Ndërlidhjet

Protokolli (s’)e cenon sovranitetin


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina

Pas debateve dhe polemikave të shumta rreth ndikimit që mund të ketë protokolli për policinë, i nënshkruar në mes EULEX-it dhe Serbisë, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë ritheksuar se ai nuk do ta cenojë sovranitetin e shtetit të Kosovës. Një mendim ndryshe për këtë çështje dha drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi.

Përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë kanë theksuar se protokolli për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë nuk e cenon sovranitetin e Kosovës dhe se ai i kontribuon, sikurse Kosovës, po aq edhe Serbisë.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith, tha se protokolli për policinë ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë serbe bëhet në kuadër të kompetencave që EULEX-i ka në nivelin lokal, qendror dhe atë rajonal.

Diplomati holandez nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen EULEX-i të nënshkruajë marrëveshje të ngjashme edhe për dogana dhe fusha të tjera.

“Protokolli me Ministrinë e Brendshme të Serbisë nuk e cenon sovranitetin e Kosovës dhe nuk është i dëmshëm për sovranitetin kosovar, pavarësinë apo integritetin territorial”, thotë Feith, duke hedhur poshtë zërat se protokolli EULEX-Serbi për policinë të ketë lidhshmëri me planin 6-pikësh për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë të kreut të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.

Rikthimi i sundimit të ligjit në pjesën veriore, ndërkohë, sipas ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Endru Sparks, është ndihmesa kryesore të cilën, do t’ua ofrojë protokolli në fjalë autoriteteve përgjegjëse.

“Protokolli ndihmon sundimin e ligjit, veçanërisht në veri të Kosovës. Është një gjë e mirë për Kosovën dhe Serbinë. Serbia nuk mund ta nënshkruajë drejtpërdrejt një marrëveshje me Kosovën, sepse ende nuk e njeh Kosovën dhe në bazë të këshillave ligjore, protokolli nuk e dëmton sovranitetin e Kosovës”,
theksoi Sparks.

Në lidhje me sovranitetin e Kosovës dhe ndikimin që ka pasur prania evropiane në vend që nga shpallja e pavarësisë, drejtori i Klubit për Politikë të jashtme, Veton Surroi, tha se është relativizuar koncepti i sovranitetit.

“Në këtë një vit e gjysmë është shpjeguar dhe përsëritur se ka sovranitet dhe, edhe sot përsëritet se ka sovranitet. Në të njëjtin moment kur nënshkruhet një dokument në emër të atij sovraniteti, ose duke u thirrur në instrumentet e atij sovraniteti”,
deklaroi Surroi duke e cilësuar negativ ndikimin e protokollit EULEX-Serbi në dy aspekte:

Krijimin e ndjenjës së përgjithshme në Kosovë të mungesës së sovranitetit të institucioneve; dhe në krijimin e një klime negative e paragjykuese ndaj EULEX-it, që, siç pohoi ai, do ta pengojë atë në zbatimin e punës së tij drejt forcimit të sundimit të ligjit.

Disa pjesëmarrës të debatit vlerësuan se me nënshkrimin e protokollit për polici ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, shtetit serb po i lehtësohet puna në përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash me Bashkimin Evropian.

Mirëpo, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Feith, theksoi se Brukseli zyrtar po punon në drejtim të integrimit si bllok të rajonit, përfshirë Kosovën, në BE.

“Nuk është vetëm Kosova që ka një perspektivë evropiane; për këtë duhet të jemi shumë të qartë. Kjo vlen për tërë rajonin. Kjo vlen edhe për Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Serbinë Pra, ne dhe kolegët e mi në Bruksel jemi në proces për të lëvizur rajonin përpara, si një tërësi”
, shpjegoi Feith.

Mirëpo, në lidhje me këtë Surroi shfaqi një besim krejt tjetër.

“Gjithnjë e më pak ka perspektivë evropiane. Ka një perspektivë deklarative, e cila përsëritet çdo herë, por realisht Kosova gjithnjë e më pak ka kapacitet kontraktual me Bashkimin Evropian”,
tha ai.

Në konferencën e organizuar për media nga Klubi për Politikë të Jashtme, mori pjesë dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, fjalimi i të cilit u përqendrua më tepër në aspektin historik të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
XS
SM
MD
LG