E martë, tetor 21, 2014 Kosova 00:50

Multimedia

Vdiq ylli i muzikës pop Majkëll Xhekson

Ylli i muzikës pop, Majkëll Xhekson, ka vdekur në moshën 50 vjeçare, në një spital në Los Angjeles, pas një sulmi në zemër. Xhekson thuhet të ketë arritur në spital “pa frymëmarrje”.

Majkëll XheksonMajkëll Xhekson
x
Majkëll Xhekson
Majkëll Xhekson

Multimedia

Audio
  • Vështrim i karrierës së "Yllit të popit"...

Bashkëpunëtorët e Xheksonit thanë se ngarkesa fizike dhe psiqike gjatë përgatitjeve për kthimin e madh në skenën muzikore mund të kenë shkaktuar sulmin. Vdekja e papritur e Xheksonit ka shokuar tërë botën.



Majkëll Xheksoni
|| 0:00:00
...
 
🔇
X
26.06.2009



Majkëll Xhekson ishte ndoshta i vetmi artist amerikan, i cili kishte një ndikim të madh sikurse në vendin e lindjes, në Shtetet e Bashkuara, ashtu dhe në të gjitha vendet e tjera të botës.

Edhe politikanë të njohur si presidenti rus, Dmitri Medvedev, thuhet se kanë dëgjuar muzikën e Xheksonit, gjë që nuk është për t’u habitur, marrë parasysh që albumi “Thriller”, i vitit 1982, me 109 milionë kopje të shitura, vlerësohet të jetë albumi më i shitur në botë.

Fati i Xheksonit ishte venitur në vitet e fundit, për shkak të akuzave për abuzim të fëmijëve dhe intervenimeve të shtrenjta dhe bizare të kirurgjisë plastike.

Sidoqoftë, shpresat për rikthimin e Xheksonit në skenën muzikore u ringjallën pas paralajmërimit të tij për një turne botëror, i cili pritej të fillojë në muajin korrik në Londër.

Majkëll Xhekson gjatë konferencës për shtyp në Londër, 5 mars '09.

“Do të përformoj këngët, të cilat duan t’i dëgjojnë adhuruesit e mi. Kjo është ajo. Mendoj, kjo është me të vërtetë ajo. Kjo është finalja, kjo është thirrja e fundit për ngritjen e perdes”,
tha Xhekson në muajin mars, duke folur për koncertin – fjalë këto që tani duken sikur ai të ketë pasur një parandjenjë për atë që ndodhi.


Por, lajmi për vdekjen e tij shkaktoi tek njerëzit anembanë globit një përzierje emocionesh: hidhërim, huti dhe keqardhje.

Një njeri i moshës mesatare, që njihet vetëm si Roki, i tha Radios Evropa e Lirë se lajmi për vdekjen e Xheksonit, i cili vjen vetëm disa orë pas vdekjes së një ikone tjetër amerikane, aktores së televizionit, Farah Faucet, e ka lënë atë të mpirë.

"Miku im më tregoi këtë mëngjes për vdekjen e Farah Faucet, kështu që ishte si 'wow Farah’, nga të gjithë. Dhe pastaj, Majkëll, menjëherë pas saj. Kjo ishte tepër. Për momentin jam duke i përpunuar brenda vetes ato që po ndodhin”, tha ai.

Adhuruese e Xheksonit, 26 qershor.
E shokuar ndihet dhe një adhuruese tjetër, Anisa Uiliams.

“Nuk kam besuar. Vërtet nuk e kam besuar. Është një shok”, tha ajo.

Lajmi për vdekjen e Xheksonit ka tronditur edhe bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm. Themeluesi i Motown Records, Beri Gordi, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se me dhembje ka pranuar lajmin për vdekjen e Xheksonit, i cili, sipas tij, do të mbetet një legjendë në muzikën pop.

“Majkëll Xhekson nuk shfaqet vetëm një herë brenda një shekulli. Ai vjen vetëm një herë dhe ne kemi përfituar nga ai sa ishte këtu dhe do të kënaqemi përherë me muzikën e tij”, tha Gordi.

Ndërkaq, prifti Al Sharpton, një nga krerët më të njohur të njerëzve me ngjyrë në SHBA, e ka cilësuar Xheksonin si një "figurë historike në bazë të së cilës njerëzit do të masin industrinë muzikore".

“Majkëll Xhekson ka bërë që kultura t’i pranojë njerëzit me ngjyrë”, ka thënë ai.

Qirinj të ndezur në kujtim të yllit të muzikës...
Lisa Mari Prislli, vajza e Elvis Prisllit, që kishte qenë njëra bashkëshorte e Xheksonit, tha se ndjehej “e tronditur dhe e pikëlluar me vdekjen e tij”. “Zemra ime ndjen më fëmijët dhe familjen e tij”, tha ajo.

Familjarët e Xheksonit tani kërkojnë qetësi për të kujtuar të dashurin e tyre.

“Familja jonë u kërkon mediave që ta respektojnë intimitetin familjar gjatë kësaj kohe”, tha vëllai i Xheksonit, Xhermani Xhekson.

Pas vetes, Majkëll Xhekson ka lënë tre fëmijë, prindërit dhe tetë vëllezër e motra.

* * * * * * * * * *

Majkëll Xhekson, i lindur më 29 gusht të vitit 1958, në Gany të Indianës, ishte fëmija i shtatë i familjes Xhekson.

Adhuruesit e Xheksoniu në Los Angjeles, 25 qershor...
Para moshës 6-vjeçare ai iu bashkua vëllezërve të tij në grupin “Xhekson 5”. Majkëlli ishte këngëtari dhe vallëzuesi më i mirë i grupit.

Në moshën 22 vjeçare, ai nuk u bë vetëm këngëtari më i admiruar në botë, por edhe një nga njerëzit me famën më të madhe në glob.

Xhekson thuhet të ketë arritur famën e njëjtë me ata që njihen të kenë bërë revolucion në industrinë e muzikës – Elvis Prisli dhe “Beatles”. Por, ai ka qenë i pari këngëtar me ngjyrë që ka frymëzuar një masë të madhe të njerëzve në mbarë botën.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Drini Prej : Tirane
26.06.2009 21:13
Michael Jackson, i love you forever. Me ke frymezuar gjithmone, do vazhdosh te jetosh ne zemren time.