E enjte, nëntor 27, 2014 Kosova 12:45

Kronika

Braktisja e shkollës – në rënie

Gjendja e rëndë ekonomike, mungesa e vetëdijes për ndikimin e edukimit parashkollor si dhe mungesa e traditës së edukimit, janë disa nga faktorët kryesorë, të cilët ndikojnë në braktisjen e shkollave nga nxënësit në Kosovë. Zyrtarë të institucioneve arsimore në vend thonë se kanë marrë masa për parandalimin e kësaj dukurie.

Fotografi ilustrueseFotografi ilustruese
x
Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Komisioni Evropian në raportin e progresit kishte kritikuar Kosovën në fushën e arsimit, duke thënë se niveli i braktisjes së shkollës nga nxënësit është i lartë.

Këto kritika të Komisionit Evropian i hedhin poshtë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, të cilët thonë se kjo dukuri nuk është e përmasave të larta, ashtu siç është paraqitur në këtë raport.

Këshilltari i ministrit të Arsimit, Nehat Mustafa, shprehet:

“Raporti i Komisionit Evropian përshkruan periudha pak më të hershme, pasi që të mbledhin shënime, pastaj i publikojnë”
.

“Por, jemi të sigurt se që nga shtatori i këtij viti, ky numër ka rënë dukshëm. Ne, si ministri, nuk do të jemi të kënaqur nëse ekziston edhe një nxënës, i cili e braktis shkollën”.


Shumë shpejt, sipas këshilltarit të ministrit, Mustafa, Kosova do të jetë një prej vendeve që do të ketë nivelin e braktisjes së shkollës më të ulët, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.

Megjithatë, ai shton se braktisja e shkollimit nga nxënës të të gjitha moshave, paraqet një shqetësim për institucionet arsimore.

“Statistikat nuk ekzistojnë të saktë, pasi që ka raste kur nxënësit shkojnë nga një shkollë në shkollën tjetër, ndërsa në listat e shkollave evidentohen si braktisje”.

“Ne jemi duke krijuar data-base të shënimeve të sakta dhe përmes tyre, ne do ta përcjellim gjendjen reale”,
sqaron Mustafa, duke shtuar se Ministria e Arsimit ka krijuar plane konkrete për zvogëlimin e kësaj dukurie.

Megjithatë, organizata joqeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve në Kosovë, vazhdimisht potencojnë se braktisja e shkollës nga ana e nxënësve mbetet një dukuri shqetësuese.

Udhëheqës i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, Ali Bajgora, thotë se eliminimi i fenomenit të braktisjes së shkollës duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve, si vendore ashtu edhe atyre ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Kosovë.

“Duke pasur parasysh evidencat e mëhershme, të cilat kanë qenë publike nga institucionet, rezulton se një numër i madh i fëmijëve, por edhe të rinjve kanë braktisur shkollën”.

“Në këtë mënyrë, janë krijuar probleme të natyrës sociale dhe natyrave tjera. Ngecja në shkollim të gjeneratave të reja është një çështje që reflekton pasoja negative në shoqëri”,
thotë Bajgora.

Sipas Bajgorës, gjendja e rëndë ekonomike nuk është faktori kryesor që ndikon në braktisjen e shkollave, por niveli i ulët i vetëdijesimit të qytetarëve për rëndësinë e shkollimit dhe angazhimi jo i mjaftueshëm i institucioneve vendore në këtë drejtim.

Ndërkohë, ish-ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agim Veliu, thotë se të gjitha institucionet kosovare si dhe mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, duhet të ndërmarrin hapa adekuatë për parandalimin e kësaj dukurie negative për shoqërinë.

“Të gjitha institucionet e Kosovës duhet ta kryejnë pjesën e punës së vet dhe t’i luftojmë ata faktorë që ndikojnë t’i braktisin shkollat. Ne mund t’i luftojmë shumicën e faktorëve”.

“Faktorë që shtyjnë fëmijët t’i braktisin shkollat janë largësia e disa familjeve nga shkolla, gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale, si dhe faktorë tjerë, të cilët mund të luftohen
”, thekson Veliu.

Ndryshe, zvogëlimi i braktisjes së shkollimit dhe rritja e numrit të fëmijëve që do ta vijojnë arsimin parashkollor, mbeten dy sfidat më të mëdha në fushën e arsimit në Kosovë.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum