Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shkojnë drejt nënshkrimit të marrëveshjes për reduktimin e armëve bërthamore. Thuhet se kjo marrëveshje historike mund të nënshkruhet në Pragë.
Shtëpia e bardhë pohon se të dyja palët janë shumë afër.
Zëdhënësi Robert Gibs tha për mediat se marrëveshja është afër, por negocimet ende nuk kanë mbaruar.
“Mendoj se jemi shumë afër një marrëveshjeje të traktatit START. Por, nuk do ta kemi një të tillë, derisa presidenti Obama dhe homologu i tij, Medvedev, të kenë një shans për të folur sërish mes tyre”, tha Gibs.
Senatori republikan, Riçard Lugar, tha se Shtëpia e Bardhë shpreson që Obama dhe Medvedev të firmosin një pakt të ri në Pragë, më datën 8 prill.
Data, e cila nuk konfirmohet zyrtarisht, i bie të përkojë me njëvjetorin e vizitës së Obamës në kryeqytetin çek, më 5 prill të 2009-ës, ku presidenti amerikan bëri thirrje për zvogëlimin e arsenalit botëror bërthamor.
Nga Moska, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Andrei Nesterenko, tha se traktati mund të nënshkruhet në Pragë.
“Sa për datën e nënshkrimit të traktatit të ri, nuk ka një marrëveshje zyrtare për këtë. Ky vendim mund të merret vetëm nga presidenti i Rusisë dhe ai i SHBA-ve dhe ata e kanë ndërmend ta bëjnë shumë shpejt këtë”, tha Nesterenko.
Obama dhe presidenti rus, Medvedev, ranë dakord, prillin e vitit të kaluar, që të negociojnë për një traktat tjetër dhe për ulje të konsiderueshme të arsenalit të tyre bërthamor.
Kjo u bë e qartë edhe në fjalimin që presidenti Obama mbajti në Pragë, një vit më parë.
“Si fuqi e vetme e energjisë bërthamore, që ka përdorur një armë bërthamore, SHBA-të kanë një përgjegjësi morale për të vepruar. Ne nuk mund të kemi sukses vetëm në këtë përpjekje, por mund ta udhëheqim, mund ta nisim”, tha Obama.
Medvedev ka planifikuar të vizitojë Bratislavën më 6-7 prill.
Më 11 dhe 12 prill, Obama do t’i ftojë krerët e 44 shteteve në Uashington, në një samit global të sigurisë bërthamore.
Një nënshkrim i reduktimit të armëve me Rusinë, deri në atë datë, do të jetë një simbol i fuqishëm i qëllimit të tij për të zvogëluar dhe eliminuar rezervat botërore të armëve bërthamore.
Pas një viti propozimesh diplomatike bërë Teheranit, me qëllimin e dhënies fund të dyshimit ndërkombëtar për ekzistencën e programit të tij bërthamor, Uashingtoni ka sinjalizuar se durimit i ka ardhur fundi.
Rusia duket e bindur se Teheranit i janë dhënë shanset që t’i provojë botës se nuk po përpiqet për të blerë armë bërthamore. (a.ç.)