E enjte, prill 24, 2014 Kosova 11:27

Aktuale

KQZ shpall rezultatet përfundimtare

x
Madhësia e shkronjave - +

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare për kryetarë komunash. PDK-ja ka fituar në pesë komuna, LDK-ja në dy, AAK-ja në katër komuna, SLS-ja në tri...


Nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë komunash të shpallura nga Komisioni Qendror Zgjedhor, konstatohet se balotazhi do të zhvillohet në 21 komuna dhe jo në 20, siç qe paraparë.

Ndryshe nga rezultatet preliminare, ku Lidhja Demokratike e Kosovës fitonte Podujevën që në raundin e parë, rezultatet përfundimtare e çojnë këtë komunë në balotazh, ku do të garojnë kandidati i LDK-së kundrejt atij të Partisë Demokratike të Kosovës.

Pesëmbëdhjetë komuna janë fituar pa balotazh.

PDK-ja, sipas rezultateve përfundimtare, ka fituar në pesë komuna: Ferizaj, Skënderaj, Gllogovc, Shtime, Zubin-Potok dhe është në balotazh në 17 komuna.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar Prishtinën dhe Fushë-Kosovën dhe është në balotazh në 12 komuna.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar Deçanin, Gjakovën, Zveçanin dhe Leposaviqin dhe është në balotazh në 7 komuna.

Partia Liberale Serbe, Graçanicën dhe Kllokotin, ndërsa garon në raundin e dytë në Shtërpcë.

Kandidati i Partisë Demokratike Turke do ta udhëheqë Mamushën. Ndërsa, ai i Iniciativës Qytetarë për Ranillugën, do të qeverisë komunën e re të Ranillugut.

Balotazhi

Partia Demokratike e Kosovës shkon në balotazh me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Prizren, Gjilan, Malishevë, Dragash, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Kamenicë.

Në Mitrovicë shkon në balotazh Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re.

Ndërsa gara për Pejën më 13 dhjetor zhvillohet mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Dardanisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës shkon në balotazh me AAK-në në Istog dhe Junik.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë shkojnë në balotazh në Viti.

Mes PDK-së e AAK-së gara për kryetarë komune do të zhvillohet në Klinë, Kaçanik, Vushtrri dhe Suharekë.

LDK-ja do të jetë në garë me Partinë Nacional-Demokrate Serbe për të fituar Novobërdën.

Ndërsa, në komunën tjetër të përzier etnikisht, Shtërpcë, garon në raundin e dytë Partia Liberale Serbe kundër PDK-së.

PDK-ja do të garojë kundër kandidatit të pavarur Rufki Suma në Han të Elezit.

Ndryshe, në zgjedhjet e 15 nëntorit, sipas KQZ-së, kanë marrë pjesë 44. 67 për qind e votuesve. Kryetarja e KQZ-së ka thënë se anulimi i rezultateve në disa vendvotime nga ana e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nuk ka pasur ndikim në rezultatin përfundimtar.

“Nëse nga 2256 vendvotime janë anuluar vetëm 23, atëherë po del se është anuluar vetëm një për qind e të gjitha vendvotimeve. Mund të llogaritni se a ka pasur kjo ndonjë ndikim, apo jo”, tha Lushta, duke mos dhënë detaje se sa është totali i votave që janë anuluar.

Por, njëri nga 11 anëtarët e KQZ-së, i cili i ka qenë i vetmi që nuk ka miratuar rezultatet e sotme, Fadil Maloku nga Aleanca Kosova e Re, ka kritikuar KZAP-in për, siç ka thënë, vonesa ligjore, gjë që, sipas tij, ka ndikuar edhe në shpalljen e rezultateve të sotme.

Në fakt, neve na ka vonuar KZAP-i dhe duhet thënë edhe publikisht se në KQZ ishte një mendim unanim se krejt këto vonesa që na i ka shkaktuar KZAP-i, fitohet përshtypja se ai institucion nuk i ka punët mirë; nuk e ka kryer punën si duhet, nuk e ka kryer obligimin e vet kushtetues”, tha Maloku.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka bërë të ditur se certifikimi i këtyre rezultateve pritet të bëhet javën e ardhshme, kur edhe pritet të shpallen rezultatet për asambletë komunale.

Albana Isufi

albana.isufi+gmail.com

Albana Isufi merret me gazetari nga viti 2001. Si korrespondente nga Prishtina për Radion Evropa e Lirë ka punuar nga janari i vitit 2004. Nga janari i vitit 2012 punon si gazetare/redaktore në programin për Kosovën të Radios Evropa e Lirë në Pragë.
Twitter
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Liridoni Prej : Gjakovë
14.12.2009 18:57
The winer is PDK .... partia nr. 1 ne Kosove ... te pa-mposhtur :D
URIME te gjitheve per fitoren e madhe (Y)