Dëgjo

Dëgjo tani

Programi i mesditës

Programi i radhës

 


Intervista

Serwer: Vizita e Biden-it, riafirmim i mbështetjes së pavarësisë

Daniel Serwer

14.05.2009

“Ajo që unë shpresoj se do të bëjë Biden, është riafirmimi i mbështetjes për pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial”, thotë Daniel Serwer, nga Instituti i SHBA-ve për Paqe.



Duke u shprehur për vizitën e ardhshme të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Kosovë, eksperti Daniel Serwer, nga Instituti i Shteteve të Bashkuara për Paqe, me seli në Uashington, thotë se vizita “paraqet riafirmim të mbështetjes së pavarësisë së Kosovës”. Sipas tij, Shetet e Bashkuara, politikisht, do të jenë të pranishme në Kosovë “përgjithmonë”, ndërsa ushtarakisht “deri sa të arrihet një pajtueshmëri” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.



RADIO EVROPA E LIRË

Brenda disa ditësh, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta vizitojë Ballkanin. Sipas jush, cili është qëllimi i kësaj vizite në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë?

DANIEL SERWER
Duhet të pyesni Qeverinë amerikane se cili është qëllimi. Ajo që unë shpresoj se do të bëjë ai, është riafirmimi i mbështetjes për pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial.

Ai do ta ritheksojë mbështetjen për Bosnjë e Hercegovinën, si një shtet të vetëm, të pandarë, ashtu siç parashohin marrëveshjet, dhe do ta bëjë të qartë nevojën për reforma dhe përgatitje drejt Bashkimit Evropian në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, sipas jush, ky mund të jetë mesazhi i zëvendëspresidentit Biden drejtuar Prishtinës, Beogradit dhe Sarajevës?

DANIEL SERWER
Kjo është ajo që unë shpresoj se do të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se Kosova dhe në përgjithësi Ballkani po bëhen përsëri prioritete të larta të administratës së Shteteve të Bashkuara?

DANIEL SERWER
Varet nga ajo se çka nënkuptoni me fjalën prioritet i lartë. Zëvendëspresidenti Biden është një zyrtar i lartë i Qeverisë amerikane dhe është me rëndësi për të që ta vizitojë Ballkanin, por Shtetet e Bashkuara kanë prioritete të tjera, si Iraku, Afganistani, Irani, Lindja e Mesme dhe Koreja Veriore. Që të gjitha ato vijnë para Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dua ta shfrytëzoj këtë moment për t’ju pyetur lidhur me praninë e ardhshme, si politike, ashtu dhe ushtarake, të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Për sa kohë mendoni se do të vazhdojë kjo prani?

DANIEL SERWER
Politikisht mendoj se Shtetet e Bashkuara do të jenë atje edhe për një kohë të gjatë. Përgjigjja e saktë mund të jetë - përgjithmonë.

Ndërsa, në aspektin ushtarak, mendoj se forcat tona janë të reduktuara në nivelin më të ultë. Por, mendoj se ne duhet ta vazhdojmë praninë tonë ushtarake atje derisa Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një pajtueshmëri të ndërsjellë.

RADIO EVROPA E LIRË
Të kalojmë në një çështje tjetër. Aktualisht në Kosovë janë dy misione ndërkombëtare, UNMIK-u dhe EULEX-i. Duket se UNMIK-u po reduktohet dhe fokusi tashmë është tek EULEX-i. Natyrisht se ekziston dhe Qeveria e Kosovës së pavarur. Si i shihni ju detyrat aktuale dhe misionet e tyre?

DANIEL SERWER
Mendoj se EULEX-i është misioni kryesor ndërkombëtar, që ka një mbështetje reale dhe energji pas vetes. Mendoj se administrata e Kombeve të Bashkuara duhet të reduktohet dhe po ashtu mendoj se Qeveria e Kosovës duhet vetë të qeverisë plotësisht.

