Ndërlidhjet

Mitrovicë: Situata nën kontroll


Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë
Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka njoftuar se situata në Mitrovicë është qetësuar, ndërsa protestuesit shqiptarë dhe serbë janë shpërndarë. Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka përdorur në masë të vogël gaz lotsjellës për të evituar një konflikt të mundshëm mes shqiptarëve dhe serbëve në urën e lumit Ibër. Protestuesit shqiptarë ishin mbledhur për të kundërshtuar zgjedhjet serbe, që u mbajtën në veri të Mitrovicës.



Policia e Kosovës ka përdorur të dielën në masë të vogël gazin lotsjellës, për të evituar një konflikt të mundshëm mes shqiptarëve dhe serbëve në urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

“Është dashur që policia të vë në përdorim gazin lotsjellës në një masë mjaft të vogël, për t’i detyruar protestuesit që të shpërndahen në të dy anët”
, ka deklaruar Hoti.

Situata, sipas policisë, është tensionuar kur një grup i shkëputur nga protesta e shqiptarëve kundër zgjedhjeve serbe, që u mbajtën gjatë ditës së diel në veri të Mitrovicës, është nisur në drejtim të urës mbi lumin Ibër, ndërkohë që në veri të urës, një grup serbësh ka provokuar situatën duke hedhur gurë dhe gjësende tjera.

Besim Hoti ka thënë se për të evituar konfliktin, ka intervenuar Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

“Sidoqoftë, njësitë speciale për kontrollim të turmës nga Polica e Kosovës në bashkëveprim me njësitë tjera dhe me ndihmën e KFOR-it, kanë arritur t’i zmbrapsin të dyja grupet dhe deri më tani ura është pa ngarkesa të të dyja grupeve”.

“Me rëndësi është që nuk erdhi deri te kontakti fizik mes dy grupeve, shqiptare dhe serbe. Situata kishte tension të një niveli të lartë, por sidoqoftë është arritur të vihet nën kontroll. Deri më tash nuk kemi informacione për persona të lënduar nga të dyja palët”
, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Besim Hoti.

Për një kohë, të dy grupet kanë qëndruar në veri dhe jug të urës së lumit Ibër, ndërsa në mes të urës, për ruajtjen e rendit janë kujdesur njësitet e Policisë së Kosovës dhe të forcave paqeruajtëse të KFOR-it.

Protestat në Mitrovicë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:37 0:00


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dy grupet janë shpërndarë dhe situata vazhdon të jetë e qetë. Ura sërish është liruar për qarkullim.

Ndryshe, protesta e shqiptarëve në jug të qytetit është organizuar nga veteranët e UÇK-së, në kundërshtim të zgjedhjeve paralele serbe që u mbajtën në veri të Mitrovicës dhe në Novobërdë.

Qendrat e votimit në këto dy vendbanime janë hapur në mëngjes, për të votuar për zgjedhjet, që janë të paligjshme për institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Por, kjo nuk i ka penguar subjektet politike serbe që të zhvillojnë fushatë intensive elektorale dhe as banorët lokalë që të dielën të hedhin votën e tyre.

Në Mitrovicë, deri në orën 15 kanë votuar 20 për qind e qytetarëve. Banorët serbë në veri, që votuan për një nga 13 subjektet politike sa garojnë në zgjedhjet lokale në këtë qytet, kanë thënë se presin ditë më të mira për qytetin ku banojnë.

“Aspak nuk jam i kënaqur me situatën në këtë qytet në 11 vjetët e fundit. Mendoj në lirinë e lëvizjes dhe në gjetjen e një pune
”, është shprehur Vladan Obradoviq.

Ndërsa, Dragana Markoviq, ka thënë se dëshiroi të votonte për të mirën e fëmijëve, por kjo i është pamundësuar.

“Jam e pakënaqur me këto zgjedhje, sepse nuk gjendem në asnjërën listë të votimit në qytet. Dua që të gjithë fëmijët tanë të shkojnë përpara dhe dua të votoj për partinë që mua më përgjigjet. Por, nuk më kanë vënë në asnjërën nga listat e votimit”
, ka thënë Markoviq.

Mbajtja e zgjedhjeve serbe është kundërshtuar nga shoqëria civile dhe opozita, të cilat e shohin këtë veprim si shkelje të rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës.

Por, autoritetet e Kosovës, megjithëse kundërshtojnë zgjedhjet, janë shprehur se ato nuk do të prodhojnë kurrfarë efekti juridik, duke paralajmëruar se së shpejti do t’i organizojnë zgjedhjet në veri të Mitrovicë, ashtu siç parashihet me Pakon e Ahtisarit.

Ndryshe, Serbia ka organizuar zgjedhjet e fundit në veri të Mitrovicës më maj të 2008-ës, vetëm tre muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kurse, në Novobërdë, zgjedhjet kosovare janë mbajtur më 15 nëntor, të 2009-ës, ku kanë garuar edhe subjekte politike serbe. Zgjedhjet kosovare të 15 nëntorit janë bojkotuar në tërësi nga serbët në tri komunat veriore, ku edhe përbëjnë shumicën.
XS
SM
MD
LG