Misioni EULEX është në pritje të finalizimit të marrëveshjes teknike të bashkëpunimit policor me Serbinë. Mbështetja që ky mision siguroi nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Kuintit, e ka sjellë në finalizim çështjen e nënshkrimit.
Sidoqoftë, zëdhënësja e këtij misioni në Prishtinë, Karin Limdal, tha sot se nuk mund ta konfirmonte kohën e nënshkrimit të marrëveshjes teknike me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Nuk mund ta konfirmoj se kur do të ndodhë kjo. Por, ne jemi në pritje që kjo çështje të finalizohet”, tha Limdal.
Nënshkrimi i marrëveshjes teknike për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet policisë së EULEX-it dhe asaj të Serbisë është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Kuintit, të cilat kanë konsideruar se nënshkrimi i marrëveshjes është në përputhje me mandatin e EULEX-it në Kosovë.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur se Prishtina zyrtare nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Mirëpo, pavarësisht këtij pozicioni, Thaçi e ka mirëpritur deklaratën e djeshme të vendeve të Kuintit dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, e cila, mes tjerash, përkrah EULEX-in në arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“Unë e mirëpres deklaratën e Kuintit, e cila u jep mbështetje të fuqishme zhvillimeve pozitive që kanë bërë institucionet e Kosovës në perspektivën euroatlantike të vendit”.
“Dua të theksoj edhe një herë, fuqishëm, se institucionet e Kosovës në asnjë rrethanë nuk janë palë e këtij pretendimi të aranzhimit teknik, por Qeveria e Republikës së Kosovës do ta vazhdojë luftën e pakompromis ndaj fenomeneve negative”, tha Thaçi.
Ndërsa, çështja e protokollit të EULEX-it me Serbinë po finalizohet, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën, Pitër Feith, në një komunikatë për opinion ka kërkuar nga EULEX-i të vë nën kontroll pikat kufitare të Kosovës me Serbinë në pjesën veriore, duke kërkuar për herë të parë që atje të fillojë edhe mbledhja e taksave doganore.
“E përkrahim plotësisht punën e ndërmarrë nga misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, për mbajtjen e pranisë së tij të pandërprerë në Portat 1 dhe 31 në veri të Kosovës që nga data 9 dhjetor 2008”, thuhet në deklaratën e zotit Feith.
“Në linjë me mandatin e tij, EULEX-i është i angazhuar që të vazhdojë të përmirësojë punën e doganave në mbarë Kosovën, dhe të rivendosë kontrollet e plota doganore në Portat 1 dhe 31 në mënyrë që të përmirësojë mbledhjen e të hyrave dhe të parandalojë kontrabandimin e mallrave dhe evazionin e taksave”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e zotit Feith.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar një vendim pozitiv për Kosovën nga ana e Brukselit, në lidhje me përfshirjen e Kosovës në proceset integruese.
Thaçi tha se pret që në vjeshtë Brukseli t’i dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin evropian për procesin e integrimeve.
“Sot dua t’ju konfirmoj lajmin e ri nga Brukseli, i cili është konfirmuar për Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Një lajm shumë pozitiv, që Kosova gjatë fillimit të kësaj vjeshte do ta pranojë udhërrëfyesin pozitiv të perspektivës evropiane. Një udhërrëfyes ky për shtetin tonë, një udhërrëfyes i agjendës së qartë evropiane dhe meritore të perspektivës evropiane për Kosovën shtet i pavarur, sovran dhe demokratik”, theksoi Thaçi.
Ndryshe, protokolli i EULEX-it me Serbinë për bashkëpunim policor, ka nxitur reagime kundërshtuese nga Prishtina zyrtare, por njëherësh, institucionet vendase në vazhdimësi janë deklaruar për bashkëpunim me BE-në në proceset integruese.
Analistët patën paralajmëruar se Kosova do të mund të kërkonte në këmbim të protokollit udhërrëfyesin evropian, i cili mes tjerash i qartëson rrugën Kosovës për proceset integruese, përfshirë edhe atë të liberalizimit të vizave, në të cilin Kosova ishte lënë krejt anash për shkak të pengesave që asaj i shkakton mosnjohja nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.