Ka vetëm fusha të caktuara, si krimet ndëretnike, të cilat kërkojnë ndërhyrjen ndërkombëtare, andaj Qeveria e Kosovës duhet ta vazhdojë punën e vet dhe të qeverisë mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri tash, Kosovën e kanë njohur 58 shtete. Fondi Monetar Ndërkombëtar ia ka ofruar Kosovës anëtarësimin e plotë. Nga pikëpamja juaj, a do të ndihmojë kjo për më shumë njohje?

DANIEL SERWER
Shpresoj se po. 58 njohje janë mirë, por 100 do të ishin edhe më mirë. Shpresoj ta shoh Kosovën me më shumë njohje, sa më shpejt që të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund do t’ju pyes lidhur me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është duke diskutuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. A do të mund të ndikojë vendimi në këtë gjykatë në procesin e njohjes së pavarësisë?

DANIEL SERWER
Mund të ndodhë. Çështja në këtë gjykatë është disi shumë e paqartë dhe mjaft e rëndësishme. Mendimi im personal është se asnjë gjykatë nuk mund t’u tregojë Shteteve të Bashkuara se cilin shtet mund ta njohin dhe cilin jo.

Do të isha shumë i befasuar po qe se ka përpjekje të këtilla. Nuk mund të paragjykojmë përderisa gjykatësit janë duke e analizuar rastin dhe do të arrijnë në një konkluzion, por do të jetë shumë e rëndësishme të arrihen sa më shumë njohje, para se të merret një vendim për këtë rast.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
     
Komentet
Nga : DR.ISMET HEBIBI, politikan internacional, shkencët Prej : Junik-Kosovë
14.05.2009 19:38
Miqësitë e vjetra janë të përjetshme.E përjetshme është miqësia mes Amerikës liridashëse dhe shqipëtarëve.Këtë na e konfrirmon me vizitën e ardhshme Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës së bekuar, miku i madh i shqipëtarëve dhe i Kosovës së Pavarur dhe Sovrane- shumë i rrespektuari dhe i nderuari- ZOTI JOE BIDEN.Mirësevjen miku ynë madhështor, gjithmonë do të jesh i mirëseardhur dhe i mirëpritur si mik i shtrenjtë.Por kjo vlen dhe do të vlejë edhe për PRESIDENTIN E MADH BARAK OBAMA DHE GJITHË MIQËT E NDERUAR TË AMERIKËS SË BUKUR DHE DEMOKTRATIKE .Populli i Kosovës dhe Institucionet demokratike të Kosovës ardhjen e JUAJ e konsiderojne si Festë të veçantë- Festë dhe gëzim pë mikun e madh dhe Zëvendëspresidentin e nderuar JOE BIDEN. Në Qiellin e paqes dhe amshimit -Çeta e engjujve së bashku me Prof. dr. IBRAHIM RUGOVEN dhe Çeta e Lutëtarëve të Lirisë me Kryetrimin ADEM LEGJENDARIN si engjujt buzqeshin dhe janë të lumtur për vizitën e juaj Mik i dashur ZOTI JOE BIDEN.Edhe unë ndihem bukur dhe më kaplojmë emocione të mrekullueshme Mirëseardhjeje për Mikun e madh. Jehojnë fanfare Lirie, mirëqenie dhe rrespekti-për Ju dhe gjithë AMERIKANËT MIQ TË PËRJETSHËM DHE TË DASHUR.NE TË GJITHË NDJEHEMI AMERIKANË, SEPSE MIKU YNË I MADH ZOTI JOE BIDEN DO NA FRYMËZOI DHE BEKOI ME LIRINË ,DEMOKARCINË DHE VLERAT MADHËSHTORE HUMANE AMERIKANE- ME SUPERVLERAT E KAMPIONES SË LIRISË BOTËRORE,DEMOKRACISË DHE HUMANIZMIT ALTRUIST MBARËBOTËRORË!
Zoti e bekoftë Presidentin e madh BARAK OBAMA, Zëvendëspresidentin dhe mikun tonë të madh ZOTIN JOE BIDEN DHE MBARË POPULLIN MIK DHE SHUMË TË DASHUR AMERIKAN!
     

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSS