Ndërlidhjet

FT: “Të drejtat e njeriut, forma më e lartë e realizmit”


“Financial Times”

Shkruan: Xhon Mekejn



Dy dekada më parë, bota pa se si miliona njerëz vërshuan rrugët e Berlinit. Ata vinin nga lindja dhe perëndimi. Ata zhbënë një nga monumentet më të mëdha të skllavërisë.

Duke bërë një gjë të tillë, gjermanët jo vetëm u ribashkuan me njëri-tjetrin, por sollën në dritë dhe idenë e Evropës së tërë, të lirë dhe në paqe.

Rënia e Murit të Berlinit, që u pasua nga rënia e komunizmit, ishte punë e shumë duarve, nga lindja dhe perëndimi, evropianë e amerikanë, ushtarë e burrështetas.

Goditja më e thellë totalitarizmit ndoshta iu dha nga thirrja universale për të drejtat e njeriut, lirisë dhe jetës, mbrojtjes së pronës dhe qeverisjes nga ligji.

Perëndimi i mbështet këto vlera. Gjithë ata përtej Perdes së Hekurt që u besuan këtyre vlerave, i patën ndihmë për të fituar Luftën e Ftohtë.

Ajo që mësojmë nga kjo përvojë është se qeveritë që respektojnë të drejtat e njeriut, duhet t’i bëjnë ato pjesë të politikës së jashtme. Kjo nuk është vetëm e drejtë për t'u bërë, por shënon një formë të lartë të realizmit.

Karakteri i regjimit nuk mund të jetë i ndarë nga sjelljet e tij. Qeveritë që keqtrajtojnë dhe gënjejnë popujt e tyre, sipas të gjitha gjasave, do të bëjnë të njëjtën gjë me ne.

Natyrisht ka momente kur ne, mbështetësit e të drejtave të njeriut, të gabojmë dhe të shkelim standardet tona të larta. Në kohë të tilla, miqtë e vërtetë janë aty për të na kujtuar.

Natyrisht, ne duhet të respektojmë dëshirën e disidentëve që nuk e duan mbështetjen tonë. Por, kur protestuesit nëpër rrugë thërrasin emrin tonë, kërkojnë ndihmën tonë dhe i shkruajnë parrullat në anglisht, këto janë shenja të mjaftueshme se ata kanë nevojë për ne.

Ne u detyrohemi atyre. Kur qytetarët në mënyrë paqësore kërkojnë të drejtat e tyre, ne duhet t’i nxisim të vazhdojnë. Kur ata dërgohen nëpër burgje, duhet të kërkojmë dhe të punojmë për lirimin e tyre.

Kur ata përballen me dhunë, ne duhet ta dënojmë dhunën dhe t’ua kujtojmë ushtruesve të saj se veprimet e tyre nuk do të harrohen.

Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të flasim me ata që nuk i respektojnë të drejtat e njeriut. Por, kurrë nuk duhet të heshtim për mënyrën se si ata trajtojnë popullin e vet.

Kujtoj presidentin Regan. Ai ishte gjithmonë i gatshëm të përfshihej në bisedime me sovjetikët, kur duhej të çonte përpara interesat tona. Në të njëjtën kohë, ai u tha sovjetikëve se perandoria e tyre do përfundonte në hirin e historisë.

Rënia e Murit të Berlinit bëri histori, por historia në të vërtetë u bë nga gra e burra të panumërt, që për shumë dekada kërkuan një botë, ku të drejtat e tyre respektoheshin.

Këta ëndërrues të paduruar janë ende sot. Ata i gjen në Iran, në Kuba, Zimbave apo Mijanmar. Shtete si këto, armiqësore ndaj të drejtave të njeriut, ndonëse mund të duken të qëndrueshme, po gërryhen nga brenda. Ato i mban vetëm frika dhe forca, por njerëzit nuk mund të jenë përjetësisht të frikësuar.
XS
SM
MD
LG