Këndi tematik

 


Kronika

Katër konsorciume në garë

Përditësimi i fundit: 05.03.2010 16:20

Komiteti drejtues për Termocentralin “Kosova e re” njoftoi sot se katër konsorciume ndërkombëtare, nga gjashtë sa kanë aplikuar për këtë projekt, i kanë përmbushur kriteret për ndërtimin e këtij termocentrali.


Konsorciumi Adani Power / PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric lid / Demir Export A.S nga SHBA-të dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi PPC/ Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania, janë ofertuesit e kualifikuar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, bënë të ditur përfaqësues të Komitetit drejtues të këtij projekti.

Drejtuesja e Komitetit, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula, tha se Qeveria është shumë e kënaqur me interesimin e këtyre kompanive.

Ajo theksoi se deri në fund të prillit pritet të nxirret drafti i tenderit, kurse deri në korrik do të përfundojnë të gjitha negociatat për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë
termocentralin.

“Është kënaqësi që në këtë krizë ekonomike globale dhe në kuadër të ndryshimeve që kemi pasur në projekt, është paraqitur një numër i konsiderueshëm i kompanive dhe një numër i kompanive që kanë kredibilitet në botë”
, tha Shiroka Pula.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave po ashtu bëri të ditur se në mesin e këtyre kompanive janë edhe dy kompani që kanë shprehur interes edhe më herët: AES nga SHBA-të, kompani kjo e cila ka qenë në konsorcium me kompaninë çeke CEZ, si dhe PPC nga Greqia, por që tani janë në konsorcium me kompani të tjera.

Ndërkohë, mosparaqitja e kompanisë gjigante çeke, CEZ, në shpalljen e interesit, lë të kuptohet se kjo kompani përfundimisht ka hequr dorë nga ky projekt.

Projekti “Kosova e re” është duke u shtyrë vit pas viti. Kjo është hera e dytë që ka pasur shprehje të interesit. Ministrja Shiroka Pula shprehu bindjen se projekti nuk do të dështojë dhe njëra nga katër kompanitë garuese do të jetë fituese e tenderit.

Dizajnimi i paketës është shumë më i afërt me nevojat e Kosovës dhe shumë atraktiv për investitorët, në krahasim me paketën që ka qenë herën e kaluar. Paketa që ka qenë herën e kaluar, ka qenë me disa kritere që nuk kanë qenë të aplikueshme dhe të mundshme të realizohen në Kosovë”, tha ajo.

Mbështetje të plotë ndërtimit të termocentralit “Kosova e re” i ka dhënë Banka Botërore në Kosovë. Përfaqësuesi i saj, Ranxhit Najak, tha se përzgjedhja e katër ofertuesve në listën e ngushtë do të garantojë një proces mjaft konkurrues.

“Kjo listë e ngushtë e ofertuesve është e cilësisë së lartë. Secila kompani ka treguar aftësi të mëdha për të ofruar produktin përfundimtar të teknologjisë më moderne. Katër ofertuesit e listës së ngushtë gjithashtu përbëjnë një proces konkurrues, një konkurrencë të madhe, që do të thotë se Kosova do ta arrijë marrëveshjen më të mirë”.

“Ka edhe shumë punë për t’u bërë që të përgatisim një transaksion të suksesshëm gjatë muajve të ardhshëm dhe Banka Botërore është në dispozicion dhe do ta përkrahë kompletimin e këtij projekti”,
deklaroi Najak.

Ndërsa, këshilltari i transaksionit, Mark Hughes, tha se pas rikonfigurimit të projektit nga Qeveria e Kosovës dhe përfshirjes në të edhe të termocentralit “Kosova B”, ky projekt do të këtë sukses.

“Koherenca strategjike zhvillon përfshirjen e vazhdueshme të Qeverisë, sikurse në aspektin e minierave, ashtu dhe në atë të gjenerimit. Kjo do t’i kontribuojë Qeverisë në zhvillimin e këtij biznesi”, theksoi Hughes.

Edhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të USAID-it u zotuan se do të vazhdojnë ta mbështesin këtë projekt, i cili, siç thuhet, është me rëndësi strategjike për Kosovën.

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” pritet të fillojë në vitin 2011. Termocentrali parashihet t’i ketë fillimisht 500 megavate, me mundësi të shtimit edhe të 500 megavateve të tjera.

Kostoja e ndërtimit llogaritet të shkojë deri në një miliard euro, shumë kjo që do të bashkëfinancohet nga Qeveria dhe kompania fituese.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
     
Komentet
Nga : albin Prej : franc
07.03.2010 22:19
ju pershendes juve ne redaksi dhe te gjith lexuesit mefalni po per mendimin tim ompanitgreke as qe duhet tu lejohet e konkurojn e lere te marrin ndonje teder e jo vetem greqij po asnje nga ato shtete se nuk e kan njohur republken e ksoves shtet sovran dhe te pa varur mua me vjen turp nga qeverija e kosoves e cila vertet esht per tu befasuar me kso eprime vertet nuk i ha fare palla per gjakun e derdhur te deshmore tan dhe per ter at sakrific qe e ka ber poplli i gjor edhe po e ban ende e qeerija ju shpall tendera sllave ga kreqja ose sikur te gjith ata kinz qevin kosov e kina eshtaleat i fuqishm i serbis deri kur ko qeveri do te qendrj n gjum esht koha pertu zgjuar dhe tihapur syt ore qeveritar te qendr ju pershendes dhe bavo juve ne fotejet e kosoves respektt.

Nga : Halim Prej : Kosove
07.03.2010 21:20
Mendoj se edhe kesaj here ministria do te deshtoj. Kompanite te cilat jane ne gare nuk jane kompani te njohura. CEZ e cila nuk eshte ne gare ne keet projekt ka qene e vetmja kopnai e fort dhe serioze. Asnje gje qeveria e Kosoves nuk eshte duke bere si duhet. Faleminderit per informatat qe po na i sillni ju Radio Evropa e Lire.

Nga : une Prej : London
05.03.2010 21:20
Kurrsesi nuk duhet te lejohen shtetet qe nuk e kan njohur Kosoven si shtet,nese lejohen ato shtete kjo ashte tradheti ndaj Kosoves dhe te gjithe Kosovaret duhet te qohen ne protesta deri te ndalohet nje gje e tille,mjaft keni ba pazare ne dame te popullit,populli duhet ta marre vete kontrollin e Shtetit.
     

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSSMobile