Ndërlidhjet

Prishtina kërkon prani gjatë zhvarrimit


Në afërsi të varrezës masive në Rashkë
Në afërsi të varrezës masive në Rashkë

Autoritetet kosovare kërkojnë të jenë të pranishme gjatë procesit të ekshumimit të trupave të pajetë të mbi 250 shqiptarëve në varrezën masive në Rashkë të Serbisë.



Autoritetet serbe ende nuk i kanë bërë të ditura detajet mbi procesin e hetimit dhe të ekshumimit të trupave të pajetë në varrezën masive afër Rashkës.

Autoritetet kosovare kërkojnë të jenë të pranishme gjatë këtyre proceseve, për të zbuluar fatin e mbi 250 viktimave shqiptare, që supozohet të jenë në këtë varrezë.

Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte ka njoftuar se në varrezën e zbuluar në afërsi të Rashkës gjenden trupa të pajetë të shqiptarëve të vrarë në konfliktin e viteve 1998-1999.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj pret bashkëpunimin e palës serbe.

Qeveria e Kosovës
“Tash për tash, nuk kemi informata të sakta se si do të shkojë procedura më tutje, por është konfirmuar ekzistenca e varrezës masive. Tash janë procedurat hetimore. Ne presim që të ketë bashkëpunim mes grupit tonë për dialog me grupin për dialog të palës serbe dhe presim se do të kemi bashkëpunim në procedurat e hetimit dhe ekshumimit të trupave”
, tha Manaj.

Në anën tjetër, kryetari i Grupit Punues për të Pagjeturit, Pajazit Nushi, në një konferencë për gazetarë, kërkoi angazhimin e ekspertëve të të dyja palëve dhe përshpejtimin e identifikimit të skeleteve, apo, siç tha, kockave të mbetura, meqë, sipas tij, vështirë se gjenden skelete të tëra në atë varrezë.

Ai kritikoi palën serbe se nuk e ka informuar grupin punues të Prishtinës mbi gjetjet e fundit.

“Është e zakonshme që kryetari i delegacionit të Serbisë t’ia paraqesë qoftë kërkesën, apo rezultatin e hulumtimit ndërmjetësueit mes dy delegacioneve, e ai të na e përcjellë neve për t’u marë vesh se si të veprojmë. Ne, deri tash, informacion zyrtar nga Serbia nuk kemi. Prandaj, edhe nuk mund të jap element të ri, të cilin nuk e dini deri më tash”, tha akademik Nushi.

Autoritetet kosovare janë të bindura se shteti serb e di vendndodhjen edhe të varrezave të tjera masive, në të cilat mund të jenë të varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës. Në Kosovë ende figurojnë mbi 1800 të zhdukur.

Sidoqoftë, veprimin e fundit të Serbisë, drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e quan një shenjë të mirë, që mund të çojë në raporte të reja mes Kosovës dhe Serbisë.

“E shoh këtë zbulim të varrezës masive si një shenjë të mirë për ndryshimet e raporteve Kosovë-Serbi. Mendoj se fati i të pagjeturve është çështje e mirë për raporte të reja mes institucioneve të Kosovës dhe Serbisë”.

“Tash është koha të organizohen takimet mes përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, që t’i kushtojnë vëmendje fatit të personave të zhdukur dhe të thonë se zbulimi i varrit masiv në Rashkë është shenjë e mirë për të vazhduar së bashku”,
i tha Kandiq Radios Evropa e Lirë.

Prokurori për krime lufte i Serbisë, Vlladimir Vukçeviq, pas zbulimit të varrezës, ka thënë se identifikimi i viktimave mund të çojë edhe në zbulimin e kriminelëve apo krimeve të luftës të bëra ndaj shqiptarëve.

Natasha Kandiq
Natasha Kandiq është e bindur se në Serbi ekzistojnë edhe varreza të tjera masive, ndërkohë që kërkon të dijë të vërtetën e Maçkaticës, ku dyshohet se në furrnalta janë djegur trupat e shqiptarëve të vrarë.

“Mendoj se duhet të ketë edhe varreza të tjera. Familjet, shoqëria në Serbi dhe Kosovë duan të dinë të vërtetën e Maçkaticës. Fondi për të Drejtën Humanitare ka nisur 4 vjet më parë që të kërkojë arkivin, për të zbuluar se çka ka ndodhur ne Maçkatice. Ka varreza të tjera dhe familjet, shoqëritë, të rinjtë, duhet të dinë për varret masive, duhet të dinë se si janë vrarë njerëzit”, thotë Kandiq.

Autoritetet kosovare presin që misioni evropian për sundimin e ligjit t’i lehtësojë raportet Kosovë-Serbi në lidhje me të pagjeturit. Ndërsa, Kandiq tha se ky mision duhet të organizojë edhe pjesëmarrjen e kosovarëve gjatë procesit të ekshumimit në Rashkë.

Vetë zyrtarët e EULEX-it kanë thënë se krimeve të luftës u kanë dhënë përparësi të madhe dhe se do të punojnë me autoritetet serbe për të zbuluar fatin e të pagjeturve.


* * * * * * * * * *

Beteja e zonjës Nesrete Kumnova në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur është veçuar në rubrikën e posaçme të shërbimit qendror të Radios Evropa e Lirë në vitin 2008, në mesin e shumë figurave të tjera botërore, të cilat ia kanë kushtuar jetën luftës për të drejtat e njeriut. Në vazhdim mund të shihini një intervistë të shkurtër me zonjën Kumnova, mbi motivet që e shtyjnë atë të besojë në luftën që e bën.

Nesrete Kumnova
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:37 0:00
XS
SM
MD
LG