Ndërlidhjet

Shqipëri: Pritet numërimi i 100 kutive të fundit


Sali Berisha dhe Edi Rama
Sali Berisha dhe Edi Rama

Pas numërimit të deritashëm, Aleanca për Ndryshim, që udhëheqet nga Partia Demokratike e Sali Berishës, ka siguruar 70 mandate; Bashkimi për Ndryshim, i udhëhequr nga Partia Socialiste e Edi Ramës - 66, dhe Lëvizja Socialiste për Integrim - 4 mandate.


Raportohet të jetë një garë e ngushtë mes dy blloqeve kryesore politike, kampit blu dhe kampit rozë. Të dyja kampet vazhdojnë të ruajnë të njëjtin nivel mandatesh: 70 me 70.

Megjithatë, thuhet se të dyja këto kampe pretendojnë se në kutitë e mbetura në disa qendra të numërimit të votave, kanë ende vota që mund t’u shkojnë atyre në favor dhe t’i rrisin me të tjera mandate.

Por, gjithsesi, mbetet për t’u verifikuar menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit të këtyre votave, që numërojnë të jenë rreth 100 kuti gjithsej në të gjithë vendin.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, gjatë një komunikimi mediatik, ka deklaruar se Partia Demokratike i ka fituar zgjedhjet, se i ka të 71 mandatet për të qeverisur vendin, madje pretendon se mund të ketë më shumë mandate dhe të garantojë një mazhorancë të plotë, pra një mazhorancë që i garanton një qeverisje të sigurt.

Por, menjëherë ka reaguar Partia Socialiste nëpërmjet kandidatit të kësaj force politike për Tiranën, Ditmir Bushati, duke hedhur poshtë pretendimet e Partisë Demokratike.

Kjo duket se është kthyer në një debat mjaft të fortë mes dy forcave kryesore politike se kujt i takon fitorja e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve ende nuk kanë përfunduar me procesin e numërimit të votave.

Sipas numërimeve të deritashme, rezultatet në shkallë shtetërore, në mandate në Kuvendin e Shqipërisë, janë këto: PD - 68, PS - 65, LSI - 4, PDBNJ - 1, PDI - 1 dhe PR - 1 mandat.

Partitë e tjera nuk kanë fituar asnjë mandat.

Rrjedhimisht, koalicioni Aleanca për Ndryshim, që udhëhiqet nga Partia Demokratike e Sali Berishës, ka siguruar 70 mandate; Bashkimi për Ndryshim, i udhëhequr nga Partia Socialiste e Edi Ramës, ka 66, dhe Aleanca Socialiste për Integrim – 4 mandate.

Aleanca Poli i Lirisë nuk ka asnjë mandat.

Këto të dhëna janë publikuar nga projekti ECA dhe KRIIK, që mbështeten nga USAID.

Rezultatet finale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve priten sot.
XS
SM
MD
LG