Ndërlidhjet

Sa duhet të jetë paga minimale?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Autoritetet kompetente në Kosovë ende nuk janë pajtuar rreth përcaktimit të pagës minimale. Përfaqësues të biznesit thonë se kjo pagë duhet jetë rreth 200 euro në muaj, sindikatat e punëtorëve kanë propozuar që paga minimale të arrijë në 250 euro. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se të premten do të mbahet takimi i radhës, ku do të diskutohen propozimet rreth pagës minimale.


Caktimi i pagës minimale, kohëve të fundit është bërë temë debatesh ndërmjet komunitetit të biznesit, përfaqësuesve të punëtorëve dhe ekzekutivit të vendit.

Për këtë çështje, udhëheqës të Odës Ekonomike të Kosovës, të enjten diskutuan me subjekte të ndryshme ekonomike, se sa është e përballueshme për ta paga minimale.

Zineta Daci, nga Oda Ekonomike, tha se ky subjekt u ka dërguar nga një pyetësor 20 ndërmarrjeve të ndryshme ekonomike, që të propozojnë pagën minimale.

“Përgjigjet tuaja për lartësinë e pagës minimale i kemi përpunuar dhe rezultati është si vijon, për 250 euro janë përcaktuar 3 subjekte, për 200 euro janë përcaktuar 9 subjekte, për 180 euro - 3 subjekte dhe për 170 euro - 5 subjekte. Mesatarja e propozimeve për lartësinë e pagës minimale, që ju e keni propozuar është 197euro”, bëri të ditur Daci.

Përfaqësues të subjekteve ekonomike pajtohen se paga minimale në Kosovë duhet të jetë rreth 200 euro në muaj. Durmish Alisani, përfaqësues i kompanisë “Elting”, thotë se në përcaktimin e pagës minimale nevojitet edhe plotësimi i disa kushteve.

“Sektori ynë e përkrah pagën 160-170 euro neto, me të gjitha kontributet të paguara. Mirëpo, paga minimale do të thotë një ekzistencë minimale për një 30 ditë pushim mjekësor, për një 30 ditë mosardhje në punë, për probleme familjare. Përndryshe, punëtorët që punojnë aktiv, paga minimale për ta është vetëm pikënisje”
, tha Alisani.

Edhe Fejzullah Mustafa nga kompania private “Fluid”, i cila ka të punësuar 80 punëtorë, konsideron që paga minimale nuk duhet të arrijë mbi 200 euro.

“Paga është minimale, por paguhet sipas vendeve të punës, përgjegjësive në punë dhe punëve që kryen ai punëtor. Kështu që duke pasur parasysh këto rrethana, mendoj se paga minimale duhet të krahasohet edhe me vendet e rajonit”, u shpreh Mustafa.

Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, tashmë ka kërkuar nga autoritetet vendore që paga minimale mujore në Kosovë të arrijë në 250 euro.

Por, zyrtarë të Qeverisë, thanë se ekzekutivi i vendit nuk ka caktuar ndonjë shumë të pagës minimale, por u shprehën se do t’i analizojnë propozimet e anëtarëve të Këshillit Ekonomik Social.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se të premten do të mbahet takimi i radhës i Këshillit, ku edhe do të jepen rekomandimet rreth përcaktimit të pagës minimale.

“Pikërisht për këtë, nesër do të mbahet takimi i Këshillit Ekonomik Social, që quhet si takim i jashtëzakonshëm, për vetë faktin se në bazë të planit dhe dinamikës mbahen katër takime të tilla në vit. Por, për hir të përshpejtimit të procedurës rreth përcaktimit të pagës minimale në Kosovë, atëherë është paraparë që nesër të mbahen takime të tilla”, theksoi Gaxhiqi.

Në bazë të Ligjit të punës, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik duhet të përcaktojë pagën minimale të propozuar nga Këshilli Ekonomik Social.

Aktualisht, në Kosovë paga minimale është 130 euro, siç ishte përcaktuar në vitin 2005, ndërsa paga mesatare në Kosovë deri më tani ka qenë rreth 270 euro.
XS
SM
MD
LG