Tensionet ndëretnike në arsim
Shkup, ndërtesa e Qeverisë 03.02.2010
Tensionet ndëretnike në arsim, pas vendimit të dikasterit përkatës që nxënësit shqiptarë ta mësojnë maqedonishten që nga klasa e parë, si dhe bojkoti i mësimit nga nxënësit maqedonas, që pasoi si rrjedhojë e rrahjes mes nxënësve shqiptarë dhe atyre maqedonas në Tetovë, janë refleks i politikës aktuale të lidershipit të vendit, theksojnë përfaqësuesit e sektorit civil.
Sipas rezultateve të anketës së fundit të Qendrës për Tolerancë Ndëretnike, 78 për qind e të anketuarve thonë se raportet ndëretnike janë përkeqësuar, ndërkohë që 3/4 e të anketuarve vlerëson se mosdurueshmëria ndërnacionale është në rritje mes dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni.
Vllado Dimovski, sekretar i përgjithshëm i Qendrës për Tolerancë Ndëretnike, thotë se këto rezultate janë nga më të këqijat që nga viti 2001.
“Analizat tona, të cilat jemi duke i realizuar dhjetë vjetëve të fundit, lidhur me raportet ndëretnike, tregojnë se tensionimi i raporteve ndëretnike, para së gjithash, është pasojë e politikës që po ndjek pushteti”, thekson Vllado Dimovski.
Dimovski nënvizon se mostoleranca mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy etnitetet më të mëdha në vend, është në pikën më të lartë negative që nga konflikti i armatosur më 2001.
Ndërkaq, sipas Alajdin Demirit, politikolog, marrëdhëniet ndëretnike në vend, në formë sistematike, janë të provokuara nga partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, dhe “këtë prishje të egër”, siç e quan ai, të raporteve ndëretnike, e ndihmon edhe partia shqiptare, pjesë e Qeverisë, BDI-ja, me qëndrimin e saj indiferent.
“E para është krishterizimi i Maqedonisë, duke tentuar që të ndërtohen kisha vend e pa vend, vetëm e vetëm për të dëshmuar se Maqedonia është shtet i krishterë dhe në të nuk ka vend për asgjë tjetër”.
“E dyta është imponimi me dhunë, apo me ligj, i mësimit të gjuhës maqedonase për fëmijët shqiptarë, që nga klasa e parë, jashtë të gjitha normave pedagogjike, jashtë kuptimeve sociale”, thekson politikologu Alajdin Demiri, duke shtuar se kjo bëhet me qëllim që shteti të demonstrojë fuqi dhe, njëkohësisht, të imponojë pranim të këtillë nga shqiptarët.
Nga ana tjetër, kryetari i organizatës joqeveritare “Realiteti”, Valon Bela, thekson se imponimi i së drejtës ekskluzive që për gjithçka të vendosin vetëm udhëheqësit maqedonas, është ajo që e ka mbushur kupën, sa i përket kërcënimit të marrëdhënieve ndëretnike.
“Si OJQ, nuk e shohim problemin nëse shqiptarët shahen mes vete, ose etiketohen, sepse një gjë e këtillë ndodh kudo në shoqëritë botërore”.
“Por, problem paraqet kur institucionet diskriminojnë qytetarët, pra relacioni institucion - qytetar, siç është rasti ku pa konsultimin e palës shqiptare është marrë vendim të mësohet maqedonishtja që në klasën e parë, nga nxënësit shqiptarë”, shprehet Bela.