Krahasuar me një vit më parë, në Agjencinë Anti-Korruspion, në vitin 2009 kanë arritur 34.6 për qind më shumë informata për raste të dyshimta korruptive.
Kjo agjenci, nga 175 informata të tilla të pranuara, 68 i ka dërguar në prokurori. Gjyqësori sërish prin me raste të dyshimta korruptive, i pasuar nga ndërmarrjet publike dhe Qeveria.
Drejtori i agjencisë, Hasan Preteni, jep hollësi:
“Nga 175 informatat e pranuara, 53 kanë të bëjnë me gjyqësorin. Kemi një rritje drastike nga viti i kaluar, prej 63.3%. Për ndërmarrjet publike apo agjencitë e privatizimit i kemi pranuar 43 informata -13 të përcjella në prokurori. Për Qeverinë kemi 34 informata - 17 prej tyre janë dërguar në prokurori; kemi një rritje nga viti i kaluar prej 6. 25%”.
“Rritje të dukshme, përveç gjyqësorit, kemi edhe në pushtetin lokal – 31 informata, 17 janë dërguar në prokurori. Për vetë prokuroritë 14 informata, 2 nga to janë dërguar në prokurori”, bën të ditur Preteni.
Janë 159 zyrtarë të institucioneve të ndryshme të Kosovës që dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën zyrtare, apo se janë përfshirë në raste të tjera korruptive.
Ndërkohë, nga 68 raste sa janë dërguar në prokurori, Agjencia Anti-Korrupsion 34 i ka dërguar në prokurorinë e EULEX-it, për shkak se janë konsideruar të një natyre më të ndjeshme.
“Informacionet ku janë atakuar përfshirja e zyrtarëve më të lartë të hierarkisë së institucioneve dhe lëndët ku shuma e pretenduar i bën dëm buxhetit të Kosovës, i kemi përcjellë në prokurorinë e EULEX-it. Numri i tyre është 34”, thotë Preteni.
Preteni shpjegon se burimi i korrupsionit, në bazë të informatave të pranuara, del të jetë në fushën e prokurimit. Kjo agjenci, madje, ka kërkuar edhe shkarkimin e një zyrtari të prokurimit në Qeverinë e Kosovës, për shkak se dyshohet për konflikt interesi.
Sipas Pretenit, ai ka refuzuar të bashkëpunojë me agjencinë.
“Pjesa më e urryer, pjesa që po atakohet, është periudha e prokurimit. 90% e procedurave apo edhe më shumë kanë të bëjnë me fazat e prokurimit. Aty po ndodhin të gjitha këto aktivitete... Fushën e prokurimit e kemi shumë të dobët”, thekson Preteni.
Është hera e tretë që nga themelimi i saj, që Agjencia Anti-Korrupsion publikon raportin vjetor në lidhje me keqpërdorimet e mundshme që po i bëhen parasë publike. Por, për tre vjet, janë vetëm 5 raste për të cilat janë ngritur aktakuza. Preteni kritikon ashpër gjyqësorin për mosfunksionalitet.
“Pengesa kryesore është funksionalizimi i gjyqësorit. Ne po raportojmë për informatat, por ato nuk po hetohen, nuk po gjykohen fare. Gjyqësori po çalon. Kemi informacionet tona që në mesin e këtyre 5 aktakuzave, njëra është ngritur para 14 muajsh dhe nuk është bërë asnjë lëvizje te gjyqësori. Prokurimi gjeneron të këqija, por nuk sanksionohet nga fusha e gjyqësorit”, thotë Preteni.
Së fundi, shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, ka bërë të ditur se ky mision po heton 33 raste të dyshuara se kanë ndërlidhje me krim të organizuar dhe korrupsion.
Për t’i luftuar këto dy fenomene, Qeveria ka marrë vendim për të ngritur një task-forcë, që përbëhet nga prokurorë kosovarë dhe të EULEX-it. Por, Hasan Preteni sërish sugjeron forcimin e gjyqësorit, meqë, sipas tij, aty po ngec lufta kundër korrupsionit.