E mërkurë, tetor 01, 2014 Kosova 12:16

Kur riemërohen gjykatësit?

Edhe pse Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe presidenti i vendit ende nuk kanë zyrtarizuar riemërimin e gjykatësve e prokurorëve të Kosovës, zyrtarë nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe i Prokurorisë zotohen se brenda vitit do ta përfundojnë misionin e tyre. Ata e quajnë esencial dhe të domosdoshëm tërë procesin e riemërimit të gjykatësve e prokurorëve kosovarë.

x

Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe i Prokurorisë ka përmbyllur fazën preliminare të riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë.

Tani, sipas përfaqësuesve të këtij komisioni, përcaktimi i emrave të gjykatësve dhe prokurorëve të parë të riemëruar në Kosovë varet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe presidenti i vendit.

Zyrtari i Njësitit për vlerësime profesionale në kuadër të Komisionit të Pavarur Gjyqësor të Prokurorisë, Keith Vud, i tha Radios Evropa e Lirë se lista prej 23 kandidatëve të rekomanduar i është dorëzuar tashmë Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Kjo listë, siç njoftoi ai, ka dalë pas intervistimit të 52 nga 84 kandidatët e paraqitur në fazën e parë.

“Këta 52 janë intervistuar për t’i mbushur 23 pozitat e nevojshme. Ky proces i intervistimit është kompletuar dhe emrat e kandidatëve të rekomanduar i janë dorëzuar Këshillit të Pavarur Gjyqësor në muajin shtator. Këto rekomandime do të merren parasysh nga Këshilli i Gjyqësor i Kosovës dhe do t’i dërgohen për emërim presidentit të Kosovës”, shpjegoi Vud.

Faza preliminare e procesit të riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve ishte lansuar në muajin shkurt të këtij viti me 891 aplikacione të dorëzuara në Komisionin e Pavarur Gjyqësor dhe të Prokurorisë.

Testin e etikës, i cili vlerësohet të ketë peshën kryesore në këtë proces, e kishin kaluar 77% e kandidatëve, duke e reduktuar në 670 numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve potencialë për riemërim.

Mirëpo, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe presidenti i vendit ende nuk kanë riemëruar zyrtarisht 23 gjyqtarët dhe prokurorët e rekomanduar pas fazës së parë të intervistimit.

Eksperti për çështje ligjore, Kujtim Kërveshi, tha se zvarritjet, siç i quajti ai, në procesin e riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve kanë shkaktuar një hendek institucional në Kosovë.

Ai tha se kandidatët që nuk e kanë kaluar testin e etikës dhe mungesa e interesimit të disa gjykatësve e prokurorëve për të kandiduar për riemërim, kanë bërë që gati gjysma e prokurorëve dhe gjykatësve, që aktualisht ushtrojnë këtë funksion, të mos jenë në gjendje të vazhdojnë punën e tyre pas procesit të riemërimit.

“Konsideroj se mungesa e mekanizmave efikas, në veçanti mosfunksionalizimi i Këshillit Gjyqësor dhe mosinteresimi i spektrit politik për t’u marrë me gjyqësinë, ka shkaktuar një hendek të madh institucional në Kosovë, e në veçanti pas shpalljes së pavarësisë”, tha Kërveshi.

Sidoqoftë, Vud theksoi se procesi është duke u zhvilluar sipas agjendës së paraparë që në fillim. Ai tha se në fund të vitit të ardhshëm mund të pritet përfundimi i tërë procesit të riemërimit.

“Natyrisht se ka pengesa eventuale që mund të shtyjnë procesin, por ne jemi duke shkuar sipas planit që kur kemi vendosur stafin dhe mendoj se jemi duke shkuar sipas agjendës. Ne parashikojmë ta përfundojmë këtë brenda një viti”, theksoi Vud, duke e quajtur esencial procesin e riemërimit të gjykatësve e prokurorëve kosovarë.

“Mendoj se është esencial dhe i rëndësishëm. Mendoj se emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve është një nga gjërat më të rëndësishme që, për momentin, po ndodh në këtë shtet, sepse ata janë pika e fundit e mbrojtjes për trajtim korrekt, mbrojtje të të drejtave, qoftë ato njerëzore, qoftë pronësore”.

“Apo, a do të dëgjohet rasti im në gjykatë nëse paraqitem në gjykatë? A do ta kem një dëgjim të drejtë apo të njëanshëm?- Mendoj se ky proces është esencial”,
u shpreh Vud.

Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe i Prokurorisë pritet që në muajin e ardhshëm të nisë fazën e dytë në këtë proces, e cila, siç parashikohet, do të përfundojë në maj të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, mësohet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pranuar listën nga ky komision dhe se në dy apo tri ditët e ardhshme pritet të marrë dhe dosjet e kandidatëve për t’i shqyrtuar ato dhe për t’ia dërguar listën përfundimatre të kandidatëve presidentit të Kosovës.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum