Ndërlidhjet

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Edhe në Kosovë, si në gjithë botën, me aktivitete të ndryshme është shënuar Dita Ndërkombëtare e Tokës. Për nder të kësaj date, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore kanë apeluar te autoritetet kompetente dhe qytetarët për ruajtjen e resurseve mjedisore.





Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, udhëheqës të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore thanë se në Kosovë ekzistojnë ende probleme në mjedis.

Me këtë rast, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, kërkoi nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm në ruajtjen e ambientit, meqë Kosova, sipas tij, ka shumë vende, në të cilat mund të zhvillohet turizmi.

“Kosova është vend shumë i bukur, ka vende shumë të bukura natyrore, por, nëse ato janë të mbuluara me mbeturina, atëherë askush nuk do t’i vizitojë”
, tha Dell, për të shtuar se është obligim i autoriteteve kompetente dhe i vetë qytetarëve për mbajtjen e një mjedisi sa më të pastër.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jagxhillar, tha se në Kosovë ka filluar të bëhet traditë shënimi i kësaj date, me qëllim të përmirësimit të mjedisit dhe sensibilizimit të qytetarëve për ruajtjen e resurseve mjedisore.

“Ftojmë të gjithë qytetarët, të gjitha institucionet, ta mbrojmë mjedisin dhe të krijojmë kushte për menaxhimin sa më të mirë të mbeturinave; po ashtu, të krijojmë kushte që qytetarët të kenë qasje në një mjedis më të pastër dhe më të gjelbëruar”, tha Jagxhillar.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se toka është një ndër asetet më të çmuara që Kosova ka në dispozicion, duke shtuar se është obligim i të gjithëve që këtë resurs natyror ta ruajnë dhe ta mbrojnë nga degradimi.

“Ne, përmes strategjive dhe hapave që do t’i marrim në të ardhmen, synojmë ta përmirësojmë gjendjen dhe synojmë të jemi pjesë e botës, e cila, jo vetëm në aspektin teorik, konceptual të politikave dhe legjislacionit, i rregullon këto çështje, por të bëjmë akoma sforcime që edhe në praktikë ta përmirësojmë gjendjen”, tha Stavileci.

Ekspertë të ambientit dhe disa qytetarë kritikojnë institucionet e Kosovës për neglizhencën e treguar karshi ruajtjes së ambientit.

Muhamet Malësiu, ekspert i mjedisit, tha se Kosova, fatkeqësisht, ka trashëguar një ambient shumë të ndotur nga e kaluara, sikur të gjitha shtetet tjera ish-komuniste, të cilave, sipas tij, më shumë u ka interesuar të prodhojnë, sesa ta mbrojnë mjedisin.

“Ne, aktualisht, kemi një ambient të ndotur. Nuk mund të themi se është shumë, shumë i ndotur; jemi njëjtë me vendet e rajonit”, tha Malësiu.

Ndërsa, qytetari Lulëzim Hakaj shprehu brengën se ambienti i ndotur në Kosovë përkeqëson shëndetin e qytetarëve.

“Nuk është në nivel të duhur, por po mundohemi që ta mbajmë disi në nivel
”, u shpreh Hakaj.

Edhe Millenka Dimitrijeviq, qytetare e përkatësisë serbe, tha se ambienti në Kosovë nuk është në nivelin e duhur.

“Mos hidhni mbeturina, mos i hidhni ato në rrugë, por kërkoni një shportë dhe i vendosini aty! Në këtë mënyrë, do ta ruani ambientin tuaj, në të cilin, para së gjithash, jetoni vetë”, tha ajo.

Ndotja e ambientit në Kosovë tejkalon normat e lejuara evropiane, ndërkohë që rezultatet, të cilat i posedon Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, tregojnë se vetëm në Prishtinë këto norma tejkalohen për 3 deri në 6 herë më shumë, sesa ato të lejuara.
XS
SM
MD
LG