Ndërlidhjet

Opozita ruse fillon protestat anti-Putin

Vladimir Putin
Vladimir Putin

Disa mbështetës të një peticioni ‘online’, që bën thirrje për largimin e kryeministrit rus, Vladimir Putin, do të mbajnë një tubim në Moskë, nën sloganin “Putin duhet të shkojë”.

Peticioni i shfaqur në internet më datën 10 mars, akuzon ashpër sundimin 10-vjeçar të Putinit dhe ka tërhequr më shumë se 10 mijë firma, që e mbështesin.

Në mes të atyre që u janë bashkëngjitur emrave për largimin e Putinit, janë: ish-kampioni botëror i shahut, Garri Kasparov, ish-zëvendëskryeministri Boris Nemtsov dhe aktivistë të shquar të të drejtave të njeriut, si: Jelena Noner, Ludmilla Aleksejeva dhe Lev Ponomariov.

Ish-zëvendëskryeministri rus, Nemtsov, thotë për Radion Evropa e Lirë se opozita duhet t’i lërë mënjanë sloganet boshe dhe të vërë gishtin mbi ata që mendon se kanë sjellë përkeqësimin e situatës në Rusi.

“Ne duam zgjedhje të ndershme në vend. Duam konkurrencë politike. Ne duam që vendi të ketë një parlament, ku do të zhvillohen diskutime. Dhe, ne duam ndryshimin e autoriteteve”.

“Mendoj se protestat do të rriten dhe do të vijojnë të rriten, pavarësisht se ç’lloj letrash janë dërguar kudo”
, thotë Nemtsov.

Analisti politik në Moskë, Aleksei Makarkin, mendon se fokusi radikal i opozitës mbi Putinin është një gabim strategjik.

“Shikoni, në çdo anketë sociologjike, rezultatet janë të njëjta. Besimi ndaj Qeverisë është i lartë. Rusët i tremben ndryshimit. Rusët duan që të mbetet kryeministri aktual”.

“Ata ankohen për burokratët, por shumica e tyre nuk duan shkarkimin e kreut të Qeverisë”
, thotë Makarkin, për të shtuar se strategjia e opozitës duket sikur mbështetet në shpresën se besimi i publikut ndaj Putinit do të rrëzohet.

Më 16 mars, shkrimtari Nikolai Starikov postoi ‘online’ peticionin e tij në mbështetje të Putinit. Deri më tani, peticioni mblodhi rreth 3 mijë emra.

Në faqen e internetit të shkrimtarit Starikov deklarohet se është një përpjekje për t’u afruar rusëve një zgjedhje dhe se peticioni anti-Putin u krijua nga njerëz që idealizojnë Mikail Gorbaçovin dhe Boris Jeltsinin - dy njerëz që urryen Stalinin.

Një anketë e kryer nga qendra Levada nxori se 46 për qind e njerëzve besojnë se Rusia ka nevojë për një shtet të vetëm, të centralizuar me krerë të qeverisë lokale, të emëruar nga qendra.

I njëjti sondazh zbuloi se 62 për qind e rusëve besojnë në vetvete dhe kërkojnë që t’i shmangin kontaktet me autoritetet dhe 77 për qind e tyre nuk duan të rrisin nivelin e tyre të veprimtarisë politike. (A.Ç.)

XS
SM
MD
LG