Ndërlidhjet

Pakicat dhe sistemi i arsimit


Gjendja e arsimimit të komuniteteve në Kosovë vazhdon të mbetet e rëndë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve të arsimit. Përfaqësuesit e komuniteteve kritikojnë institucionet për mungesë të përkushtimit në përmirësimin e kësaj gjendjeje.


Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës sot ka filluar viti i ri shkollor 2009-2010. Mbi 36 mijë fëmijë për herë të parë ulen në bankat shkollore.

Mirëpo, gjendja e arsimimit për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas mbetet e rëndë, vlerësojnë ekspertët e arsimit, duke i bërë thirrje Ministrisë së Arsimit të Kosovës të zbatojë strategjinë e hartuar për të përmirësuar këtë gjendje.

Eksperti Halim Hyseni, duke theksuar shkallën e ultë të arsimimit të këtyre komuniteteve, thotë:
...përfshirja e tyre në arsimim është tej mase e ultë. Braktisja e shkollimit po ashtu është e madhe.

“Është e pakontestuar që komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas nuk është në pozitë të mirë në fushën e arsimit, me gjithë përpjekjet që janë duke u bërë, duke hartuar strategji të ndryshme, me qëllim të krijimit të mundësive për barazimin e tyre”.

“Por, vetëm faktet, të cilat janë të njohura tash për publikun, deshmojnë se kjo pozitë është e vështirë, sepse përfshirja e tyre në arsimim është tej mase e ultë. Braktisja e shkollimit po ashtu është e madhe”,
thekson Hyseni.

Sipas tij, komuniteti rom, ashkali dhe ai egjiptas, në krahasim me bashkësitë tjera etnike, janë katër vjet pas sa i përket shkollimit të tyre.

Mesatarisht, afër katër vjet kanë më pak shkollim qytetarët e këtyre komuniteteve, sesa ata të komuniteteve dhe bashkësive tjera etnike në Kosovë”, pohon Hyseni.

Se gjendja e arsimimit të komunitetit rom në vend nuk është e mirë e konfirmon edhe vetë përfaqësuesi i këtij komuniteti, Zylfi Merxha, i cili njëherësh është dhe deputet në Kuvendin e Kosovës.

Shkak të nivelit të ultë të arsimimit, zoti Merxha konsideron shkallën e lartë të varfërisë që dominon në mesin e këtyre komuniteteve.

“Niveli i ultë është se nuk i çojnë fëmijët në shkollë. Varfëria nuk e lejon një gjë të tillë. Neve nuk po na e vënë mendjen. Nuk është në rregull diçka”, vlerëson Merxha.

Por, me deklaratat e tilla nuk pajtohet shefi i ekzekutivit të vendit, Hashim Thaçi. Sipas tij, gjendja e shkollimit të komuniteteve asnjëherë nuk ka qenë më e mirë se tash.

Hashim Thaçi
Qeveria e Kosovës është duke kryer të gjitha obligimet e saj dhe po punon për të gjithë qytetarët njësoj pa dallime, pohon kryeministri Thaçi.

“Çdo nxënës nga përkatësia etnike do ta ketë të drejtën edhe për t’u arsimuar, por, në anën tjetër, do t’i kryejmë të gjitha obligimet që kemi, qofshin për shqiptarë, serbë, ashkali, egjiptas, apo për të tjerët. Por, kjo varet edhe nga përgjegjësitë që merr vetë komuniteti përkatës”, thotë Thaçi.

Edhe Daut Xhylenxhiu, nga Qendra për Integrime Ndërkombëtare, konsideron se gjendja e arsimimit të komuniteteve joshqiptare në vend nuk është ashtu siç do të duhej të ishte. Sipas tij, institucionet e vendit duhet të luajnë një rol më të madh për t’i ndihmuar ato në fushën e shkollimit.

“Duke i ditur vështirësitë socio-ekonomike, nxënësit e këtyre komuniteteve nuk e vijojnë mësimin e mesëm dhe atë superior”,
thotë Xhylenxhiu.

Komunitetet joserbe në Kosovë janë të anashkaluara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare në të gjitha sferat. Kështu të paktën patën deklaruar përfaqësues të komunitetit egjiptian, turk dhe atij boshnjak, para pak kohe.

Siç kanë thënë ata, institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke u marrë vazhdimisht me plotësimin e kushteve të komunitetit serb, kanë harruar se në Kosovë jetojnë edhe komunitetet tjera.
XS
SM
MD
LG