Ndërlidhjet

Demaçi: Këtu ekziston një mafi ndërkombëtare


Adem Demaçi
Adem Demaçi

"Një mafi ndërkombëtare, e cila po vepron në atë mënyrë që nuk po pyet për vullnetin, as për interesin e popullit, por po vepron për t’i mbushur xhepat e vet", thotë Adem Demaçi për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, si i vlerësoni ju këto debate që janë zhvilluar kohët e fundit mbi protokollet që janë nënshkruar dhe që do të nënshkruhen nga EULEX-i dhe Serbia?

ADEM DEMAÇI
Po vazhdon ajo çka ka filluar. Fillimi e burimi i të gjitha këtyre rrethimeve që po na i bën bashkësia ndërkombëtare, kanë nisur qysh në Rambuje, me aprovimin e Rezolutës 12 44, prej së cilës ne nuk po mund të dalim.

U bënë gabimet, pastaj iu bënë lëshime aq të mëdha zotit finlandez që na e bëri projektin, i cili për ne është katastrofal.

Në suazë të atij projekti, të cilin shqiptarët po e pranojnë e serbët nuk po e pranojnë, çka është absurditeti më i madh që s’e pranojnë serbët e shqiptarët e pranojnë, ose detyrohen ta pranojnë, tash na i imponojnë neve disa gjëra, që për çdo ditë, jo vetëm me rastin e këtij protokolli, po edhe me shumë gjëra tjera që po na vargohen, po tregojnë që faktikisht qeveria jonë është veç formalisht Qeveri, sepse kurdoherë që duhet të vendoset për gjëra serioze dhe për gjëra esenciale për të tashmen dhe për të ardhmen e Kosovës vendos dikush tjetër.

Edhe këta të Qeverisë u munduan të ngulin këmbë, por s’kishin me çka të ngulnin këmbë. Gabimi i tyre është vetëm që duhet t’i tregojnë popullit, t’i thonë që ne s’kemi asgjë në dorë. Po mundohemi diçka të bëjmë, por po e shihni edhe vetë që nuk po lë kjo oponenca jonë, sepse s’kemi mbulesë, s’po kemi ku të mbështetemi.

Prapë po duhet të bashkëpunojmë me ata, që po na detyrojnë të hyjmë në marrëveshje me një Serbi, e cila është plot me kriminelë; e cila po e vazhdon prapë rrugën e dikurshme të Millosheviqit; e cila po i vazhdon krimet edhe në Luginën e Preshevës, edhe kundër vllahëve, edhe kundër atyre boshnjakëve që i ka brenda territorit të vet, kurse bashkësia ndërkombëtare ata nuk po i sheh.

Nuk po i sheh serbët që i kemi në Mitrovicën e veriut, sjelljet e tyre kriminale mafioze, kurse i sheh disa protesta që i bëjnë djemtë e rinj të “Vetëvendosjes”. I rrotulluan disa vetura poshtë e përpjetë, ata menjëherë u kriminalizuan, kurse ata që po gjuajnë e po vrasin, e po pengojnë, për ata është diçka tjetër.

Ky është ai investimi më i keq që mund ta bëjë Evropa për edukimin e popullit tonë, që të mund ta pranojë demokracinë dhe të mund ta zbatojë demokracinë e vërtetë këtu te ne.

Këtu, mendoj se është një lëshim shumë i madh që Evropa nuk po e llogarit edhe kam frikë se në këtë mënyrë Evropa është duke i bërë dëm edhe vetvetes, si një udhërrëfyes i rrugës demokratike.

Gjithashtu, edhe popullin tonë po e dëmton, njëkohësisht po e dëmton edhe popullin serb, i cili duhet të dalë nga ky ngujim, ku e kanë ngujuar vetë regjimet e veta. Por, me lëshimet e shumta që po i bëhen nga ana e Evropës, ata, faktikisht, po e zgjasin jetën e kriminelëve e mafiozëve që janë në pushtet edhe po e dëmtojnë, në rend të parë dhe më së shumti, popullin serb.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, situata në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e njëjtë. Institucionet ë Kosovës ende nuk po mund ta shtrijnë autoritetin e tyre atje. Cili është mendimi i juaj për këtë?

ADEM DEMAÇI
Kjo është legalizuar, derisa veriu i është lënë UNMIK-ut, i cili do të duhej t’ia linte vendin EULEX-it, e që nuk ia la.

Faktikisht, është zyrtarizuar ajo ndarje, për të cilën përgjigjet dhe është kompetent UNMIK-u. Kurse kjo pjesa tjetër, është pjesa me të cilën po merret EULEX-i.

Kështu që, në perspektivën e afërt unë nuk shoh se do të integrohet ajo pjesë në kuptimin e integrimit, po vetëm do ta ketë fjalën.

RADIO EVROPA E LIRË
Më 23 shtator fillon në Nju-Jork Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Çka prisni nga ky takim i radhës?

ADEM DEMAÇI
Asgjë nuk pres, sepse ju po e shihni që faktorët kryesorë të Evropës, e edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i pranojnë zhvillimet, të cilat po shkojnë në dëm të pavarësisë së Kosovës, në dëm të krijimit të mundësive që të bëhemi edhe shtet sovran.

Mirë, faleminderit prej tyre që na pranuan 63 shtete, por çka po vlen kjo derisa Serbisë po i njihen disa të drejta?!

Edhe serbëve këtu, po u njihen disa të drejta që asnjë pakicë në botë nuk i ka. I njihet e drejta, p.sh., një pakice që pa dy të tretat e votave të tyre nuk mund të kalojë asnjë ligj, asnjë vendim në Kuvendin e Kosovës.

Kjo është diçka e paparë dhe kjo është padrejtësia më e madhe që rregullat e demokracisë nuk e njohin.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë të rejash mund të sjellin këto zgjedhje që do të mbahen më 15 nëntor, marrë parasysh rrethanat aktuale ekonomike dhe politike të Kosovës?

ADEM DEMAÇI
Vetëm mund të ndërrohen njerëzit, por sistemi dhe procesi nuk ndryshon. Qëllimi është që të ndryshojë sistemi dhe procesi, i cili po prodhon probleme dhe ato probleme, duke filluar prej korrupsionit e të gjitha të zezat tjera, me të cilat është pllakosur Kosova, nuk ka perspektivë që të hiqen nëse ndërrohen njerëzit, kurse vazhdon sistemi edhe vazhdon e njëjta rrugë dhe e njëjta sjellje si e atyre jashtë, si e këtyre brenda këtu në Kosovë.

Nuk jam optimist, sepse ja p.sh. na i premtuan vjet 1 miliard e 400 milionë euro, e askush nuk i përmend më ato.

Kur do të zhvillohet Kosova, kur do ta përparojë bujqësinë e vet, kur do ta ndërtojë industrinë e vet të lehtë, atë të rëndë, kur do ta zgjidhë problemin e energjetikës, kur do ta zgjidhë problemin e ujit?

Këto janë probleme që po na e vrasin syrin, trupin edhe shpirtin. Ja, po bëhet gati investimi në një termocentral, i cili do ta ndotë krejt Kosovën e vogël.

Në një të ardhme të afërt, ata do të detyrohen ta mbyllin atë termocentral, sepse krejt bota është ngritur kundër ndërtimit të termocentraleve me thëngjill, kurse tash fillojnë investime të reja në Kosovën e vogël që s’ka se si të mbrohet.

Këtu është një mafi ndërkombëtare, e cila po vepron në atë mënyrë që nuk po pyet as vullnetin e as interesin e popullit, por po vepron për t’i mbushur xhepat e vet.
XS
SM
MD
LG