Ndërlidhjet

Hagë: Kosova përballë Serbisë


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Të martën, në Hagë, fillon procesi i interpretimit juridik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Prishtina zyrtare thotë se është e përgatitur për këtë proces, i cili është iniciuar nga Serbia.



Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, nga dita e nesërme, fillon seancat dëgjimore në kuadër të procesit të interpretimit juridik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ky proces ishte iniciuar nga Serbia dhe miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Pas deklaratave me shkrim të palëve në proces, tani, për 10 ditë rresht, pasojnë seancat dëgjimore, ku Serbia, si iniciuese, dhe Kosova, si palë që mbron të drejtën e saj për pavarësi, bashkë me vendet e paraqitura në këtë proces, do t’i ballafaqojnë argumentet e tyre.

Zëdhënësja e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Albana Beqiri, tha se Kosova beson në paanësinë e GJND-së dhe beson në të drejtën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi, kështu që i fillon paraqitjet në Hagë me optimizëm për interpretim në favor të Kosovës.

“Kosova do t’i ketë nesër 3 orët e veta dhe prezantimi i Kosovës do të fillojë në ora 3 pasdite. Fjalën hyrëse do ta mbajë ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, i cili është edhe kryesues i delegacionit të Kosovës”.

“Pas fjalëve të tij, Kosova do të prezantohet nga ekspertët dhe këshilltarët ndërkombëtarë, Majkëll Vud, Daniel Myller dhe Shën Marfi. Pas ditës së nesërme deri më 11 dhjetor do të ketë dëgjime, deklarata të shteteve, të cilat janë pro apo kundër pavarësisë së Kosovës”,
theksoi Beqiri.

Ndërkohë, analisti Driton Lajçi, ndonëse shprehu bindjen e tij personale se finalja e këtij procesi do të duhej të ishte pozitive për Kosovën, megjithatë tha se gjasat për Kosovën dhe Serbinë që të nxjerrin një mendim pozitiv këshillëdhënës nga GJND-ja, janë të barabarta.

“Po qe se duam të jemi realistë, gjasat janë 50 me 50, për faktin se edhe tabori i gjyqtarëve prej vendeve nga vijnë duket se është i ndarë: janë gjyqtarë që vijnë nga vendet që e kanë njohur Kosovën dhe gjyqtarë nga vende që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran”.

“Ka shumë situata tjera, të cilat ndikojnë në bindjen e gjyqtarëve, edhe pse, në parim, gjyqtarët do të duhej të ishin të pavarur dhe t’i marrin në konsideratë argumentet e palëve që do t’i prezantojnë të dyja palët”,
tha Lajçi.

Efektet që mund t’i ketë mendimi këshillëdhënës i GJND-së për Kosovën, sipas Lajçit, do të reflektohen në procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare. Andaj, sipas tij, është shumë e rëndësishme që Kosova ta fitojë betejën juridike për pavarësinë e saj në GJND.

“Bazuar në parimin e ndarjes së drejtësisë dhe vendimmarrjes së Kombeve të Bashkuara, do t’i kënaqë të dyja palët dhe secila palë do ta gjejë veten fituese aty apo humbëse”.

“Është shumë me rëndësi që GJND-ja të mos marrë vendim negativ sa i përket ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, sepse kjo do të kishte efekt, refleksion tek ato vende, të cilat e kanë pezulluar procesin e njohjes së Kosovës me argumentin e pritjes së opinionit që duhet të japë GJND-ja
”, tha Lajçi.

Gjatë seancave dëgjimore, e para pritet të flasë Serbia si palë iniciuese e procesit, kurse më pas, argumentet pro-pavarësisë dhe shpalljes së këtij akti në harmoni me të drejtën ndërkombëtare do t’i paraqesë Kosova. Të dyja palët do të kenë në dispozicion nga 3 orë.

Gjithashtu, për seancat dëgjimore janë paraqitur edhe 29 shtete, prej tyre 15 në favor të pavarësisë së Kosovës dhe 14 në anën e Serbisë.

Seancat dëgjimore pritet të zgjasin deri më 11 dhjetor. Ndërkaq, mendimi këshillëdhënës i GJND-së rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës konform së drejtës ndërkombëtare, sipas Prishtinës, besohet se mund të pritet diku në pranverën e vitit 2010.
XS
SM
MD
LG