Tweet

Këndi tematik


Kronika

Sektorët strategjikë për zhvillimin ekonomik

06.03.2010

Analistë të çështjeve ekonomike në Prishtinë sugjerojnë autoritetet kosovare që, për të nxitur zhvillimin ekonomik, duhet të përkrahin sektorin privat, të bëjnë investim të fuqishëm dhe subvencionim substancial në sektorin e bujqësisë, si dhe të ngrenë kualitetin edukativ arsimor. Sipas tyre, pa investimin e Qeverisë së Kosovës në këto fusha, nuk pritet të ketë zhvillim të hovshëm ekonomik.


Kosova, e cila ka kaluar në tranzicione të trefishta, në nivel ekonomik, në nivel shoqëror dhe në nivel të konfliktit, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, duhet të punojë shumë gjatë këtyre viteve, që të ketë zhvillim ekonomik.

Një përmirësim i gjendjes aktuale, sipas tyre, mund të bëhet nëse do të aktivizohen disa nga sektorët ekonomikë prodhues.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, konsideron se qasja e Qeverisë së Kosovës për të investuar vetëm në infrastrukturë rrugore, është e gabuar.

“Nuk është qasje, e cila do të krijojë mirëqenie dhe kontinuitet të zhvillimit ekonomik. Është koha kur duhet të përkrahet sektori privat, duhet të përkrahen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të forcohet sektori prodhues, të stimulohet bujqësia dhe përpunimi i produkteve bujqësore, të ngrihet kualiteti edukativ në Kosovë dhe në këtë mënyrë pritet të jemi atraktivë për investitorët”, thotë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, autoritetet kosovare vazhdimisht kanë deklaruar se u kanë dhënë përparësi projekteve që ndihmojnë në rritjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike, siç janë: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, bujqësia, zhvillimi i sektorit privat dhe fusha të tjera, që ndikojnë në krijimin e një ambienti të volitshëm për tërheqjen e investimeve të brendshme dhe të jashtme.

Por, për ekspertin e çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, këto nuk qëndrojnë.

“Nëse do të jemi të orientuar vetëm në rrugë dhe ato rrugë të ndërtohen nga kompani inekzistente dhe të investohet në KEK me miliona përmes tenderëve njëburimorë dhe prapë të prodhohet terri, atëherë është një rrugë e gabuar, që Kosovën do të shpie në humnerë dhe jo në progrese”
, thotë ai.

Ndërkaq, sipas ekspertit tjetër të ekonomisë, Avdullah Hoti, autoritetet kosovare duhet të krijojnë strategji adekuate për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

Ai shpreh bindjen se investimi në sektorët që do të ndihmonin zhvillimin ekonomik të vendit, do të përmirësonte edhe jetën e qytetarëve.

“Ajo që i duhet Kosovës, është që të koncentrohemi në ata sektorë, që do të gjenerojnë më shumë punësim, për të zvogëluar numrin e të papunëve dhe për të zvogëluar varfërinë, e cila është çdo herë në rritje”, thotë Hoti.

Ndërsa, profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se duhet të aktivizohen potencialet në energji, në miniera e në bujqësi. Sipas tij, këta tre sektorë duhet sa më shumë të reformohen, në mënyrë që në Kosovë të krijohen kushte, të cilat do të bëjnë që niveli i varfërisë të jetë më i vogël.

“Nëse mendojmë ta zbusim varfërinë, duhet të mendojmë në punësim. Punësim vetanak vështirë se mund të bëjmë. Kosova ende duhet të marrë masa për lehtësimin e politikave fiskale dhe zhvillimin e makroekonomisë”, thekson Tahiri.

Ndryshe, planifikimi për vitin 2010 për shpenzime kapitale kap shumën prej 400.5 milionë eurosh apo 35 për qind të shpenzimeve primare.

Ndër projektet më të rëndësishme që do të definojnë vitin 2010, janë: fillimi i ndërtimit të autostradës Vërmicë - Prizren - Prishtinë - Merdarë, zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugëve magjistrale, koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, futja e kapitalit privat në PTK, fillimi i punimeve për termocentralin “Kosova e Re”, aftësimi i minierës së re të Sibovcit etj.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
     
Komentet
Nga : Arsim Xh. Gashi Prej : D
11.03.2010 12:39
Sa eshte absurde, aq eshte edhe qesharake te kerkosh nga investitoret e jashtem te investojne ne ekonomine kosovare duke pas parasyshe se ata qe do investonin ne Kosove nuk jan Pionir ne Biznes por njerez te deshmuare industrial, te cilet menagjimin e aseteve te veta e bejne me shkalle te larte te pragmatizmit, e nder to ja nje iliutsrim i vogel, nese nje kompani operuese x, qe operon ne Austri Gjermani apo gjetiu pike se pari llogarit ne raste te shpernguljes se biznesit, mundesin e shpenzimeve me te vogla fixe por edhe rifinancimin e atyre shpenzimeve po ne at tregun e ri qe do vendosej, ne ket raste ne Kosove.Qeveria ka aprovuar ligje fiskale dhe tatimore ne baze te fuqise blerese te konsumatorit dhe me ket ne nje far forme provohet te afirmohet Ekonomia e Kosoves si teren i djegur per investime, dhe kjo ndodhe pikerishte per ate se Kosova nuk ka Politika te veta te pamvaruna monetare. Ne mungese se monedhes se vet shteterore ateher edhe fuqia blerese e konsumatorit eshe teper e vogel dhe keshtu qe asnje Kompani nuk do te vije te investoi diqka ne Kosoven me teren te djegur ekonomik, Perjashtime do te ket vetem ne miniera, Energjie telekomunikacion, dhe aeropot, te cilat nuk jan domozdoshmerishte te lidhura me tregun e mbrendshem por gjitha keto resurse te vlefshme ekonomike nuk do te kontribojn ne zhvillim ekonomik por vetem rritje dhe fuqizim i ketyre kompanive ne trojet e Kosoves. Prandaj sa me pare qe qeveria vendos te emitoi monedhen shtetrore, aq me pare mund te fillohet te shiqohet drita ne fund te tunelit. Bile bile edhe shum investime kapitale si "Kosova e Re",dhe te ngjashme do te mund te realizoheshin me forca vetanake, pa koncesionim dhe pa partneritet publikoprivat i cili synon qdo gje qka eshte shoqerore te shpronesoj deri ne at mase qe elementet dhe funksionet e shtetit demokratik te reduktohen vetem ne mbajtje te rendit dhe sigurise, ngjashem si ne kampe te perqendrimit.
     

Prodhimet dhe shërbimet:

PodcastRSSMobile