Ndërlidhjet

"U kry protokolli"



EPOKA E RE

Po shihet qartë që EULEX-i po e mbështet nënshkrimin e këtij protokolli, dhe sipas të gjitha gjasave, kjo do të ndodhë pavarësisht reagimit të vonuar të institucioneve tona. Ne si PSD qysh herët kemi paralajmëruar për këto pasoja, por askush nuk i ka marrë parasysh shqetësimet tona. Ne kemi thënë se EULEX-i që në fillim të mandatit është dashur të nënshkruajë një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës. Është praktikë shumë e njohur që çdo mision ndërkombëtar që vjen në një vend sovran me ftesën e tij, e nënshkruan një marrëveshje që njihet si SOFA (Status of Force Agreement), që d.m.th. marrëveshje mbi statusin ku përcaktohen referencat e misionit, detyrat konkrete të misionit dhe objektivat që duhet të arrijë misioni. Kështu shprehet kryetari i PSD-së, Agim Çeku...

KOHA DITORE

“Marrëveshja me Prishtinën për t’i dhënë dritën e gjelbër nënshkrimit të protokollit EULEX-Serbi është çështje orësh dhe jo ditësh”, i ka thënë “Kohës Ditore” një diplomat evropian. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se konsultimet mes presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi me përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Piter Feith, janë afër përfundimit me pajtimin që Prishtina zyrtare të tërheqë kundërshtimin për protokollin. Takimet mes liderëve kosovarë dhe diplomatëve evropianë janë mbajtur vazhdimisht, ndërkaq fundi i kësaj jave pritet të përmbyllë debatin rreth protokollit, me pranimin e tij...

LAJM

Nëse ndryshon përmbajtja, atëherë analistët iu sugjerojnë autoriteteve të Kosovës që në këmbim të dhënies së “PO”-së për “protokollin”, t’i vënë edhe disa kushte BE-së dhe Serbisë. Prishtina zyrtare duhet të kërkojë lehtësimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, shkurtimin e procedurave të përfshirjes në Mekanizmin e Stabilizim-Asociimit, kthimin e arkivave dhe kadastrave, zbardhjen e fatit të të pagjeturve, hulumtimin e varrezave masive të shqiptarëve në Serbi dhe kthimin dhe gjykimin në Kosovë të të gjithë kriminelëve serbë të luftës...

INFOPRESS

Pavarësisht se zgjedhjet po afrohen dhe pjesë e tyre do të duhet të jetë konkurrenca e vlerave politike, interesi shtetëror do të jetë mbi çdo interes të ngushtë partiak. Kryeministri Hashim Thaçi e tha këtë të enjten, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, ku njoftoi se Qeveria po i jep mbështetje Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), për punë profesionale dhe angazhime teknike, në përgatitjen sa më të mirë të organizimit të zgjedhjeve të lira. Ai i ka bërë thirrje gjithë spektrit politik të vendit, të kontribuojnë për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, për t’i dhënë një paraqitje dinjitoze shtetit të Kosovës, përballë botës demokratike...

KOSOVA SOT
Shefi i ICO-së, Piter Fejt, ka vizituar të enjten Vitinë dhe me autoritetet e atjeshme komunale, në një takim të mbyllur për gazetarë, ka biseduar rreth përgatitjeve për formimin e komunës së Kllokotit, e cila parashihet me pakon e Ahtisarit, por siç merret vesh nga burime brenda takimit, është kundërshtuar nga kryetari Arifi, i cili i ka thënë se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë së pari duhet të angazhohet për normalizimin e gjendjes në Mitrovicë dhe pikërisht atje të nisë me zbatimin e planit të presidentit Ahtisari, e pastaj të shtrihet edhe në rajonet e tjera të Kosovës. Ai ka shprehur drojë se nëse formohet komuna e Kllokotit, raportet ndëretnike mund të përkeqësohen, në vend se të përmirësohen më tutje...

EXPRESS

“Duhet të themelohet Sekretariati, t’i kemi zyrat, vulat, protokollin dhe shumë çështje të tjera. Aktualisht puna e Komisionit është zero”, thotë për "Express", kryetari i KZAP-së, Tahir Rrecaj. Kur kanë mbetur edhe katër ditë deri tek afati i fundit për dorëzim të listave të kandidatëve në KQZ dhe certifikimi i subjekteve politike pjesëmarrëse, për Rrecajn puna në KZAP nuk ka filluar ende. Ligji që rregullon çështjen e zgjedhjeve në Kosovë thotë se në periudhën 60 ditë para zgjedhjeve, anëtarët e KZAP-së duhet t’u japin përparësi punëve të tyre në Komision, duke i lënë anash angazhimet e tyre si gjyqtarë...

ZËRI

“Ne konkludojmë se instrumentet e bashkëpunimit teknik të EULEX-it, të bëra në emër të vet, janë në pajtueshmëri me mandatin e tij për të forcuar menaxhimin e kufijve dhe nuk kanë asnjë ndikim në çështjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Kuintit dhe të ICO-së. "Vendosja e EULEX-it u pranua nëpërmjet aktit sovran të institucioneve të Republikës së Kosovës, me anë të Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës, dhe ftesës së presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, bërë Sekretarit të Përgjithshëm, Përfaqësuesit të Lartë, Solana, për të themeluar EULEX-in"...

BOTA SOT

Gjenerali Bentler ka nënvizuar se Kosovën e presin sfida të mëdha. Ai ka thënë se mbështetja e KFOR-it për institucionet e Kosovës, për FSK-në do të vazhdojë deri në zvogëlimin gradual të trupave të NATO-s. “Edhe njëherë do të doja të potencoj se ne mund ta bëjmë punën tonë me më pak trupa, sepse ju, populli i këtij vendi, keni bërë një punë të madhe për të arritur aty ku jeni tani dhe kjo, kujtoj unë, është e arritura kryesore që duam ta vëmë në pah”, citohet të ketë thënë komandanti i ri i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus Bentler. NATO ka paralajmëruar se gjatë periudhës njëvjeçare të komandës së gjeneralit gjerman Markus Bentler, trupat e KFOR-it në Kosovë do të zvogëlohen në 10 mijë ushtarë...
XS
SM
MD
LG