarit duhet të mbetet si pjesë e Kushtetutës së Kosovës dhe po ashtu duhet të mbeten ligjet, që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës.

E kuptoj se serbët hezitojnë ta pranojnë ofertën që u është bërë nga Prishtina. Por, është jashtëzakonisht e vështirë të implementohet paketa e Ahtisaarit pa e pasur partnerin në anën tjetër.

Megjithëkëtë, plani i Ahtisaarit, sa është i rëndësishëm për serbët, po aq është i rëndësishëm edhe për shqiptarët. Por, nëse Qeveria e Kosovës është duke e krijuar një shtet funksional, sistem funksional të qeverisjes, institucione funksionale, këtë nuk mund ta bëjë pa i sjellë serbët në anën e saj.

Në Kosovë, njëherë më është thënë se pa pjesëmarrjen e serbëve, pavarësia e Kosovës nuk do të jetë e plotë. Mendoj se kjo është e vërtetë. Gjatë qëndrimit tim të fundit në Kosovë, isha i inkurajuar nga një deklaratë e një këshilltari të kryeministrit të tashëm.

Ai tha se Qeveria e Kosovës do të presë aq gjatë sa do të jetë e nevojshme dhe se plani i Ahtisaarit do të mbetet në dokumentet në Kosovë. Këtë e kuptoj edhe si qëndrim të zyrës së kryeministrit.

Nëse serbët, këtë muaj, apo këtë vit, nuk kanë vullnet ta pranojnë këtë ofertë, ajo është ende atje. Sado që të duhet kohë, tri apo katër vjet, ata e kuptojnë këtë dhe do të presin.

Askush nuk duhet të presë se serbët do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Por, në fund të fundit, plani i Ahtisaarit duhet të mbetet dhe shtetit të Kosovës i duhet implementimi i tij, aq sa u duhet edhe serbëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, për fund, zoti Grigorev, si i shihni raportet e ardhshme ndërmjet dy komuniteteve, duke pasur parasysh çështjet që i diskutuam?

ALEX GRIGOREV
Ekzistojnë dy të ardhme – ajo e menjëhershme dhe ajo në një periudhë më të gjatë. Sa i përket të parës, dëshiroj që situata të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe racionale, siç ndodhi gjatë këtij viti. Dëshiroj të shoh paqe në Kosovë. Dëshiroj të shoh paqe ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Në periudhë afatgjatë, nëse do të isha serb në Graçanicë apo gjetkë dhe përreth meje shoh të gjitha këto zhvillime energjike të shtetit të ri, zhvillim të ekonomisë, të rrugëve të reja, të qendrave tregtare, të bizneseve të reja, ndërsa në fshatin tim asgjë esencialisht nuk do të ndryshonte, atëherë do të mendoja se diçka është e gabueshme.

Ndoshta do të bisedoja me fqinjët e mi për të parë se si do të mund të isha pjesë e gjithë atij zhvillimi. Kjo "fuqi e butë" e shtetit, siç themi ndonjëherë në shkencat politike, duhet të jetë atraktive për komunitetin serb.

Sa i përket të ardhmes, do të dëshiroja që komunitetet të jetojnë përkrah njëra-tjetrës në paqe, siç kanë jetuar me shekuj. Të gjitha këto konflikte në Kosovë janë një pjesë e vogël e kaptinës që quhet ‘histori e Kosovës’.

Pjesa më e madhe e kësaj historie është ko-ekzistencë paqësore, me miqësi dhe bashkëpunim të komuniteteve. Por, për ta arritur këtë, duhet bërë shumë punë, jo vetëm nga njerëzit që jetojnë atje, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
     
Komentet
Nga : Azem Prej : Lypian
19.06.2008 13:48
Pajtohem me Jasharin, energjitë tona politike dhe ekonomike duhet te konsistojnë ne kurorëzimin e asaj qe ne po quajmë Shqipëria Etnike edhe pse ndoshta si term ngushton hapësirën e uzurpuar nga fqinjët tan nder shekuj, 'Por pate pare dhe meshkuj për te punuar token duhet zgjeruar pronat thuhet nder pleq' andaj ne duhet me shumë te punojmë dhe te i lajm inatet sa herë qe duam te punojmë te na shkoj mendja tek ata qe u flijuan për ketë tok nder breza dhe ta kuptojmë se kjo tok është e shenjt për ne se nuk ka kaluar brez e qe nuk ka derdh gjak për ketë tok .

Nga : Jashari Prej : Gjermani
18.06.2008 19:15



Plani I Deshtuar


-Shum qart shihet se plani ne anen tjeter ka deshtuar komplet.
-Dhe nese plani i larte permendur deshton.
-Natyrisht ka zgjedhje tjeter!.
-E cila na eshte kjo?.

-BASHKIMI ME NENEN SHQIPERI.

-Pikrisht nese dikush e kundershton!.
-Prandaj ata le ta leshojen Kosoven dhe te vendosen aty ku deshirojen.
-Kosova nuk mundet te mbetet peng i tekeve te dikujte.
-Ne nuk mundemi ta durojem kete turtur psikologjike.
-Ndodhe qe eshte praktik e teorise se vjeter.
-Tani ne dhe te huajte ta marrim ma seriozisht qeshtjen Shqipetare.
-Eshte ber nji loje me paralelizma dhe me segmente te caktuar, qe na dergon drejte nji gremine.
-Koha esht per veprim!.
-Se situata edhe keshtu e brisht,rrjedhat mund te ndryshojen.
-Jo per te mir.
-Tupani po bjen!?.
-Kush esht bektesh e merre vesh(fjal e bukur SHQIPE).
-Kuzhina dhe kuzhinjer te natyres se ndryshme po pergaditin skenare.
-Ketu nuk duhet shum filozofi.
-Matematik gjithashtu Jo.
-Po aludohet ne sfera te ndryshme.
-Pse?.
-Natyrish ne fush ka lojtar,por te ndryshem.
-Edhe shkenca e sqaron shum bukur dhe thjesht se polet negative nuk bashkohen.
-Befasi e natyres.
-Batica dhe Zbatica ka, dhe shuhen.
-Te gjykoshe eshte lehte,te veprosh shfaqen veshtirsit.
-Drejtesise po i ngushtohen fushat e veprimit.
-Gjerat e mira te qmohen,te keqes ti shkurtojem kembet.



Rrofte Populli Shqipetar
Rrofte Bashkimi Kombetar
Rrofte Shqiperia Natyrale


Me nderime dhe rrespekt nga:Jashar.h.selmanaj.
Baballoq.Kosove.
Bochum.Gjermani.

Nga : Ferkos Prej : Francë
18.06.2008 17:26
Kemi pas deklarata te antareve te të eshtequajtur-it EKIPI I UNITETIT te cilet kan deklaruar shume here ne medija se plani i z AHTISAARI o do te impementohet i teri o hiq.

Por tani del se ata nuk i paskan pas parasysh disa gjera. Sido qe te jete institucionet tona duhet ti hartojn planet e veta se ne ç fare bazash do te ndertohet shteti i Kosoves nese ky AHTISAARI deshton

Nga : S.Krasniqi Prej : CH
18.06.2008 14:10
"Është jashtëzakonisht e vështirë të implementohet pakoja e Ahtisaarit pa e pasur partnerin në anën tjetër.

Shumë e lehtë kjo punë.Anulojeni planine e Ahtisaarit dhe ja u rregullua puna.
     

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSS