E premte, korrik 25, 2014 Kosova 20:15

Aktuale

Liberalizimi i vizave më 2011-2012

Fotografi ilustrueseFotografi ilustruese
x
Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sa më parë që Kosova t’i përmbushë të gjitha obligimet e saj, aq më shpejt do të ndodhë edhe liberalizimi i vizave. Kështu u tha sot në një ligjëratë me studentë në Universitetin Amerikan në Prishtinë.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar me ritmin e paraparë që të gjitha obligimet rreth kësaj çështjeje të kryhen me kohë. Sipas tij, Bashkimi Evropian do ta mbështesë Kosovën në këtë drejtim.

“Komisioni Evropian, Bashkimi Evropian është i angazhuar formalisht që t’i mbështesë institucionet e Republikës së Kosovës në zbatimin e kritereve teknike për procesin e liberalizimit të vizave. Ju e dini se para propozimit të Komisionit Evropian, që ka qenë në tetor të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë disa hapa të njëanshëm, në drejtim të implementimit të kritereve të kërkuara”, tha Rexhepi.

Rexhepi nënvizoi se institucionet e vendit po shënojnë progres në zbatimin e shumë kritereve për liberalizimin e vizave. Por, siç u shpreh ai, ka edhe aso kriteresh, në të cilat po haset edhe në vështirësi.

“Kemi ende sfida; në radhë të parë përmendi procesin e riatdhesimit dhe kjo mbetet një prej sfidave”, theksoi Rexhepi.

Nga ana tjetër, udhëheqës i seksionit për politikë, ekonomi dhe integrim evropian në zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, Kaldun Sino, tha se propozimi për liberalizim të vizave nga viti i ardhshëm do të mund të bëhej, porse, siç tha ai, një propozim i tillë nuk do ta fitonte mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

“Ne kemi zhvilluar konsulta me këto shtete dhe ata kanë mundur ta pranojnë nisjen e dialogut për liberalizim vizash - një marrëveshje tregtare. Ajo që kemi bërë, është se kemi vendosur rrugën përpara për Kosovën. Ajo që kemi propozuar, është pothuajse e njëjta si për vendet tjera të rajonit”,
tha Sino, duke shtuar se tani është momenti politik për Kosovën.

Sipas tij, Komisioni Evropian e ka vendosur në tryezë propozimin për fillimin e dialogut për liberalizim vizash për Kosovën dhe sapo të jepet drita jeshile, do të vazhdojë procesi.

Atëherë, theksoi Sino, ky proces do të shndërrohet në një proces teknik.

Ndërkaq, eksperti për integrime evropiane, Fatmir Curri, vlerësoi se nëse institucionet e vendit punojnë shpejt dhe i përmbushin kriteret, atëherë mund të thuhet se në fund të 2011-ës, përkatësisht në fillim të 2012-ës, mund të ketë lëvizje të lirë të kosovarëve në vendet e BE-së.

Nëse Qeveria konsideron që kriteret do të plotësohen në një shkallë të mirë, nga fillimi i vitit 2011, ndoshta viti 2011 do të ishte vit kur Komisioni do ta bënte vlerësimin pozitiv, të propozojë kalimin e Kosovës nga aneksi një në aneksin dy, në mënyrë që gjatë mujorit të dytë të vitit 2011 të merret vendimi dhe nga 1 janari i viti 2012 të mund të udhëtohet lirisht”, vlerësoi Curri.

Komisioni Evropian në raportin e progresit pati kritikuar autoritetet kosovare se nuk po bëjnë sa duhet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa, proceset kryesore që Kosova duhet t’i përmbushë për liberalizim vizash janë: menaxhimi i integruar i kufijve, pasaportat biometrike, riatdhesimi, zbatimi i strategjisë për migracion etj.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum