Ndërlidhjet

Problemet në sektorin privat?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Sektori privat vazhdon të ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet. Ky sektor, nga ekspertë të ekonomisë, vlerësohet motor i zhvillimit ekonomik dhe rritjes se shkallës së punësimit. Ata u bëjnë thirrje autoriteteve kompetente që të gjejnë forma stimuluese për këtë sektor.


Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë nuk kanë hapësirë të duhur për zhvillimin e veprimtarive të tyre, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, autoritetet kompetente duhet të gjejnë forma stimuluese për përmirësimin e imazhit të tyre.

Bedri Selmani thekson se problemi i parë që po e vështirëson zhvillimin e veprimtarive të ndërmarrjeve private janë normat e larta të interesit.

Sipas tij, 42 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, tashmë kanë kredi në bankat komerciale, për të cilat paguajnë kamata mbi 14 për qind.

Rrugëdalja ekziston, sepse ky është një vend i vogël. Llogariteni vetëm këtë - 42 mijë ndërmarrje tani kanë mungesë të akumulimit të kapitalit, kanë mungesë të kredive afatgjate”.

“Kjo, sepse një pjesë e tyre kanë hyrë në kredi afatshkurtra shumë të pafavorshme, të cilat janë duke e ngulfatur mundësinë e punësimit të ri dhe të zgjerimit të kapaciteteve me teknologji reja dhe mundësi të eksportit”
, thotë Selmani.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se për përmirësimin e kushteve të kompanive private, autoritetet kompetente duhet të krijojnë ambient më të favorshëm biznesor.

Dëshmia më e mirë për gjendjen e rëndë të bizneseve, sipas Gërxhaliut, është fakti se në vitin 2009, borxhi i popullatës në bankat komerciale ka arritur shumën 1 miliard e 270 milionë euro, ku mbi 72 për qind prej këtij borxhi, sipas tij, janë kredi të orientuara në tregti.

“Kamatat e kredive janë aq të pavolitshme, sa që sot bankat fitojnë dhe forcohen nga biznesi dhe jo biznesi nga banka. Nuk ka arsyeshmëri që arsyeton një dukuri si kjo, por, siç duket, në mungesë të përgjegjësive ndodhin dukuri të tilla”.

“Nuk mund të më bindë askush se nuk ekziston ndonjë marrëveshje interne në relacion banka qendrore- banka komerciale, për mbajtjen e kësaj kamate të ngrirë, ku ato përfitojnë, ndërkaq bizneset gjobiten”
, shprehet Gërxhaliu

Problem tjetër që po e ngulfat zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është edhe shkalla e lartë e ekonomisë informale, thotë Gërxhaliu.

“Nuk mund të ketë përkrahje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë, nëse nuk ka mbrojtje nga invazioni fiskal, në qoftë se nuk ka mbrojtje nga ekonomia e korruptuar dhe nëse institucionet vendore nuk e parandalojnë okupimin e Kosovës në aspektin ekonomik”
, thekson Gërxhaliu.

Ndërkaq, Bedri Selmani konsideron se nëse zgjidhen problemet në sektorin privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë, do të kenë mundësi që të rrisin shkallën e punësimit deri në 160 mijë persona brenda vitit.

“Këto 42 mijë ndërmarrje si tatimpagues, vetëm në dy gjashtëmujorë, vetëm nga dy të rinj po t’i punësojnë arrijnë 80 mijë, ndërsa gjatë vitit janë 160 mijë vende të reja të punës”.

“Mesatarja, për katër vite, do thotë vetëm nga 2-4 persona po të punësohen në këto ndërmarrje, ne kemi nivel të lartë të punësimit”,
vlerëson Selmani.

Sidoqoftë, ekspertët shprehen se është absurde të mendohet se në Kosovë do të ketë stabilitet politik, pa zhvillim ekonomik dhe ulje të shkallës se varfërisë dhe papunësisë.
XS
SM
MD
LG