E enjte, shtator 18, 2014 Kosova 05:39

Certifikohet lista e votuesve

Komisioni Qendror Zgjedhor certifikon listën përfundimtare të votuesve. Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të drejtë vote kanë 1.5 milion qytetarë. Por, edhe kësaj here, lista përfundimtare nuk kaloi pa kritika. Sipas vetë anëtarëve të KQZ-së, rifreskimi i listës së votuesve nuk është i kënaqshëm.

x

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë unanime miratuan listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë listë është një milion e gjysmë qytetarë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, thotë se lista tashmë është rifreskuar me të dhëna të reja.

“Sipas shënimeve që i kemi, numri i përgjithshëm i votuesve është 1,563,741. Bazuar në të dhënat nga Departamenti për Prodhimin e Dokumenteve, Zyra për Shërbim të Votuesve ka larguar 22,851 votues të vdekur nga lista e votuesve, 3,000 nga të cilët nuk kanë marrë kurrfarë dokumenti të regjistrimit as nga UNMIK-u, e as nga institucionet e Kosovës, si dhe ka larguar 7 votues të regjistruar dy herë”, thekson zonja Lushta.

Nga ana tjetër, anëtarët e KQZ-së, që vijnë nga parti të ndryshme politike, konsiderojnë se lista aktuale dhe mënyra e rifreskimit të saj nuk është e kënaqshme.

Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florian Dushi, pohon:

“Nuk është i kënaqshëm rifreskimi i kësaj liste. Kjo vërehet nga aplikimi i qytetarëve dhe kërkesat e tyre për kundërshtim dhe konfirmim në afatin, i cili është caktuar për këtë çështje”.

“Shohim që një numër i vogël i qytetarëve kanë marrë pjesë në kuptimin e konfirmimit të emrit të tyre apo të tjetrit në listat e votuesve, ose të sfidimit të ndonjë emri, e këtu ka të bëjë kryesisht me rastet e personave që tashmë janë të vdekur”.


Anëtari tjetër i KQZ-së nga Aleanca Kosova e Re, Fadil Maloku, konsideron se lista e votuesve ende kërkon punë.

Sipas tij, lista e votuesve vazhdimisht duhet të rifreskohet.

“Ky proces do të duhej të vazhdonte dhe ende ka punë për të bërë, sepse ekzistojnë kontingjente të tjera, të cilat nuk janë mënjanuar nga lista për shkaqe të ndryshme. Ne e dimë që, si qytetarë, kemi rezerva që të shkojmë në komunë dhe të evidentojmë që ka vdekur dikush në familje, për shkak të privilegjeve të ndryshme”.

“Definitivisht, mendoj se lista e votuesve nuk është diçka që bëhet ad-hoc për një ditë, për një muaj, por është një listë që në mënyrë sistematike do të duhej që, institucionet që janë kompetente në këtë çështje, t’i evidentojnë edhe hyrjet, edhe daljet”,
thotë Maloku.

Sido që të jetë, përfaqësuesit e KQZ-së në listën përfundimtare të votuesve nuk kanë bërë të ditur se sa është numri i përgjithshëm i votuesve, të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum