Ndërlidhjet

Bruksel: Mandati i EULEX-it deri në vitin 2012


Bruksel
Bruksel

Bashkimi Evropian vendosi për zgjatjen e mandatit të misionit EULEX në Kosovë, deri në vitin 2012. Ky vendim u mor, derisa në Bruksel qëndruan përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Piter Feith, dhe shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo.


Bashkimi Evropian vendosi sot që ta zgjasë mandatin e misionit të tij në Kosovë, EULEX, deri në qershor të vitit 2012.

Ky vendim u mor, derisa në Bruksel qëndruan përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Piter Feith, dhe shefi i misionit EULEX, Iv de Kermabo.

Ata u paraqitën para ambasadorëve në Këshillin për politikë dhe siguri të Bashkimit Evropian, me ç’rast folën për situatën aktuale në Kosovë dhe për masat që po i ndërmerr EULEX-i, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në këtë aspekt, ata theksuan se udhëheqëse të kësaj lufte, megjithatë, duhet të jenë autoritetet e Kosovës dhe lavdëruan kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për “sjellje konstruktive”.

Duke folur para gazetarëve, Piter Feith tha se pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pret “rritje të konsiderueshme” të numrit të njohjeve të Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, mendimi i gjykatës do të jetë “i përzier”.

”Unë po punoj në supozimin se vendimi gjerësisht do të japë një lloj rehatie për pozicionin e Beogradit dhe një lloj mbështetje për pozicionin e Kosovës. Pra, do të jetë një tërësi e përzier e konsideratave
”, tha Piter Feith, duke folur para gazetarëve në Bruksel, pas takimit të tij me ambasadorët e BE-së.

Ai, më tutje, foli edhe për pjesën veriore të Mitrovicës, duke synuar t’i sigurojë liderët lokalë në këtë qytet, se dëshirat e tyre do të respektohen.

”Çfarëdo përpjekje që i përket veriut, në mënyrë kritike, varet nga pranimi lokal. Prandaj, populli në veri nuk duhet të ketë çfarëdo ndjenje të frikësimit ose kërcënimit”.

“Ne dëshirojmë që veriun ta mbajmë stabil, por veriu është pjesë e përgjithshme e hapësirës, që do të lëvizë më afër ndaj Bashkimit Evropian. Nuk duhet të përfundojë si konflikt i ngrirë”,
theksoi Piter Feith. (f.b.)
XS
SM
MD
LG